Flamurtari “godet” 2 herë në merkato, Allmuça: Në Vlorë erdha për kthimin e ekipit në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 14:21

Flamurtari “godet” 2 herë në merkato, Allmuça: Në Vlorë erdha për kthimin e ekipit në elitë

Flamurtari godet sërish në merkaton e verës, ku kuqezinjtë kanë prezantuar dje dy lojtarë me përvojë duke çuar në pesë numrin e afrimeve. Ilir Allmuça ka lënë Dinamon në Superiore duke firmosur me vlonjatët.

ALLMUCA FLAMURTARI

Mbrojtësi i majtë është prezantuar dje te Flamurtari. Pas një eksperiencë në Kategorinë Superiore, ai tashmë do të luajë në Kategorinë e Parë dhe me fanellën kuqezi të vlonjatëve do të kërkojnë ngjitjen në elitë. 27-vjeçari ka lindur në Tiranë ndërsa ka dhënë kontributin e tij si futbollist në skuadra të rëndësishme. E gjithë karriera e Allmuçës është e përqendruar në Shqipëri. Rrugëtimin e ka nisur me të rinjtë e Dinamos për t’u bërë më pas pjesë e skuadrës së parë për një periudhë të gjatë 2015 – 2019. Më pas, për tre vite, në sezonin 2019-2021 ka luajtur për Egnatian. Ilir Allmuça do të rikthehej përsëri te Dinamo në sezonin 2022-2024. Këtë sezon mbrojtësi i majtë do të luajë për Flamurtarin.

Deklarata e Allmuçës

Përforcimi i fundit i vlonjatëve në krahun e majtë, Ilir Allmuça, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, u shpreh fillimisht se është shumë i lumtur që është pjesë e Flamurtarit. Mbrojtësi thekson se e bindi projekti i klubit. “Së pari, dua që të them se jam shumë i lumtur që do të jem pjesë Flamurtarit. Dua të falënderoj drejtuesit e klubit për besimin, pasi po më japin mundësinë të luaj për një skuadër të madhe dhe me traditë në futbollin shqiptar, siç është Flamurtari. Për të ardhur në Vlorë më bindi projekti shumë ambicioz që drejtuesit kishte planifikuar për këtë sezon. E them edhe njëherë, që është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jem pjesë e Flamurtarit në edicionin 2024-2025 dhe të jap kontributin tim”, u shpreh fillimisht Allmuça.

Mbrojtësi premton se do të bëjë maksimumin me qëllim që të arrihet objektivi. Sipas 27-vjeçarit, Flamurtari e meriton të jetë mes skuadrave më të mira të këtij kampionati. “Unë premtoj që do të bëj maksimumin në çdo ndeshje që do të aktivizohem, me qëllim që të arrijmë objektivin e klubit. Këtë besim që më dhanë do t’ua shpërblej me punë dhe përkushtim”, shprehet mbrojtësi. Ilir Allmuça thekson se edhe këtë sezon për klubin objektivi është madhor, ngjitja në Superiore. “Patjetër që objektivi për sezonin e ri është ngjitja në elitë. Ky ekip e meriton të jetë mes më të mirëve. Shpresojmë që edhe me ndihmën e Zoti në fund ta përmbushim këtë objektiv madhor që kemi”, përfundon Allmuça në prononcimin e parë si mbrojtës i Flamurtarit.

Portieri Frashëri

Flamurtari gjen edhe portierin titullar. Stivi Frashëri vjen për të zëvendësuar Aldo Teqjan e larguar tashmë drejt Dinamos. Frashëri u prezantua zyrtarisht dje, ndërsa rikthehet në Vlorë pas 7 vitesh. 33-vjeçari,191 cm i gjatë, në Vlorë ka luajtur në sezonin 2016-2017. Ai ka një eksperiencë të gjatë, pasi është aktivizuar në disa skuadra të njohura brenda dhe jashtë vendit. E nisi në akademinë e Skënderbeut, për të provuar më pas një eksperiencë në Greqi te Aris Selanik. Ka luajtur me Bylisin në sezonin 2010-2014 dhe më pas ka mbrojtur edhe portën e Tiranës, Kukësit dhe Teutës në Superiore. Frashëri ka përjetuar një eksperiencë pozitive në Kosovë me Ballkanin e drejtuar nga trajneri Ilir Dajës në sezonet 2021-2023. Skuadra e fundit ku ka luajtur Frashëri është Liria e Prizrenit në Kosovë. Portieri Frashëri ka luajtur edhe me të gjitha kombëtaret e moshave kuqezi, nga U-17 deri tek U-21.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"