Flamurtari kërkon të “blindojë” sulmuesin kryesor, javë përcaktuese për trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2024 | 11:45

Flamurtari kërkon të “blindojë” sulmuesin kryesor, javë përcaktuese për trajnerin e ri

Flamurtari kërkon të “blindojë” Vasil Shkurtajn. Në një kohë kur e gjithë skuadra është “shkrirë” dhe një pjesë e mirë e lojtarëve nuk janë nën kontratë, klubi po bën bilancet e dështimit dhe rrjedhimisht pritet që të bëhen edhe spastrime.

flamurtari

Ka edhe futbollistë që janë në planet e kuqezinjve për sezonin e ri dhe një prej tyre është vlonjati Vasil Shkurtaj, që iu bashku ekipit në merkaton e janarit. Drejtuesit mendojnë se ai ka arsenal ende të pa dhënë në Vlorë, ndaj duan që ta kenë edhe për sezonin e ri. “Panorama Sport” mëson se kontaktet kanë nisur. Që në mbyllje të sezonit të fundit palët kanë biseduar dhe në parim mes Shkurtajt dhe drejtuesve të klubit është gjetur dakordësia, por sulmuesi nuk ka dhënë përgjigjen përfundimtare.

Kusht i vetëm mund të jetë rishikimi i termave financiarë, por gjasat janë që 32-vjeçari të mbetet kuqezi. Shkurtaj u kontaktua nga “Panorama Sport”, ku ai pohoi se për momentin është me pushime, por la të kuptohej se Flamurtari mbetet opsion kryesor. “Tani jam me pushime. Në momentin që do të rinovoj, do flasim më gjerësisht”, u shprehur sulmuesi vlonjat.

RINOVIMET – Flamurtari ka në plan rinovimin me disa lojtarë të sezonit të fundit. “Panorama Sport” mëson disa nga futbollistët kryesorë, të cilësohen si shtylla e ekipit, do t’u ofrohet bashkëpunimi. Drejtuesit e klubit kërkojnë që Idriz Batha të qëndrojë në Vlorë. Mesfushori ka një karrierë të pasur dhe kërkohet me ngulm të qëndrojë. Drejtuesit kërkojnë rinovimin edhe me Erlis Frashërin. Ish-kapiteni i Skënderbeut ka bërë mirë në Vlorë, ndaj do të ishte i nevojshëm edhe për sezonin e ri. Indio Oliveira duket se do të vijojë karrierën te kuqezinjtë.

I kthyer tashmë në vlonjat, pasi edhe ka krijuar familjen në këtë qytet, braziliani e njeh mjaft mirë skuadrën, pasi erdhi për herë të parë në sezonin 2019-2020. Pas një shkëputje tek Oriku, nga sezoni 2021-2022 vijon në Vlorë. Te futbollistët që pritet të qëndrojnë në Vlorë hyn edhe Fjoralb Deliaj. 27-vjeçari është produkt i akademisë vlonjate dhe sezonin e shkuar ka bërë mirë në skuadër.

TAKIMI – Në fundjavë, Sinan Idrizi u takua me Artim Pollozhanin, i cili pritet të jetë drejtori i ri i klubit dhe ka marrë në dorë frenat e merkatos. Gazeta mëson se mes tyre është diskutuar edhe për rinovimet. Nga ana tjetër, Pollozhani ka paraqitur edhe listën me 10 emra futbollistësh dhe dy trajnerësh, që i kërkon në skuadër.

Këtë javë pritet që të vendoset fillimisht për trajnerin. Shanset më të mëdha për t’u ulur në pankinë i ka Jeton Beqiri. Emri i propozuar nga Pollozhani ka marrë miratimin e Sinan Idrizit. Ai duhet të zgjidh çështjen me Shkëndijën, duke dalë i lirë. Për të qenë të sigurt, si alternativë kanë edhe Mladen Milinkoviç. Mbetet për t’u parë këto ditë, pasi nuk përjashtohet mundësia e ndonjë surprize tjetër.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"