Flamurtari në Laç pa Maganin, trajneri tregon arsyet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2016 | 9:50

Flamurtari në Laç pa Maganin, trajneri tregon arsyet

Gugash Magani nuk do të drejtojë sot Flamurtarin në Laç. E premtja nuk solli asnjë zhvillim në kampin kuqezi. Trajneri Gugash Magani nuk ka udhëtuar me ekipin, për shkak se ende nuk është zgjidhur situata. Për arsye pune, administratori Sinan Idrizi është larguar drejt Turqisë.

magani

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, trajneri Gugash Magani tha se pret edhe një takim të fundit me administratorin Sinan Idrizi. Magani konfirmoi se ndodhet në Peqin dhe se nuk do të jetë sot në Laç në pankinë.

“Për momentin jam në Peqin, pranë familjes sime, dhe nuk kam udhëtuar në drejtim të Vlorës. Nuk do të jem në krye të ekipit për ndeshjen me Laçin që luhet nesër (sot). Pres edhe një takim të fundit me presidentin Sinan Idrizi, i cili, për arsye pune, ka udhëtuar drejt Turqisë.

Do të ulem edhe një herë dhe do të diskutojmë së bashku, ashtu sikundër i kemi dhënë fjalën njëri-tjetrit. Unë kam shumë respekt për presidentin, sepse është një njeri që të kupton dhe dashamirës. Nuk kam ndonjë koment tjetër, por dua të theksoj edhe një herë se nuk kam vendosur ultimatume”, tha fillimisht Magani.

Mesazhi

Pavarësisht se nuk gjendet fizikisht pranë ekipit, trajneri Gugash Magani ka komunikuar dje me të gjithë lojtarët. Ai i ka motivuar futbollistët që sot në Laç të japin maksimumin e tyre.

flamurtari formacioni

“Kam folur me ekipin dhe i kam inkurajuar për ndeshjen me Laçin. U kam thënë që të bëjnë maksimumin e tyre. Kam folur me të gjithë futbollistët. Ata janë profesionistë dhe unë kam shumë besim se nesër (sot), ata do të bëjnë maksimumin e tyre për të marrë në Laç një rezultat pozitiv. Skuadrës i kam dhënë orientimet e mia, kam folur edhe me ndihmësit e mi dhe u kam kërkuar që të gjithë të japin më të mirën në këtë ndeshje”, u shpreh Magani.

Situata

Magani Idrizi

Pavarësisht se as trajneri Magani dhe as administratori Idrizi nuk e pohojnë publikisht, ngërçi mbetet te pagat. Trajneri Magani nuk ka pranuar që gjatë kësaj kohe të flasë për pagat në asnjë rast, por kur është pyetur ka thënë se kjo çështje i përket Idrizit dhe se atij i takon vetëm ana teknike. “Likuido skuadrën dhe unë kthehem menjëherë”.

Ky është mesazhi që Magani i ka dhënë Idrizit në takimin e fundit që patën së bashku. Por, duket qenë se ende “thesi i parave” nuk është zgjidhur, trajneri peqinas nuk e ka marrë iniciativën të kthehet, edhe pse të paktën për momentin mbetet kreu i pankinës vlonjate, në kushtet kur dorëheqja nuk u pranua dhe Magani dha sinjale rikthimi.

laci formacioni

Magani tashmë pret edhe një takim të fundit me Idrizin për të ndarë “shapin nga sheqeri”. Afatet kanë mbaruar dhe nuk ka më të tjera. Pritet vetëm kthimi i administratorit Idrizi nga Turqia për t’i dhënë “dumin” përfundimtar kësaj çështjeje të kthyer në telenovelë pa fund.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"