Flamurtari pa trajner, administratori dhe kapiteni nisin bisedat rreth rinovimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 0:13

Flamurtari pa trajner, administratori dhe kapiteni nisin bisedat rreth rinovimit

Nisin lëvizjet në Vlorë. Sinan Idrizi fillon telefonat me futbollistët që mbyllën sezonin te Flamurtari. “Panorama Sport” zbulon se i pari është kontaktuar kapiteni Denis Pjeshka. Shkodrani ka qenë dje në ambientet e stadiumit.

Kapiteni Pjeshka duke festuar me shokët e ekipit golin e Shkurtajt ndaj Burrelit

Pasi konsumoi një kafe i vetëm në lokalin pranë impiantit, u ngjit në katin e dytë në zyrën e administratorit ku ka ndodhur edhe takimi mes Idrizit dhe Denis Pjeshkës. Biseda mes tyre është përqendruar te rinovimi dhe ndërtimi i skuadrës së re. Palët në parim duket se kanë arritur akordin për një bashkëpunim të mundshëm. “Të gjithë kanë përgjegjësi për mosarritjen e objektivit. Askush nuk është i përjashtuar nga kjo”, ka thënë Idrizi për gazetën para disa ditësh. Nga ana tjetër, edhe kapiteni Pjeshka duket se ka kushte për qëndrimin në Vlorë.

Mësohet se të gjitha janë trajtuar në këtë takim, por palët me sa duket do të zhvillojnë edhe një takim përfundimtar për shkak se duhet të vendosen disa pika mbi “i”. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Pjeshka nuk ka preferuar të flasë për të ardhmen, duket thënë se është ende shpejt. “Është ende shpejt të flasin. Do të jetë mirë që të shpreheshim kur gjërat të jenë më konkrete”, ka thënë për gazetën kapiteni shkodran. Klubi ka në listën e rinovimeve disa emra lojtarësh, të cilët dëshiron t’i mbajë për sezonin e ri. Vasil Shkurtaj, Idriz Batha, Erlis Frashëri, Indio Oliveira, Fjoralb Deliaj, Denis Pjeshka, Lancinet Sidibe dhe Fabio Hasa, janë futbollistët që klubi i dëshiron. Jo çdo gjë varet nga dëshira, pasi futbollistët me shumë gjasë do të kërkojnë rritjen e “çmimit”. Topi mbetet në derën e klubit nëse do t’i plotësojë kushtet e futbollistëve.

TRAJNERI – Flamurtari konsiderohet pa trajner, gjersa nuk ka konfirmim për Eqerem Memushin. Për më tepër, merkato dhe trajneri i ri janë besuar Artim Pollozhanit. Vlonjatët janë në kërkim të një trajneri, por çdo gjë ka mbetur në ajër. Të gjitha shpresat ishin te Jeton Beqiri, por pengesë mbetet Shkëndija e Tetovës, që nuk është bindur që ta lërë të lirë. Kjo vonesë nuk po pëlqehet në Vlorë, por në skenë janë edhe emra të tjerë që lakohen, si Mladen Milinkoviç, Migen Memelli dhe Gugash Magani. Deri në këto momente nuk ka asnjë gjë zyrtare dhe në klub nuk duan që të nxitohen për “timonierin” e ri.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"