Flamurtari triumfon në Kupë dhe shkon në Kupat e Europës. Vendos një gol i Abilaliajt
FLAMURTARI-KUKESI 1-0
Golat: Abilaliaj 44′
FLAMURTARI: Xhelili, Sakaj, Kuqi, Veliu, Licaj, Arbri (A.Shehaj 65′), Telushi, Lena, G.Lika, Zeqiri, Abilaliaj. Trajner: E.Gjoka
KUKESI: Halili, Smajli (Shameti 76′), Brahja, Malota, Hallaçi, Progni, Allmuça (Musolli 80′), Hoxha, Izucuku (Hysa 66′), Cikalleshi, Boja. Trajner: S.Starova
Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Doda, E.Barushi
Kartonë të verdhë: Lena 37′, Sakaj 68′, Shehaj 90′ / Smajli 71′, Hysa 72′, Boja 80′, 90+1′
Karton i kuq: Boja 90+1′
Kupa e Shqipërisë shkon për herë të katërt në Vlorë. Flamurtari ka mposhtur dje në “Qemal Stafa” minimalisht Kukësin, 1-0, në një ndeshje ku meritoi gjithçka. Vlonjatët kanë mbyllur me trofe një nga sezonet më të vështira, ku mbijetesën në Superiore e siguruan në javën e fundit të kampionatit. Një “happy end” për skuadrën e Ernest Gjokës që arriti të sfidojë të gjitha problemet edhe përballë Kukësit në finale, ekipit që cilësohej favorit për të fituar, e gjunjëzoi në të gjitha drejtimet. Arbër Abilaliaj është heroi i vlonjatëve, teksa për 90 minuta bëri çfarë deshi me mbrojtësit e Kukësit. Madje u rezistoi edhe shkelmave të tyre, derisa në limitin e pjesës së parë shënoi golin e fitores. Ishte një Flamurtar më i qartë në fushë dhe nga ana tjetër një Kukës që nuk e mbajti dot presionin. Si për koincidencë, skuadra kuqezi përsëriti sezonin 2008-2009, kur, mes vështirësive, i shpëtoi rënies nga Superiorja, por ama në fund fitoi Kupën e Shqipërisë.
Pjesa e parë – Flamurtari e nis lojën me një risi në mbrojtje. Gjoka nuk kishte preferuar një lojtar tipik të krahut të majtë si Begaj, por nga minuta e parë vendosi në këtë pozicion veteranin Sakaj. Ky spostim tregonte se vlonjatët i druheshin inkursioneve të Izuçukut nga e djathta. Në fund lëvizja e Gjokës rezultoi efikase, pasi nigeriani u mbulua në mënyrën më të mirë. Starova nuk kishte hequr dorë nga moduli 4-2-3-1, me Prognin që sakrifikoi në rolin e mesfushorit shkatërrues. Minutat e para tregojnë qartë një superioritet të Flamurtarit, qoftë në qarkullimin e topit edhe në agresivitet. Kukësi nuk funksionon në mesfushë, aty ku Zeqiri, Telushi e Lena nxjerrin jashtë loje kundërshtarët e tyre. Rastet në portat respektive janë sporadike. Goditjet e Likës e Lenës për kuqezinjtë dhe Prognit e Izuçukut për veriorët nuk u bëjnë dëm portierëve Halili e Xhelili. Afër fundit të pjesës të parë është mbrojtësi Smajli që i çudit të gjithë, duke shpërdoruar një rast të artë vetëm tre metra larg portës. Dhe po nuk shënove, do ta pësosh. Një minutë pas këtij momenti të mirë për Kukësin, është Flamurtari që shënon me Abilaliajn. Pasiguria e mbrojtjes kuksiane, me Malotën dhe Brahjen në qendër, bëri që sulmuesi vlonjat të përfitojë, duke zhbllokuar shifrat.
Pjesa e dytë – Gjoka dhe Starova nuk mendojnë për ndryshime që në startin e 45 minutave të dyta. Natyrshëm Kukësi futet më i karikuar në fushë dhe me Bojën e Cikalleshin bëhet i rrezikshëm. Loja e veriorëve përqendrohet në krahun e majtë, aty ku Hoxha me krosimet në zonë kërkon të shfrytëzojë shtatlartësinë e kamerunasit. Nga ana tjetër, veprimet mjeshtërore të Cikalleshit nuk i mjaftojnë Kukësit. Kuqi dhe Veliu janë në një ditë të mirë dhe lënë pak hapësira. Flamurtari bën një zëvendësim të detyruar, teksa largohet Arbri i dëmtuar dhe futet në fushë një lojtar me tipare ofensive si Ardit Shehaj. Ky i fundit bëhet menjëherë protagonist, por është i pafat, pasi topi i goditur me kokë prek shtyllën. Duke parë kalimin e minutave, Kukësi bën tre ndryshime të shpejta. Starova aktivizon Hysën, Shametin e Musollin, ndërkohë që veriorët aplikojnë lojën me topa të gjatë. Madje në fund Starova kalon Shametin në rolin e qendërsulmuesit, për të shfrytëzuar shtatlartësinë e tij. As tre minutat shtesë nuk sjellin ndryshime, përveç një kartoni të kuq për Bojën, i cili në mënyrë të panevojshme goditi me bërryl Kuqin. Festa është e gjitha e vlonjatëve, ndërsa te Kukësi ka zhgënjim, ashtu si edhe te Teuta, që pas këtij rezultati mbeti jashtë Europës.
Gjika: Fituam si Atletiko Madrid!
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ishte në “qiellin e shtatë” pas triumfit të djeshëm kundër Kukësit. Një sezon i vështirë dhe me shumë probleme edhe jashtë pjesës futbollistike nuk mund të shpërblehej më mirë sesa kaq. “Ndihem i emocionuar, sepse, përveç faktit që e drejtoj skuadrën, jam edhe tifoz përtej kufijve. Jam i lumtur për këta djem të mrekullueshëm. Kurorëzuam një kampionat të vështirë me shumë probleme dhe mungesa. Gjithsesi kam besuar te ky trofe. Ne ia kemi bërë hyzmetin edhe titullit, por nuk kemi konkluduar. Ndoshta duhet edhe pak më shumë eksperiencë dhe pak më shumë fat. Duhet edhe pak më shumë modesti… Sa më i thjeshtë të jesh, aq më mirë është dhe kjo ndeshje e vërtetoi këtë. Në finale erdhëm me kokën ulur. Të mos harrojmë se këtë vit kemi parë një skuadër si Atletiko Madrid, e cila me sakrifica dhe përulje ia doli mbanë. Në këtë ndeshje skuadra nuk e kishte stresin dhe presionin për të fituar, por kishin thjesht dëshirën dhe grintën e duhur. Ishim shumë më të qetë dhe më të vëmendshëm”, – tha Gjika pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Europa I ngacmuar për faktin se Kukësi sezonin e kaluar eci shkëlqyeshëm, Gjika ka “replikuar” menjëherë: “Kukësi nuk e ka thyer ecurinë e Flamurtarit, sepse në kohën kur Flamurtari bënte historinë ishin kohëra të tjera dhe krejtësisht të ndryshme. Gjithsesi, unë mendoj se ky ekip nuk ka nevojë për korrigjime të mëdha për në Kupat e Europës. Kemi cilësi dhe besim se mund të bëjmë mirë edhe në arenën ndërkombëtare, por më parë duhet të shijojmë triumfin e sotëm (djeshëm)”, – deklaroi kryebashkiaku i Vlorës.
Dushku dhe Moçka Presidenti i Flamurtarit nuk ka harruar të lëshojë “shigjeta” edhe në adresë të Moçkës dhe Dushkut që, sipas tij, e lanë ekipin në baltë. “Për mendimin tim, mungesa më e madhe ka qenë Mici. Mendoj se në këtë triumf të madh meritë të madhe kanë të gjithë, edhe Moçka me Dushkun, që e lanë skuadrën në baltë. Ky trofe nuk është i imi, por duhet të ishte i tyre. Mendoj se pas kësaj ndeshjeje, ata morën një përgjigje”, përfundoi Gjika.
Gjoka: Zoti na shpërbleu, tani duhen dy blerje
Do hyjë në historinë e klubit të Flamurtarit, edhe pse gjatë gjithë sezonit iu desh të përballej me një presion të jashtëzakonshëm. Ernest Gjoka do të mbahet mend te klubi vlonjat si trajneri që e shpëtoi ekipin nga rënia në kategori, i dha një trofe të rëndësishëm skuadrës dhe e ndihmoi atë që të shkonte në kupat e Europës. E gjitha kjo, në një sezon tejet të vështirë të klubit vlonjat. “Është kënaqësi e madhe dhe një lumturi e pamasë. Ka qenë një vit shumë i vështirë, për shkak të mënyrës se si nisi edicioni, por edhe gjatë tij. Kemi pasur vështirësi edhe sot (dje) në finale, por ne ia dolëm sepse kemi shumë personalitet dhe dinjitet, – deklaroi Gjoka. – Kur ka dallgë shpesh, mësohesh që të ruash ekuilibrin, edhe pse nuk ishte e lehtë. Ky vit ka qenë seriozisht shumë i vështirë. Nuk e keni idenë se çfarë kemi hequr, por Zoti na e shpërbleu”. Më tej, trajneri ka pranuar se skuadra e tij ka nevojë për disa ndërhyrje në merkato në mënyrë që të paraqitet si duhet në Kupat e Europës. “Kemi nevojë për një ose dy blerje të reja. Por kjo varet nga strategjia, nga donatori apo nga presidenti i ardhshëm. Unë mendoj se Flamurtari i ka kapacitetet për të qenë dinjitoz edhe në arenën ndërkombëtare”, vijoi trajneri i vlonjatëve.
Dedikimi Gjoka ka shprehur një dedikim për bashkëshorten dhe vajzën e tij, pasi, sipas tij, janë dy personat që e kanë mbështetur në momentet më të vështira të këtij sezoni. “Tensionin dhe presionin e kanë kaluar me mua vajza dhe nusja ime, ndaj edhe ky sukses u dedikohet atyre”, u shpreh trajneri vlonjat për “Supersport”. Më tej ai deklaroi se nuk ka qenë e lehtë të tregoheshin të matur, sepse shpeshherë skuadra vlonjate është penalizuar edhe për shkak të nervozizmit të momentit. “Menaxhuam shumë mirë gjithë tensionin që rrethonte këtë ndeshje. Telushit, por edhe disa lojtarëve të tjetër, ua bëra të qartë se nuk do kishte kurrfarë nervozizmi në këtë ndeshje dhe ata u treguan profesionistë”, tha Gjoka.
Një lojtar pa vese dhe familjar. Ësh të ky Arbër Abilaliaj. Sulmuesi, i cili i dha Kupën e Shqipërisë Flamurtarit, në një rrëfim special për “Panorama Sport” tregon gjithçka për jetën e një heroi. E cilëson këtë si sezonin më të mirë të karrierës së tij. Pas dëmtimit që e la me paterica për disa muaj, u rikthye frikshëm, duke qenë edhe golashënuesi i kuqezinjve.
Arbër, si është të jesh hero i Flamurtarit?
Fjala “hero” është pak e madhe, gjithsesi nuk mund ta mohoj se ndihem mrekullisht mirë. Të fitosh kupë me Flamurtarin, e sidomos kur je vlonjat, emocionet shumëfishohen. Më mungonte ky trofe, ndaj po e shijoj pa masë. Jam tejet i lumtur.
Komentet dhe urimet kundrejt jush kanë qenë të shumta pas kësaj finaleje, por kush të ka goditur më tepër?
Urime kam marrë shumë, por ajo që ndjeva në momentin kur një stadium i tërë nisi të thërriste emrin tim, më rrëqethi. I falënderoj ata tifozë që më dhuruan këto emocione.
Ka qenë një sezon i vështirë për ju, por nga janari shpërthyet. Çfarë ndodhi?
Kalova dëmtimin dhe më pas gjeta mbështetjen dhe përkrahjen e të gjithëve. Kjo më krijoi qetësinë dhe solli rezultate.
Është ky sezoni më i mirë që keni bërë gjatë karrierës?
Në Shqipëri po e po, por edhe jashtë. Ky ishte viti im, uroj që të vazhdoj gjatë.
Ju skadon kontrata, a prisni ofertë për rinovimin?
Dëshira ekziston, por të shohim. Jo çdo gjë do të jetë në dorën time.
Çfarë bëtë përpara se të zbrisnit në fushë sot (dje)?
Bisedat e zakonshme me mikun tim Zeqirin. Asgjë të veçantë, as u fala e as u luta. Si edhe fola me mamanë time.
Çfarë ju tha?
Në fakt, ka mbi një muaj që më thotë me siguri të plotë se do ta fitojmë ne këtë trofe. Dhe kur fjalët vijnë prej saj, unë e di që do të dalin.
Po golin a e parashikoi?
Jo, këtë jo. Por që do fitonim kupën po. Kaq mjaftoi.
Keni ndërruar rolet me Hairin, ai ishte heroi i 2009-s…
Po, ne shijojmë suksesin e njëri-tjetrit. Por Hairi edhe sot bëri një ndeshje shumë të mirë, edhe pse unë shënova (qesh).
Kush është Abilaliaj përtej fushës?
Një njeri normal, pa vese mund të them. Shijoj jetën.
Pas kupës, do ta tejkaloni me alkoolin apo ndonjë cigare?
Nuk kam ndonjë marrëdhënie të mirë me to.
Ke menduar të bësh ndonjë çmenduri pas këtij suksesi?
Jo, vetëm dua të pushoj. Shpresoj të pushoj me miqtë e mi.
Cili është ushqimi i preferuar i një heroi?
Konsumoj çdo gjë të shëndetshme që më shijon. Nuk kam naze për fat.
Ka ndonjë dedikim Arbri për golin, këtu i referohemi ndonjë personi special?
Mamasë dhe motrës. Janë pikërisht ato që më suportuan në ditët e mia më të vështira, kur unë isha me paterica. Janë forca ime.
Veliu: Ky trofe për të gjithë skeptikët
Kapiteni i Flamurtarit, Franc Veliu ishte një prej më të mirëve në fushë në sfidën e djeshme ndaj Kukësit. Pas përfundimit të sfidës, mbrojtësi vlonjat u shpreh: “Për mua, ky trofe është një festë e dyfishtë, pasi fillimisht e kam fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë në 2009-n, por këtë herë jam kapiten i Flamurtarit. Ndeshjen e kishim përgatitur maksimalisht dhe në këtë mënyrë u shpërblyem. Ky trofe i shkon të gjithë atyre skeptikëve të Flamurtarit dhe sigurisht të gjithë tifozëve vlonjatë që na kanë mbështetur maksimalisht dhe kanë krijuar një atmosferë spektakolare”. Gjatë javëve të fundit dhe në prag të finales është përfolur për aleanca të mundshme në lidhje me ekipet që shkojnë në Europë. Në lidhje me këtë çështje, Veliu ka deklaruar: “Futbolli nuk duhet të ketë kurrsesi aleanca. Për sa i përket të ardhmes, unë kam qenë gjithmonë te Flamurtari dhe do të vazhdoj të jem me këtë ekip. Ju garantoj se kjo skuadër do të jetë e madhe”, – përfundon prononcimin e tij kapiteni Veliu.
Zeqiri me De Biazin: E mirëpres një ftesë
Hair Zeqiri ka bërë një paraqitje të mirë në finalen e djeshme ndaj Kukësit. Mesfushori i Flamurtarit, pas ndeshjes, është takuar dhe ka biseduar për disa minuta me trajnerin e Kombëtares, Xhani de Biazi. Në fund të finales, Zeqiri deklaroi: “Trajneri De Biazi më uroi për fitoren edhe për faktin se trofeu shkoi në Vlorë. Më tha që ishte një ndeshje e bukur dhe më përgëzoi”. E pret një ftesë në Kombëtare? “Sigurisht, nëse do të vijë, do ta mirëpres. Fanella e Shqipërisë është e rëndë dhe ka përgjegjësi njëkohësisht”. Zeqiri vazhdon më tej: “Për sa i përket këtij sezoni, ishte një vit me shumë probleme dhe luhatje, por fitimi i këtij trofeu është mbyllja më e mirë e mundshme për këtë kampionat. Jemi shumë të lumtur që fituam këtë trofe. Tani dua të shijoj pushimet, pasi ishte një sezon i lodhshëm dhe më pas do të flasim për të ardhmen. Na është thënë se ka një projekt serioz për kampionatin e ardhshëm dhe nëse gjërat do të shkojnë mirë, do të qëndroj me këtë skuadër”.
“Erdha për Europën, dhe ia dolëm”
Gilman Lika, pas ndeshjes, u shpreh i lumtur për fitimin e këtij trofeu. “Ky ishte viti im i parë me Flamurtarin, ndaj suksesi më shijon dyfish. Erdha në Vlorë pasi e dija që do të shkonim në Kupat e Europës, por e kisha parashikuar se do t’ia dilnim nga kampionati. Megjithatë, ne sot (dje) fituam kupën dhe premë një biletë për kupat europiane. Dhe kjo është arritje. Momenti më i vështirë për mua në Vlorë ishte kur dolëm nga objektivat dhe rrezikonim seriozisht mbijetesën. Por me këtë kupë, u harrua. Dëshira për të qëndruar, ekziston, por kontrata mbaron. Ndaj fillimisht më duhet që të flas me drejtuesit dhe nëse projekti për vitin tjetër do të jetë bindës, edhe mund të rinovoj”, – tha fillimisht mesfushori. Më tej, lojtari tregon se emocionet më të mëdha t’i dhuron fitimi i një kupe nga ekipi i qytetit, teksa kujton trofeun me Vllazninë në 2008-n. “Të shijon më shumë një kupë, kur fiton me ekipin e qytetit”, – përfundoi shkodrani i kuqezinjve.
Dushku: Suksese Flamurtarit, pak rëndësi ka çfarë thotë
Gjika Ish-mbrojtësi i Flamurtarit, Erjon Dushku, nuk ka dashur të bëjë replikë me presidentin e klubit, Shpëtim Gjika. Ky i fundit deklaroi dje se Dushku me Moçkën e lanë në baltë skuadrën në finalen e kupës, por futbollisti lezhjan është treguar diplomat. “Ky është një trofe, të cilin vlonjatët e meritojnë, sepse skuadra ka sakrifikuar shumë dhe tifozët gjithashtu janë treguar në lartësinë e duhur. Nuk mund të njolloset një ditë si kjo nga një replikë mes një lojtari dhe një presidenti. Sot (dje) nuk kanë rëndësi akuzat, por arritja që bëri skuadra e Flamurtarit dhe unë ju uroj shumë suksese dhe jam po aq i lumtur sa edhe ata për këtë arritje”, – deklaroi Dushku dje në mbrëmje për “Panorama Sport”. Dukej qartë që futbollisti lezhjan ka mbetur keq nga akuzat në distancë të Gjikës, por nuk ka dashur kurrsesi të prishë ftesën vlonjate. “Nuk ka rëndësi se çfarë thotë Gjika në një ditë si kjo. Rëndësi ka që tifozët morën atë që prisnin prej një viti të tërë. Ata kanë vuajtur po aq sa edhe skuadra. Unë do të flas në momentin e duhur, jo në një ditë si kjo”, – u shpreh Dushku. Zyrtarisht klubi i Flamurtarit deklaroi se Dushku ishte i dëmtuar, por në fakt gazeta pati lajmëruar për një krisje mes tij dhe klubit vlonjat. Ndërkaq, portieri Moçka nuk ka dashur të prononcohet në lidhje me këtë.
“Gjyqtari i njëanshëm, na penalizoi”
Pas ndeshjes së djeshme, drejtori teknik i Kukësit, Edmond Gëzdari, u shpreh: “Ai që merr kupën, më pas nuk ka më rëndësi se kush e meriton. Për sa i përket lojës, mendoj se nuk duhej ta humbnim këtë takim. Kemi shpërdoruar pesë raste të pastra për gol, ndërsa Flamurtari erdhi vetëm një herë në portën tonë dhe shënoi. Historia e futbollit dhe finalet janë të tilla, ti mund të bësh lojën, ndërsa ekipi tjetër mund të fitojë. Na duhej edhe një ndihmë nga Zoti që të paktën të barazonim dhe më pas të shpresonim deri në fund”. Ndikoi gjykimi në këtë sfidë? “Ishte gjykim i njëanshëm. U bënë 50 faulle nga ana jonë dhe nga ana e Flamurtarit dhe mos harroni se në ndërhyrjet pas shpine ne u ndëshkuam me kartonë të verdhë, ndërsa kundërshtarët jo. Ju e patë pjesën e dytë ku lojtarët më shumë kanë qëndruar në tokë dhe në fund akordohen vetëm tri minuta shtesë. Ju do thoni që kjo është pak, por nuk më duket kështu. Arbitri kishte si qëllim që t’i jepte një dorë Flamurtarit dhe mendoj se mirë bëri, pasi edhe ata kanë nevojë të dalin në Europë dhe ky nuk është ndonjë qamet i madh”. Sa i takon të ardhmes, Gëzdari deklaroi: “Duhet të bëjmë disa përmirësime në skuadër. Kemi një ekip të lodhur pasi ka një vit që nuk bën pushime. Për sa i përket afrimeve, kemi bërë gati projektin dhe kemi piketuar lojtarët. Duhet të rikthehemi më të fortë. Tani duhet ta hedhim mbrapa këtë histori”.
Starova nën tension, ikën nga stadiumi
Trajneri i Kukësit, Sulejman Starova, e ka përjetuar në mënyrën më të keqe të mundshme humbjen e djeshme të finales së Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit. Thuajse gjatë të gjithë takimit, tekniku ka qenë i tensionuar dhe vendoste duart në kokë në çdo moment që futbollistët e tij humbisnin raste në fushë. Në shumë raste, arbitri i katërt, Bardhyl Pashaj është detyruar të ndërhyjë për t’i treguar vijat kufizuese trajnerit kuksian. Pas ceremonisë së dorëzimit të Kupës, Starova është larguar menjëherë nga stadiumi duke mos pranuar të flasë për mediat. Me humbjen e djeshme, lëkunden pozitat e trajnerit në krye të pankinës së Kukësit. Priten zhvillime në ditët në vazhdim.
Hoxha: Na mungoi fati në këtë finale
Pas ndeshjes së djeshme, sulmuesi i Kukësit, Ylli Hoxha, u shpreh: “Mendoj se na mungoi fati në këtë sfidë. Bëmë një lojë të mirë dhe krijuam raste. Por, fati dhe mungesa e konkretizimit të rasteve që na u paraqitën, bënë që të humbasim. Megjithatë, ndihem krenar që jam pjesë e kësaj skuadre, pasi për dy sezone radhazi jemi shpallur nënkampionë. I tillë është futbolli. Tani ta harrojmë këtë sfidë dhe të mendojmë për Kupat e Europës”, – përfundon prononcimin e tij, sulmuesi i skuadrës kuksiane, Ylli Hoxha. Futbollisti bëri një paraqitje shumë të mirë në takimin e djeshëm, por pa arritur të shënojë. Megjithëse Kukësi nuk arriti që ta fitonte Kupën, skuadra e ka siguruar pjesëmarrjen në Europë pasi është renditur në vendin e 2-të në klasifikim.
Përplasje dhe gjakosje, tifozët “pushtojnë” fushën
Organizime, grumbullime, qindra thirrje dhe dhjetëra autobusë. Të dyja tifozëritë, ajo e Flamurtarit dhe e Kukësit kanë nisur të mbushin shkallët e “Qemal Stafa”-s një orë përpara startit të finales. Në fillim gjithçka duket “fair-play”, madje tifozët e të dy ekipeve ndodhen shumë pranë me njëra-tjetrën dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Dekori që kanë rezervuar, është fantastik dhe shpalosin banderolat dhe hedhin fishekzjarrët kur në fushë starton finalja. Mirëpo, kur Flamurtari shënon, tensioni te kuksianët fillon të rritet. Fillimisht, ata thuajse kontestojnë të gjitha vendimet e arbitrit dhe nisin sharjet në kor ndaj tij, por nuk kursejnë as vlonjatët. Tensioni në pjesën e dytë është edhe më i madh dhe tifozët e Kukësit hedhin disa herë shishe me ujë dhe sende të forta në fushë, aq sa në dy momente, arbitri kryesor Jorgji detyrohet t’i thotë kapitenit kuksian, Rrahman Hallaçi, që të qetësojë mbështetësit. Mirëpo, kulmi arrin në minutat e fundit të sfidës, kur vlonjatët kundërpërgjigjen, duke goditur me stola plastikë nga tribuna disa tifozë kuksianë jashtë stadiumit, të cilët pak shpresonin se rezultati mund të ndryshonte në fund. Megjithatë, situata bëhet edhe më e vështirë, pasi kuksianët fillojnë të godasin me gurë në drejtim të vlonjatëve duke gjakosur disa tifozë. Këta të fundit vrapojnë menjëherë te pankina e Flamurtarit dhe marrin ndihmën e parë nga mjeku i vlonjatëve. Gjithsesi, këto incidente nuk i ndalin tifozët e Flamurtarit, të cilët, përpara se të akordohej trofeu, pushtojnë fushën e “Qemal Stafa”-s duke vrapuar drejt heronjve të tyre. Ata hedhin në ajër trajnerin dhe lojtarët. Është dashur ndërhyrja e policisë private dhe forcave të rendit për të zmbrapsur turmën e madhe të tifozëve vlonjatë, që të krijohej hapësira për të dhënë trofeun.
Kryeministri Rama: Urime për Vlorën!
Fitimi i Kupës së Shqipërisë nga Flamurtari duket se ka kënaqur edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili është njëkohësisht edhe deputet i Qarkut të Vlorës. Pas përfundimit të ndeshjes së djeshme, në një status në profilin e tij në “Facebook”, kreu i qeverisë shqiptare ka uruar Flamurtarin për këtë trofe. Në një kohë që një pjesë të statusit të tij, kryeministri ia ka kushtuar edhe deputetit Erion Braçe për 102 pikët e Juventusit duke qenë se deputeti është tifoz i skuadrës italiane. “Flamurtari në Kupat e Europës si fitimtar i Kupës së Republikës, urime nga zemra Vlorës (urime dhe Erion Braçes për 102 pikët e Juves:-)”, shkruan në statusin e tij Kryeministri i Shqipërisë. Rama njihet si një ndjekës i rregullt i futbollit.
Histori dhe Europë, finalja mbyll sezonin
Futbolli shqiptar mbylli sot sezonin me një finale milionash mes historisë dhe Europës. Kompeticioni i Kupës së Shqipërisë vendoste për herë të parë përballë njëri-tjetrit Kukësin dhe Flamurtarin. Për klubin verior, kjo ndeshje ishte historike, jo vetëm për faktin se e kishte për herë të parë që luante një finale kupe, por më së shumti se deri më tani nuk kishte arritur të fitonte asnjë trofe në elitën e futbollit shqiptar. Kjo “tabu” ka mbetur e pandryshuar edhe kësaj here, sepse fati dhe loja u ka buzëqeshur me meritë vlonjatëve. Me vetëm dy vite histori në futbollin e madh, Kukësi dështoi ndaj Flamurtarit të traditave, që di se si fitohet Kupa e Shqipërisë. Vlonjatët e bënë të tyre për herë të katërt këtë trofe. Për herë të fundit e kishin fituar në vitin 2009, në finalen kundër Tiranës. Pas një kampionati me shumë vuajtje dhe dilema për qëndrimin në Superiore, Flamurtari shpëtoi sezonin ndaj një Kukësi që luante për të shkruar historinë në Librin e Artë të Kupës së Shqipërisë. Veriorët ishin më të qetë në letër, por u shfaqën më konfuzë e të tensionuar në fushën e blertë, sidomos në gjysmëorën e fundit të lojës. Ata kishin luksin e mbylljes së kampionatit në vendin e dytë, cka do të thoshte se e kishin siguruar automatikisht pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Nga ana tjetër, kuqezinjtë pasi mbijetuan në Superiore, kishin shansin e fundit për t’i bërë një mbyllje të bukur sezonit, ashtu sikurse ndodhi në “Qemal Stafa”, dhe për më tepër do të marrin pjesë në Ligën e Europës. Si për koincidencë, edhe në vitin 2009, Flamurtari luftonte për mbijetesë në Superiore, por fitoi Kupën e Shqipërisë. Të dyja klubet kanë lojtarë me peshë në përbërje, madje të mirëpaguar. Investimi që ka bërë Kukësi për këtë sezon i kalon të 1 milion eurot, ndërsa pas vështirësive financiare në verën e vitit të kaluar, edhe te Flamurtari situata është rikthyer e shëndoshë.
Vlonjatët, 100 milionë lekë premio
Klubi i Flamurtarit kishte premtuar 100 milionë lekë të vjetër premio në rast se skuadra fitonte Kupën e Shqipërisë. Lojtarët kuqezinj dje arritën ta bënin të tyre trofeun dhe tashmë presin që të marrin shpërblimin. Burime në klubin vlonjat bëjnë të ditur se ata që u aktivizuan si titullarë ndaj Kukësit pritet të përfitojnë mbi 5 milionë lekë të vjetra secili. Por, nga shuma prej 100 milionë lekësh do të përfitojë edhe i gjithë stafi i skuadrës kuqezi. Kjo premio me të tilla shifra është më e madhja e vendosur ndonjëherë nga një klub shqiptar sa i përket kompeticionit të Kupës. Ndërkohë, FSHF-ja për skuadrën fituese do të japë një shpërblim prej 50 milionë lekësh të vjetër.
Lena – Një batutë për premion bëri dje pas ndeshjes mesfushori Nijaz Lena. I pyetur nga “Supersport”, ai deklaroi: “Ndoshta shpërblimin nuk e marrim sot, por jam i bindur se do të na e japin pas dy-tri ditëve”. Në lidhje me ndeshjen, titullari i Flamurtarit shtoi: “Ky trofe u dedikohet tifozëve. Ishte ndeshja jonë më e mirë e këtij sezoni. Kukësi ishte pak nën presion, ndërsa ne nuk kishim çfarë të humbnim. Mendoj se e merituam plotësisht”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"