Flamurtari zyrtarizon Oshafin dhe Hasën, administratori pëlqen rikthimin e sulmuesit vlonjat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2024 | 11:56

Flamurtari zyrtarizon Oshafin dhe Hasën, administratori pëlqen rikthimin e sulmuesit vlonjat

Flamurtari ka zyrtarizuar afrimin e tretë në merkaton e verës, Aldrit Oshafin. 24-vjeçari nga Berati ka zbarkuar në Vlorë ku edhe ka nënshkruar zyrtarisht kontratën dhe më pas është prezantuar me fanellën kuqezi.

aldrit oshafi flamurtari

Oshafi është një lojtar me eksperiencë dhe me afrimin e tij në Vlorë, do të ishte një zgjidhje e mirë për mesin e fushës dhe për sulmin. Aldrit Oshafi e ka filluar karrierën e tij si futbollist me moshat e Tomorit për të kaluar te skuadra e parë në vitin 2014. Oshafi ka luajtur më parë për disa klube të rëndësishme në vend dhe është njohës i mirë i kampionatit. Ai ka pasur eksperienca te Besa, Luftëtari dhe Teuta. Në sezonin 2023-2024 ka provuar një eksperiencë në Kosovë, ku ka luajtur për Malishevën. Nga janari i këtij viti dhe deri tani është aktivizuar me Tomorin duke u rikthyer në vendlindje.

Ardit Hoxhaj

HOXHAJ – Flamurtari kërkon të rikthejë Ardit Hoxhajn. Emri i sulmuesit vlonjat u përfol në Vlorë edhe sezonin e shkuar, por nuk u arrit të realizohej dhe 29-vjeçari zgjodhi Elbasanin. Hoxhaj pëlqehet nga vetë administratori Sinan Idrizi. Ai është një lojtar me eksperiencë, pasi ka luajtur në shumë skuadra. E ka nisur në akademinë vlonjate dhe kontributin e tij e ka dhënë edhe në ekipe të tjera si Bylis, Skënderbeu, Korabi, Luftëtari, Ferizaj në Kosovë, Vllaznia dhe Elbasani. Me këtë të fundit u shpall kampion i Kategorisë së Parë dhe skuadra u ngjit në Superiore. Vlonjatët shpresojnë dhe besojnë se kësaj here do të arrihet që Hoxhaj të rikthehet në shtëpi. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte hera e katërt që ai kthehet te kuqezinjtë. 2019-2020 është sezoni i fundit që Hoxhaj luajti me Flamurtarin.

fabio hasa me djalin e Idrizit

RINOVIMET – Fjoralb Deliaj ka qenë lojtari i parë që klubi ka kontaktuar për të rinovuar. Mësohet se dje, Deliaj është kontaktuar nga Artim Pollozhani që i ka konfirmuar se është në planet e klubit. Fabjan Beqja është një tjetër lojtar, të cilit i është ofruar rinovimi. Drejtuesit duket se janë të kënaqur me punën që Beqja ka bërë sezonin e shkuar dhe kanë vendosur që ta vazhdojnë bashkëpunimin. Rinovimi i kontratës është mbyllur me Fabio Hasën. 27-vjeçari nga Tirana do të vijojë në Vlorë të japë kontributin e tij sezonin që vjen për ngjitjen në elitë dhe dje klubi ka bërë zyrtare rinovimin e kontratës.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"