Flik i ka idetë e qarta: Na duhet një lojtar që bën diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 21:54

Flik i ka idetë e qarta: Na duhet një lojtar që bën diferencën

Pasion dhe përkushtim, janë këto dy fjalët që trajneri i ri i Barcelonës, Hansi Flik ka përdorur më shumë në një intervistë, e cila do të transmetohet sot, për mediat zyrtare të klubit.

flik

Trajneri është shprehur i kënaqur me dashurinë dhe respektin që të gjithë tregojnë ndaj ekipit katalanas dhe shpreson të jetë në gjendje të kontribuojë edhe më shumë për klubin. Përveç kësaj, ai është plot përgëzime për të rinjtë. Por pa harruar të shtojë presionin mbi presidentin Laporta për të sjellë në ekip një lojtar në gjendje të bëjë diferencën.

“Ne duhet të sjellim një lojtar që mund të fitojë ndeshje, një lojtar që bën diferencën. Por gjithashtu kemi edhe futbollistë të rinj të cilët duhet t’i ndihmojmë që të përmirësohen”, shpjegoi ai. “Kam ndjerë që nga dita e parë pasionin që ka te njerëzit, te tifozët, te të gjithë, presidenti. Të gjithë këtu kanë pasion për Barçën. Përkushtimin për të dhënë më të mirën për këtë klub. Dhe kjo është gjithashtu diçka e rëndësishme dhe për ne, sepse ne duam të jemi pjesë e këtij entiteti dhe të jetojmë këtë pasion dhe këtë përkushtim, duam të japim gjithçka që kemi për ta çuar këtë klub në një nivel tjetër”, shtoi trajneri gjerman.

Hansi Flik ka shpjeguar nga ana tjetër se gjithmonë ka pasur si shembull institucionin katalanas kur ka nisur karrierën e tij si trajner. “Kur vendosa të bëhem trajner, shikoja Barcelonën, sepse ata luanin futboll fantastik. Mund të shihni se si i zhvillojnë lojtarët. Të gjithë flasin për këtë”, nënvizon ai. Ish-trajneri i Bajernit pohon se është shumë i lumtur së bashku me të gjithë stafin e tij që ka nisur këtë aventurë te Barcelona. “Është e pabesueshme ajo që po përjetojmë. Të gjithë tregojnë respekt”, tha ai. Hansi Flik është i kënaqur me klubin, me cilësinë e lojtarëve dhe vë në pah, mbi të gjitha, lojtarët e rinj.

TË RINJTË – “Ajo që pashë në seancën e parë stërvitore është e pabesueshme. Më duhet të falënderoj ‘La Masia’ (akademia e Barcelonës) sepse mënyra se si i zhvillon lojtarët është e pabesueshme. Cilësia që ata na japin është vërtet e shkëlqyer. Normalisht kur lojtarët ndërkombëtarë ose me përvojë janë jashtë dhe afrohen lojtarët e rinj, cilësia bie pak, por kjo nuk ndodh këtu te Barça. Është shumë bukur të shohësh se si ata përmirësohen, unë u thashë atyre dua cilësi, intensitet dhe përqendrim në çdo seancë dhe përgjigja e tyre ka qenë e mrekullueshme”, a shtuar Flik.

RAPORTI ME DEKON – Hansi Flik ka folur edhe për marrëdhëniet e mira që ka me drejtorin sportiv të Barcelonës, Deko. “Kam një lidhje shumë të mirë me Dekon. Ai po bën një punë fantastike dhe jam i lumtur. Ne duam të rrisim cilësinë e ekipit dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, shpjegoi ai. Nuk duhet të harrojmë se klubi i Barçës ka dy objektiva të qarta dhe ambicioze në këtë merkato: Dani Olmo dhe Niko Uilliams.

FILOZOFIA E LOJËS – Trajneri ka treguar gjithashtu se si dëshiron që skuadra e tij të luajë në sezonin e ardhshëm. “Ne duam të jemi gjithmonë aktivë, kjo është shumë e rëndësishme, të veprojmë kur e kemi topin. Ne do të synojmë t’i drejtojmë rivalët në drejtimin e duhur ku duam ne të jenë, në mënyrë që të mundemi të fitojmë sa më shpejt topin. Me të fituar topin, do të kemi mundësi të ndodhemi në situata të avantazhuara”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"