FORMACIONI I MUNDSHËM/ Prova e madhe e Partizanit në Champions, ja si pritet të rreshtohen skuadrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2023 | 9:14

FORMACIONI I MUNDSHËM/ Prova e madhe e Partizanit në Champions, ja si pritet të rreshtohen skuadrat

Partizani është gati për BATE Borisovin, ky ishte sinjali që u dha ditën e djeshme, me të kuqtë, që në fytyrat e tyre tregonin gatishmërinë dhe dukej sikur mezi e prisnin përballjen. Megjithatë, nuk është aspak një mision i lehtë, madje mund të konsiderohet si shumë i vështirë, pasi në anën tjetër është një rival i panjohur dhe me eksperiencë gjigante në Europë.

Partizani-Bate-Borisov

Skuadra e kuqe dje në mbrëmje, në stadiumin “Air Albania” zhvilloi stërvitjen e fundit përpara përballjes së sotme të orës 20:45 ndaj bjellorusëve, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Champions League. Skuadra kishte zbarkuar në fushë përpara trajnerit Zekiç dhe ishte ndarë në grupe, duke aplikuar kuadratet, më shumë me qëllim argëtimin dhe nxehjen e muskujve. Pas mbërritjes, Zekiç me një kapele në kokë u vendos në gjysmë të fushës dhe e mblodhi skuadrën rreth vetes, duke kryer ushtrime me topin në këmbë.

Trajneri kërkonte ta motivonte sa më shumë skuadrën dhe nuk munguan as tonet e larta, në momente kur lojtarët dukeshin disi “të zbutur” në veprimet e tyre. Nga tribuna kryesore me vëmendje ndiqnin drejtuesit e Partizanit, mes të cilëve edhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama. Presidenti Demi nuk kishte preferuar ta shihte stërvitjen e fundit, ndoshta edhe për të mos vënë skuadrën nën presion. Prej faktit se Zekiçin nuk e kemi parë ta rreshtojë skuadrën në asnjë ndeshje zyrtare, formacioni i sfidës së sotme është një ekuacion i vështirë për t’u deshifruar. Gjithsesi, duke parë atë që ka bërë në miqësore dhe mënyrën se si e ka vendosur skuadrën, mund të parashikojmë një skemë 4- 3-3 me orientim difensiv.

Në portë Qirko pritet të bëjë debutimin, teksa në mbrojtje me shumë mundësi do të kemi emrat që mbyllën edhe kampionatin. Telushi dhe Sota priten në qendër dhe në krahë me shumë mundësi do të luajnë Hadroj dhe Atanaskoski. Në mesfushë dilema është mesfushori difensiv. Mehmeti është lojtari i vetëm me tipare të tilla, por në ditët e fundit ka shfaqur probleme fizike. Megjithatë, prej dy ditësh ai stërvitet normalisht dhe shanset janë të mëdha që të luajë si titullar. Dy partnerët e tjerë pritet të jenë Murataj dhe Rrapaj.

Në sulm dilema e madhe quhet Eros Grezda, i cili ende nuk ka ardhur në gjendje të plotë fizike dhe kjo e bën trajnerin të mendohet për aktivizimin e tij nga minuta e parë. Da Silva dhe Mba duken të sigurt në 11-she. Duke u bazuar edhe në deklaratën e Zekiçit, sot presim një Partizan të vendosur mirë pas dhe duke ia lënë individëve misionin e sulmit. Ndërkohë, edhe BATE Borisov pritet të luajë me një formacion 4-3-3, të ngjashëm me atë ndaj Shaktar Soligorsk në kampionat në sfidën e fundit.

PARTIZANI: QIRKO, HADROJ, TELUSHI, SOTA, ATANASKOSKI, RRAPAJ, MEMETI, MURATAJ, DA SILVA, MBA, CARA (GREZDA)
TRAJNER: ZORAN ZEKIÇ

BATE: DERGAÇEV, ANTILEVSKI, VOLKOV, BANE, JIMOH, GREÇIKO, GROMIKO, BOÇAROV, KONTSEVOJ, MALKEVIÇ, DOSTANIÇ
TRAJNERI: KIRILL ALSHEVSKI

partizani bate

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"