Formacioni, “Kombëtarja” e Kategorisë Superiore
Që të jesh një lojtar në listën e më të mirëve, nuk mjafton të luash në skuadrën kampione. Nuk mjafton as të kesh më shumë minuta në këmbë, apo të jesh shquar në disa ndeshje të fundit, duhet që të kesh pasur një konstante të vazhdueshme, gjatë gjithë sezonit, kjo e verifikuar javë pas jave nga analiza e bërë nga “Panorama Sport”. Shumëkush nga analistët e fundit, apo tifozët e shumtë do të kishin një mendim më ndryshe në lidhje me formacionin më të mirë të sezonit që sapo u mbyll. Ndoshta, në pozicione të caktuara, do të preferonin lojtarë të tjerë, më të dëgjuar (mediatikë), por statistikat nuk të lënë të gabosh. Kështu, duke marrë një për një të gjitha javët e kampionatit, duke nxjerrë të gjitha formacionet më të mira dhe natyrisht duke i ndarë lojtarët sipas roleve, 11-a më e mirë nis nga porta me Vujadinoviçin e Vllaznisë dhe përfundon me kryegolashënuesin e Skënderbeut, Pero Pejiç.
Porta – Në krye të listës së portierëve qëndron Vujadinoviçi i Vllaznisë, teksa ka qenë 4 herë në formacionin më të mirë. Pas tij vijnë Shehi (Skënderbeu), Moçka (Flamurtari), Frashëri (Bylis), Bejte (Besa) dhe A. Hoxha (Partizani).
Mbrojtës i djathtë – Në këtë kategori, triumfues del Çarlsi i Laçit, 4 herë i nominuar në formacion. Mbrojtësi ka bërë një edicion shumë të mirë, ndërsa pas tij vjen Radas i Skënderbeut dhe Smajli i Kukësit.
Mbrojtës qendre i djathtë – Këtu i padiskutueshëm është kosovari i Besës së Kavajës, Bajram Jashanica. Ky mund të konsiderohet edhe si një surprizë, duke qenë se nuk njihej thuajse fare deri në fund të vitit.
Mbrojtës qendre i majtë – Këtu ka pasur një luftë të fortë mes Gentian Muçës së Tiranës dhe Amir Rrahmanit të Partizanit. Që të dy kanë bërë një edicion të mirë, por lojtari i bardhebluve del paksa favorit edhe për shkak të eksperiencës.
Mbrojtës i majtë – Nuk njeh rivalë në këtë kategori, Renato Arapi, i cili ka qenë vendimtar edhe me tre gola të shënuar.
Mesfushor shkatërrues – Idriz Batha i Besës fillimisht dhe më pas i Teutës bën diferencën, karshi Alsid Tafilit të Vllaznisë, të cilët lënë pas Karabecin e Tiranës.
Mesfushor i djathtë – I padiskutueshëm mbetet Alsid Kruja i Vllaznisë, i cili lë pas Nikën (Teuta) dhe Nimanin (Laçi).
Mesfushor i majtë – Në këtë kategori imponohet Trashi i Lushnjës, duke lënë pas Mazrekajn e Partizanit.
Mesfushor organizator – Vucaj i Laçit është kokë më kokë me Zeqirin e Flamurtarit, të cilët lënë pas kapitenin e kampionëve, Shkëmbin.
Sulmi – Dyshja Cikalleshi- Pejiç janë absolutisht më të votuarit, më të mirët, pikërisht sepse janë ata që shënuan edhe më shumë gola.
TRAJNERI – Mirel Josa (Skënderbeu) 50-vjeç, 18 fitore, 7 barazime dhe 8 humbje. Karriera: Zv/trajner i Kombëtares, Tirana, Vllaznia, Skënderbeu, Elbasani, Teuta, Shkumbini.