Formacioni, Progni mban “peng” korçarët, lojtari vijon të përgatitet i diferencuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2015 | 12:03

Formacioni, Progni mban “peng” korçarët, lojtari vijon të përgatitet i diferencuar

progni

Kur mbeten vetëm dy ditë përgatitje nga ndeshja kundër Partizanit në kampin bardhekuq, e gjithë vëmendja është e përqendruar te rikuperimi në kohë i Gerhard Prognit.

Mesfushori bardhekuq ka vijuar edhe dje i diferencuar nga grupi dhe sërish ndiente dhimbje në gjurin e majtë.

Kjo situatë e lojtarit po e mban pezull gjithë stafin e skuadrës korçare rreth formacionit për sfidën ndaj Partizanit. Rikuperimi i tij do të përkthehej ndryshe në një mundësi për trajnerin Josa për të përgatitur më me qetësi formacionin. Për momentin, mund të themi se gjendja e lojtarit po mban “peng” gjithë skemat e trajnerit Mirel Josa dhe formacionin e titullarëve kundër Partizanit.

Duke parë mungesat e sigurta të tre lojtarëve, Nimaga, Abazi dhe Vangjeli, mosprania e Prognit do të ishte e tepërt për bardhekuqtë, që do të gjendeshin zbuluar në mesin e fushës. Nga ana tjetër, Bernard Berisha është thuajse i rikuperuar, pasi problemi i tij ka qenë më i vogël se i Prognit. Të paktën, me rikuperimin e Berishës, Josa rifiton një titullar të sigurt në formacionin e tij.

Nëse Progni nuk ia del gati për zëvendë- simin e tij, është Latifi dhe Alikaj me kosovarin më të favorizuar për vetë faktin se luan si lojtar krahu. Lëvizje këto që do ta detyronin trajnerin të luante përpara me dy sulmues të deklaruar, Stojkov dhe Martins, duke u mbështetur në formacionin 4-4-2.

Kalendari

Në tre takimet e radhës Skënderbeu do të luajë të gjithë sezonin, sfida këto që luhen në kampionat dhe në Kupë. Finalja e parë është të hënën ku në Korçë presin Partizanin. Përballë të kuqve, gabimet duhen evituar për vetë faktin se është një takim kundër një rivali direkt për titull. Pas një jave në Korçë vjen Apolonia, një tjetër përballje e nxehtë për vendësit.

Me Apoloninë, Skënderbeut i duhet patjetër një fitore për të rikuperuar sërish vendin e parë në renditje ose të paktën t’i qëndrojë afër Kukësit deri në përballjen direkte. Pas Apolonisë sërish në Korçë, bardhekuqtë do të luajnë ndeshjen e kthimit të turit gjysmëfinal të Kupës, ku duhet të zhvlerësojnë disavantazhin 1-0 të marrë në Kukës. Pavarësisht se kalendari është i ngjeshur, Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë për të dalë triumfues.

Përgatiti: LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"