FOTO / Dy kate parking nëntokësor, ndryshon projekti i stadiumit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2016 | 16:19

FOTO / Dy kate parking nëntokësor, ndryshon projekti i stadiumit të ri

Shqipëria aktualisht ka dy stadiume me parametra ndërkombëtarë të licencuar nga UEFA e FIFA jo vetëm për ndeshjet kualifikuese të Kombëtares, por edhe për zhvillimin e ndeshjeve të vlefshme për fazën e grupeve të Europa Ligës.

Mirëpo, momentalisht po punohet për ndërtimin e një tjetër impianti, gati dy herë më të madh sesa “Elbasan Arena” për nga kapaciteti, por edhe i një shkalle më të lartë komoditeti. Së fundmi, kompania projektuese e stadiumit dhe firma që po vë në zbatim projektin e ndërtimit kanë gjetur një zgjidhje edhe për problematikën e hasur për themelin e njërës prej tribunave anësore.

Stadiumi 1

Nga punimet për ndërtimin e bazamentit të stadiumit “Arena Kombëtare”

Zgjidhja

Punimet në stadiumin e ri kombëtar janë duke ecur në ritme mjaft të mira dhe brenda të gjitha pritshmërive. Në një prononcim për “Panorama Sport”, personi përgjegjës për infrastrukturën në Federatën Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, ka shpjeguar edhe ndryshimin e projektit që i ka dhënë zgjidhje kësaj problematike.

“Në themelin e tribunës anësore nga qyteti u pa e nevojshme që të përforcohej bazamenti për shkak të një problematike të hasur. Kjo kërkoi edhe nevojën për një ndryshim të projektit dhe tashmë pjesa nëntokësore do të jetë dy kate. U mendua që ta shfrytëzonim diçka të tillë, për të mos e mbushur me beton, por ta bënim dy kate parking”, ka deklaruar Dervishaj për “Panorama Sport”.

Stadiumi 2

Afatet

Sipas anëtarit të Komitetit Ekzekutiv në FSHF, ecuria e punimeve është brenda pritshmërive. Kjo pasi momentalisht nuk ka asnjë pengesë dhe problematikë për firmën e ndërtimit, e cila është duke ecur me ritme të kënaqshme. “Pritet që në fund të muajit janar apo në fillim të shkurtit të ketë përfunduar plotësisht pjesa tokësore dhe të nisë ngritja mbi tokë e impiantit”, shton Dervishaj.

Stadiumi 3

Punimet

Gazeta “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim të ndërtimeve mbi impiantin e ri që po ndërtohet në kryeqytet. Nga sa shihet edhe në foton ilustruese, në tribunën qendrore dhe atë përballë, pothuajse është përfunduar puna për ndërtimin e themeleve. Për momentin, puna është përqendruar në përfundimin e themelit edhe për tribunën anësore të pjesës nga qyteti. Kjo do të bënte që më pas të përfundonte plotësisht puna për dy katet nëntokësore që do të jenë në impiant, për të filluar më pas me ngritjen e impiantit mbi sipërfaqen e tokës.

Stadiumi 4

Firma ndërtuese është duke shfrytëzuar në maksimum kohën dhe në kantier janë të përqendruar forca të shumta punëtore. Tre vinça të mëdhenj janë ngritur mbi kantier, që përdoren për ngritjen dhe zhvendosjen e mjeteve të ndërtimit dhe materialeve të ndryshme. Moti i kthjellët ka qenë një avantazh i madh në këtë periudhë, pasi u ka dhënë mundësinë punëtorëve dhe firmës që të programojnë qetësisht dhe lehtësisht kohën e kryerjes së fazave të ndryshme në gërmimin dhe ndërtimin e themeleve.

Siç është thënë nga drejtuesit e lartë në FSHF, ky impiant është parashikuar në kontratë që të përfundojë brenda dy viteve nga dita e nisjes së punimeve, pasi në rast të kundërt janë përcaktuar edhe disa penalitete.

Stadiumi 54

Nga punimet për ndërtimin e bazamentit të stadiumit “Arena Kombëtare”

Ndërkohë, kreu i FSHF-së ka deklaruar së fundmi se institucioni që ai drejton ka bërë kërkesën në UEFA e FIFA për të qenë kandidat për të mirëpritur finalen e Superkupës së Europës që do të zhvillohet në vitin 2019. Për të bërë të mundur diçka të tillë, pikë së pari duhet të ketë përfunduar impianti brenda afateve dhe të jetë certifikuar nga UEFA e FIFA, dhe më pas të pranohet kjo kërkesë e institucionit të futbollit.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"