FOTO/ Muçi përkrah Brojës dhe Mitaj mesfushor, ja si duhet të rreshtohet Shqipëria në Europian sipas Redi Jupit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 23:53

FOTO/ Muçi përkrah Brojës dhe Mitaj mesfushor, ja si duhet të rreshtohet Shqipëria në Europian sipas Redi Jupit

Pas ndeshjeve të Kombëtares ndaj Kilit dhe Suedisë, Redi Jupi ka analizuar lojën dhe lëvizjet e Silvinjos në këto dy ndeshje. Jupi, në një intervistë për “Panorama Sport”, nuk ngurron të ndërtojë edhe formacionin ideal kuqezi, sipas tij.

jupi 1

Te Procesi Sportiv jeni shprehur se do të provonit Mitajn në qendër të mesfushës, përse e mendoni këtë lëvizje?

Po, është e vërtetë. Ishte dekoratë personale që të bësh propozime të këtij lloji, sidomos të ndryshimit të pozicionit të lojtarëve. Ky mendim nuk më erdhi nga hiçi, si ata që rrinë nëpër kafe dhe bëjnë lojë kungulleshkash, jo 3 apo 4 apo 5, pse 5 dhe jo 6. E para kjo vjen pasi Mitaj ka luajtur në atë pozicion, para mbrojtjes, me një mesfushë trekëndëshi me kulmin poshtë. Ka qenë pikërisht në atë pozicion me ekipin e tij në Rusi dhe ka bërë një performancë të mirë, një ose dy ndeshje. E dyta është eksperimenti i Ukrainës me Zinçenkon, është një mbrojtës i krahut të majtë që me kombëtaren luan si mesfushor qendre. Pse? Sepse një lojtar me një potencial aq të madh dhe një pikë pasimi aq e rëndësishme dhe me personalitetin që ai ka, Ukrainës do i bënte shumë punë aty në qendër. Zinçenkos vetë jo, e theksoj këtë. Mitajt nuk do t’i bënte punë luajtja në qendër të mesfushës sepse ai është një lojtar shumë i mirë i krahut të majtë dhe një lojtar normal në qendër, por ama ne na bën shumë punë sepse fusim një mesfushë një lojtar me kapacitet shumë të lartë teknik, një pikë pasimi, një lojtar që di të shpërndajë shumë mirë lojën dhe që di të mbrojë. Unë mendoj se bëhemi të fortë në mesfushë. Tjetra është që ne fusim dy lojtarë që nga fillimi zgjedhim një. Kemi Balliun nga e djathta dhe Hysajn dhe aktualisht luan vetëm njëri nga ata. Unë mendoj se është luks i madh të lesh jashtë formacionit një nga ata. Them Balliu nga e djathta dhe Hysaj nga e majta dhe Mitaj përpara mbrojtjes, kemi futur tre lojtarë shumë të rëndësishëm.

Nëse më lejoni t’ju pyes, cili është projeksioni juaj për titullarët nëse Shqipëria do të luante sot?

Atëherë sërish me kurajo dhe me përgjegjësi profesionale po të bëj formacionin e titullarëve. Mendoj Strakosha në portë. Nga e djathta Balliu, në qendër Gjimshiti me Kumbullën dhe nga e majta Hysaj. Në mesfushë: Përpara mbrojtjes Mitaj, qendër e djathtë Bajrami, qendër e majtë Asllani dhe pak më përpara lojtarët sulmues. Nga e majta Muçi, në qendër Broja dhe në krahun e djathtë Uzuni, i cili vërtet nuk e ka pozicion që po luan tani, por është një pozicion që ai di ta bëjë shumë mirë dhe për ato që na kërkohen ne, që duhet të mbrojmë. Mendoj se Broja është një garanci dhe lojtari mbi të cilin duhet të ndërtohet skuadra jonë. Ky është projeksioni im dhe mendimi im personal duke thënë se këta janë lojtarët më të mirë që Shqipëria ka.

formacioniii

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"