Karabeci lë shiritin, “gradohet” E.Bulku
Tirana ndryshon kapiten. Erando Karabeci i ka dorëzuar shiritin Ervin Bulkut, paraditen e djeshme, duke identifikuar në deklaratën e tij 33-vjeçarin si lojtarin e duhur për të qenë lideri i bardhebluve. Pak minuta para se të niste seanca e parë stërvitore, Karabeci i ka bërë të ditur stafit teknik dhe kolegëve të skuadrës vendimin që kishte marrë. Sipas tij, kjo ishte si një shenjë respekti për Bulkun, i cili u rikthye pas 7 vitesh tek ishskuadra e tij. Aty ai hodhi hapat e para si futbollit dhe më pas luajti nga 1998-ta deri në 2007-n. Më pas shkoi jashtë, teksa u aktivizua te Krivbas në Ukrainë (2007- 2010), Hajduk Split në Kroaci (2010-2011), AZAL Baku në Azerbajxhan (2011-2012) dhe Sepahan në Iran (2012- 2014).
Karabeci – “Mendoj se shiriti i kapitenit i takon Ervin Bulkut për shumë arsye: ai është një nga lojtarët që ka dalë nga akademia e kësaj skuadre, i respektuar nga të gjithë, por më së shumti nga tifozët. I ka dhënë jashtëzakonisht shumë ekipit duke fituar trofe të rëndësishëm dhe rikthimi i tij te Tirana më detyron në thonjëza që t’i kaloj shiritin atij, pasi moralisht Vini është kapiteni i kësaj skuadre. E kam menduar mirë këtë gjë, ndaj besoj se të gjithë këtu, përfshi edhe trajnerin, e kuptojnë gjestin tim dhe do ta miratojnë”, ka thënë Karabeci. Menjëherë pas fjalës së mesfushorit, gjithë skuadra ka shpërthyer në duartrokitje.
Bulku – Më tej ka qenë Ervin Bulku ai që ka kërkuar fjalën, ku natyrisht nuk kanë munguar falënderimet e sinqerta karshi Karabecit për gjestin dhe premtimin për një sezon triumfues. “E falënderoj sinqerisht Erandon për këtë gjest. Ndihem realisht i vlerësuar, më së shumti për mënyrën. Megjithatë dua të theksoj se në këtë skuadër nuk ka të parë dhe të dytë. Nuk ka gjeneralë dhe ushtarë. Jemi të gjithë njëlloj, duke filluar nga më i riu dhe deri te lojtari më në moshë. Jemi të gjithë këtu për të dhënë më të mirën për këtë skuadër dhe të fitojmë trofe. Për mua, më shumë sesa ky shirit, vlen respekti, të cilin dua që ta kthejmë me fitore për drejtuesit dhe sidomos për tifozët tanë të zjarrtë”, ka thënë Bulku.
Shiriti – Kujtojmë se Erando Karabeci mori shiritin e kapitenit edicionin e shkuar, pas një votimi brenda skuadrës. Duke qenë se ishmbrojtësi i bardhebluve, Elvis Sina, në perëndim të karrierës së tij, ishte më së shumti në stol, atëherë Magani preferoi një kapiten tjetër (gjithsesi, kur në fushë, ndonëse rrallëherë ishte edhe Sina, shiriti i kalonte këtij lojtari). Karabeci mori më shumë vota, duke lënë pas Takun si zv.kapiten. Tanimë, sipas hierarkisë, Bulku do jetë kapiten, ndërsa Karabeci, zëvendës i parë. Nëse në skuadër do të kthehet Afrim Taku, atëherë mesfushori do jetë zëvendëskapiteni i dytë. Në të kundërt, atëherë zëvendësi i dytë pritet të jetë qendërmbrojtësi, Gentian Muça.
“Luajta pa lekë, Tiranën s’e braktisa si të tjerët”
Mesfushori i bardhebluve, Afrim Taku, nuk ka firmosur ende kontratën e re me drejtuesit e klubit, ndaj edhe e ardhmja e tij mbetet një enigmë. Gjithsesi, i pyetur nga “Panorama Sport”, lojtari ka theksuar faktin se nga kjo skuadër nuk ka ikur kur ishte në momentet e saj më të vështira, ndaj nuk ka ndër mend që të largohet pikërisht tani që ekipi është përforcuar ndjeshëm. “Nuk kam firmosur ende kontratën e re me Tiranën. Jam në bisedime me drejtuesit e klubit sa i përket anës financiare. Për momentin nuk di të them asgjë më shumë se kaq, pasi kam lënë që të takohem sërish me z.Halili për të diskutuar”, ka thënë mesfushori në një prononcim për “Panorama Sport”. Lojtari ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga mbyllja e kampionatit, për arsye familjare dhe vetëm javën e shkuar është kthyer në Shqipëri. Kësisoj, përpara se ai të nisë një program të përshpejtuar stërvitor, për të kapur formën fizike, mesfushori kërkon të firmosë kontratën e re. Sakaq, mësohet se për momentin, Taku nuk ka biseduar me asnjë klub tjetër përveç Tiranës, kjo sipas tij për faktin se dëshiron që të qëndrojë te klubi ku është rritur si futbollist. “Unë po vazhdoj bisedimet se dua të rri këtu. Te Tirana kam luajtur edhe pa lekë, madje edhe kur të gjithë e braktisën, unë qëndrova sepse Tirana është shtëpia ime. Megjithatë do shikoj sesi do shkojnë bisedimet dhe do vendos. Kaq mund të them për momentin. Sa u përket tifozëve, i falënderoj shumë për mbështetjen që më japin vazhdimisht”, ka thënë Taku.
“Gjest fisnik, faleminderit Erandos!”
Vendimi i Erando Karabecit për t’i kaluar shiritin e kapitenit Ervin Bulkut është përshëndetur edhe nga tifozët e shumtë të Tiranës. Në komentet e djeshme në rrjetet sociale, ata kanë vlerësuar gjestin e ish-kapitenit të bardhebluve. “Na takon të falënderojmë Erando Karabecin, i cili i ka dorëzuar Ervin Bulkut shiritin e kapitenit, duke treguar për të disatën herë zemrën e tij bardheblu! Respekte Erandos për gjestin fisnik!”, shkruhej në faqen “Facebook”. “Shenjë respekti. Rando është djalë fantastik, me zemër të madhe. Respekte! Bravo, gjest fisnik i Karabecit”, ishin disa nga komentet e tjera të tifozëve të kësaj skuadre.
Miqësorja me Kukësin vulos titullarët
Tirana pritet të luajë nesër një miqësore me Kukësin, skuadër kjo që ka mbërritur dje në Ohër, në të njëjtin hotel ku është akomoduar edhe Tirana. Takimi do të zhvillohet në stadiumin e qytetit dhe këtu pritet që trajneri Gugash Magani të krijojë edhe më shumë fizionominë e skuadrës që do të ketë për edicionin e ri. Ndonëse, nisur nga cilësitë, kuptohet lehtë se cilët do jenë titullarët e Tiranës, në dy-tre pozicione ka ende enigma. Kështu, nuk dihet se kujt do t’i besohet krahu i djathtë i mbrojtjes, teksa në garë janë Idrizaj dhe Kalari, si dhe kush do luajë mes Ndikumanës dhe Morinës, gjithnjë nëse merret i mirëqenë fakti se Kagere do jetë titullar në të djathtë.
Hoxhallari në Durrës, Hoxha te Besa
Te Tirana vijojnë të punojnë edhe për huazimet. Duke qenë se aktualisht Magani ka në dispozicion një numër të madh lojtarësh, një pjesë e tyre do të largohen në huazim në skuadra të tjera, me qëllim që të mund të kenë më shumë hapësira aktivizimi. Kështu mbrojtësi i ri, Erjon Hoxhallari, mund të shkojë te Teuta e Durrësit, ndërsa mesfushori me tipare sulmuese, Glori Hoxha, pritet të huazohet për një sezon te Besa e Kavajës. Gavazaj, një tjetër i ri i talentuar, mund të jepet në huazim te Dinamo ose Kamza në kategori të parë, ndërsa këtë fat pritet ta ketë edhe sulmuesi Ergys Sorra.
LEONARD KARAJ