FSHF s’i njeh titujt e luftës, acarohen klubet: Kampionate të rregullta, mohoni historinë
Tirana dhe Vllaznia nuk do të kenë më shumë tituj kampion në futbollin shqiptar. Kjo, sepse asambleja e FSHF-së vendosi që, të paktën për momentin, kampionatet e luajtura në vitet 1939, 1940 dhe 1942 nuk mund të konsiderohen të rregullta dhe të pranueshme juridikisht. Më 1939 dhe 1942 kampion doli Tirana dhe më 1940 titullin e fitoi Vllaznia e Shkodrës, por sipas federatës këto turne u zhvilluan në kohën e pushtimit nga Italia Fashiste. Sipas komisionit, gjërat juridikisht nuk përputhen, edhe pse nga ana sportive ato janë më se të rregullta. Komisioni për njohjen e titujve shqyrtoi dokumentacionin përkatës dhe arriti në konkluzionin se analiza në drejtimin organizativ dhe teknik shkon për shtat faktit që këto kampionate kanë ekzistuar dhe janë zhvilluar me rregullsinë e duhur. Por, në analizën në drejtimin juridik kemi të bëjmë me një vendim nul. Sipas komisionit, në vitin 1939 federata shqiptare është shkrirë/ndaluar nga regjimi, ndaj nuk ka ekzistuar për atë kohë. Për rrjedhojë, FSHF-ja nuk mund të marrë një vendim mbi këto kampionate, kur nuk i ka zhvilluar ajo, pra nuk ka tagrin për ta bërë një gjë të tillë. Sigurisht, në asamble menjëherë dolën zërat kundër, të cilët kuptohej që u përkisnin klubeve të prekura: Tirana dhe Vllaznia.
Tirana dhe Vllaznia – Administratori i bardhebluve, Salih Tagani, arsyetoi se njohja do të ishte një kontribut për historinë. “Ne nuk jemi këtu për të bërë analizë nëse federata ka tagër për t’i njohur apo jo, por jemi përpara një fakti historik. Për sa i përket regjimit të atëhershëm, ata njerëz që kanë luajtur në atë kohë dhe kanë derdhur djersë për ekipet e tyre nuk kanë pasur ndonjë mundësi që ta zgjidhnin formën e regjimit. Ne gjithnjë themi që të mos e ngatërrojmë politikën me sportin, ndaj mendoj se sot (dje) ne duhet të njohim kontributin e atyre njerëzve, të vlerësojmë si duhet faktet historike”. Në një linjë ishte edhe administratori i Vllaznisë, Fatos Gjyrezi. “Unë po ju jap një shembull: në Francë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në tri rajone janë zhvilluar kampionate dhe federata i ka njohur më vonë ato. Tani nuk e kuptoj se përse ne nuk mund t’i njohim, kur jemi në të njëjtat kushte”. Pro dhënies së këtyre titujve kanë qenë edhe dy pjesëtarët e Shoqatës së Mjekëve Sportivë: Profit Canaj dhe Lluka Heqimi.
Arsyetimi juridik – Ndërsa menjëherë kundër ka dalë njohësi dhe ish-lojtari Kristaq Miço, i cili ka treguar edhe organizatat që patën marrë asokohe në dorë futbollin shqiptar. “Ato kampionate i patën bërë organizatat e rinisë të krijuara nga fashistët. Dhe në atë kohë ishin dy organizata: ‘Rinia fashiste shqiptare’ dhe ‘Dopolavoro’. Pra, regjimi ndali së funksionuari federatën tonë dhe ua dha të drejtën këtyre organizatave. Madje ndali edhe gazetën ‘Sporti Shqiptar’, i cili ishte organ i federatës sonë. Edhe në gazetat e kohës në Itali shkruhej: ‘U organizua kampionati i rinisë fashiste shqiptare’. Pra, nga pikëpamja juridike federata nuk mund t’i njohë, përderisa nuk ka ekzistuar”. Ndërsa anëtari i KE-së, Artan Hajdari, shkoi edhe më tej kur mori si shembull një skuadër kosovare: “Po sikur kampionatin e 1942-it ta kishte fituar Prizreni për shembull, do ta jepnim ne sot vendimin dhe titullin asaj skuadre? Natyrisht që nuk mund t’ia jepnim, se nuk ishte ky institucion që e bëri atë kampionat”.
Titujt, ata që shtonin paratë nga e drejta TV
Fakti që klube si Partizani apo Dinamo e patën kundërshtuar njohjen e tri kampionateve të luftës ka edhe një prapaskenë tjetër, e cila nuk vlen si fakt për momentin, por do të jetë domethënës në të ardhmen. Kjo ka të bëjë me të drejtën televizive. Sot për sot, kjo e drejtë ndahet nga ana e FSHFsë bazuar në disa kritere, të cilat lidhen me renditjen gjatë sezonit të shkuar, madhësinë e klubit dhe qytetit (popullsia), por edhe trofetë që fitohen. Kështu, sa më shumë trofe të kesh në historikun e klubit, aq më e madhe është edhe e drejta televizive, pasi kë të bëjë pikërisht me imazhin. Pavarësisht se për momentin e drejta TV nuk është një zë i rëndësishëm në kampionatin shqiptar, pasi të ardhurat nuk shkojnë më shumë sesa 75 mijë euro në sezon (nga 600 mijë euro që është totali për 14 skuadrat e Superiores), mendohet se në një të ardhme të afërt kjo shumë do të vijë gjithnjë e më shumë në rritje dhe trofetë do përcaktojnë edhe se kush do marrë pjesën e “luanit” (kjo lloj ndarjeje ndodh në kampionatet më prestigjioze si në Gjermani, Itali, por edhe në Turqi). Veç kësaj, nëse do njiheshin, atëherë më së paku do konsideroheshin përfundimisht të gjitha kampionatet e zhvilluara në Shqipëri që nga themelimi i FSHF-së. Në këtë mënyrë do vendosej një drejtësi e mohuar prej gati 70 vitesh, si rrjedhojë e vendimeve të marra nga ana e drejtuesve të regjimit komunist (në fakt, këta të fundit nuk njihnin as kampionatet nga 1930 deri në 1937-ën). Së dyti, njohja e këtyre kampionateve do të ishte edhe çështje imazhi për Tiranën dhe Vllazninë. Tirana nga njëra anë do kishte mundësi të përfitonte edhe dy tituj më shumë, ndërsa Vllaznia 1 titull më shumë.
DEBATI PËR TITUJT E LUFTËS
Salih Tagani (administratori i KF Tirana) – “Ne nuk jemi këtu për të bërë analizë nëse federata ka tagër për t’i njohur titujt e luftës apo jo, por jemi përpara një fakti historik dhe duhet që të shprehemi mbi këtë fakt. Për sa i përket regjimit të atëhershëm, jo ne, por as ato personalitete që kanë luajtur në atë kohë nuk kanë pasur ndonjë mundësi që ta zgjidhnin formën e regjimit. Ndaj mendoj se sot ne duhet të njohim kontributin e atyre njerëzve”.
Fatos Gjyrezi (administrator i KF Vllaznia) – “Në Francë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në tri rajone janë zhvilluar kampionate dhe federata i ka njohur. Nuk e kuptoj se përse nuk mund t’i njohim ne, kur jemi në të njëjtat kushte. Kuptoj që nga ana juridike mund edhe të ketë ato probleme që u evidentuan pasi federata nuk paska funksionuar në atë kohë, por të gjithë këtu bien dakord, në bazë të dokumenteve, se ato kampionate janë luajtur më se në rregull ndaj duhet të njihen”.
Profit Canaj (Shoqata e Mjekëve Sportivë) – “Ne para pak muajsh festuam 100-vjetorin e pavarësisë, tani me logjikën e këtij komisioni i bie që këto tri vitet e luftës të mos i njohim fare as në këtë aspekt. Ndaj gjykoj që historia s’duhet shtrembëruar, por vënë në vend ashtu sikundër ka qenë”.
Lluka Heqimi (Shoqata e Mjekëve Sportivë) – “Unë mendoj se ne nuk mundet të shtrembërojmë apo të flasim edhe me kompetenca përtej atyre që kemi mbi faktet historike. Ndaj gjykoj se do të ishte më mirë që ne sot këtë diskutim ta shtynim, të mblidhnim fakte të tjera, të pyesnim më shumë njerëz që kanë dijeni, pasi ndoshta sot marrim një vendim të gabuar”.
Kristaq Miço (njohës i sportit) – “Jam dakord me raportin e komisionit, kur thotë që federata nuk mund të marrë një vendim juridikisht, duke qenë një subjekt juridik. Së dyti, nuk kanë qenë entet sportive që kanë bërë ato kampionate, por organizatat e rinisë të krijuara nga fashistët. Pra, regjimi ndali së funksionuari federatën tonë dhe ua dha të drejtën këtyre organizatave. Çka do të thotë se ka qenë një aktivitet i rinisë fashiste dhe jo i federatës sonë. Ato kanë qenë kampionate të rregullta dhe për këtë nuk mund të heqësh asnjë presje, por nga pikëpamja juridike nuk mund të njihen nga një organ si federata, e cila nuk ka funksionuar”.
Artan Hajdari (anëtar i KE-së, jurist) – “E kam thënë në raport mendimin për këtë çështje dhe nuk kam se çfarë të diskutojmë më shumë. Ne nuk mund të marrim një vendim, për të cilin nuk kemi se ku ta mbështesim në statut. Atëherë kur një institucion nuk ka ekzistuar për një periudhë, kush e ka bërë kampionatin dhe ku duhet ta kërkojmë që kjo gjë të na njihet. Unë jam koshient që kampionati është bërë, por jo nga FSHF-ja, ndaj nuk mund të jemi ne që të marrim vendim për diçka që nuk e kemi bërë. Ndoshta ministria e linjës, së cilës realisht i kërkuam që të ishte në komision. Duhet të kuptojmë se po morëm vendim sot, ne prodhojmë një akt nul për nesër dhe gjithkush që më pas kërkon ta rrëzojë, shkon në gjykatë dhe menjëherë e ka fituar, pasi ne nuk kemi se ku ta mbështesim këtë vendim. Lind pyetja: po sikur kampionatin e 1942-it ta kishte fituar Prizreni për shembull, do t’ia jepnim neve sot vendimin dhe titullin asaj skuadre? Natyrisht që nuk mund t’ia jepnim titullin Prizrenit”.
Mema: Votova pro, por unë jam kundër
Natyrisht, në një asamble të tillë nuk munguan edhe batutat, por as ngatërresat. Këtë e bëri edhe ish-lojtari dhe trajneri i Tiranës, Sulejman Mema. Në momentin kur po diskutohej për titujt e luftës, pasi presidenti Duka e pat hedhur për votim, ai kërkoi fjalën: “Unë votova pro, por jam kundër (të gjithë qeshin në sallë). Në fakt, ju thoni se këto kampionate ekzistojnë (i drejtohet anëtarit të KE-së, Artan Hajdari), por a nuk ka mundësi kjo asamble, federatë, që të shikojë një mënyrë të tejkalimit të anës juridike? Ne jemi këtu dhe ne vendosim për futbollin”.
LEONARD KARAJ