Futbollisti rikuperohet plotësisht, ja kujt pritet t’ja besojë mesfushën Hallaçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2023 | 20:45

Futbollisti rikuperohet plotësisht, ja kujt pritet t’ja besojë mesfushën Hallaçi

Verën e kaluar Kukësi bëri shumë lëvizje në merkato, duke afruar lojtarë cilësorë dhe që mund t’i jepnin klubit petkun e një pretendenti.

6121

Mirëpo, ai kampionat nuk shkoi si duhet dhe skuadra vetëm në javën e fundit siguroi qëndrimin në kategori. Për këtë arsye, pati largime drastike në radhët e tyre, me ekipin që këtë sezon po riformatohet plotësisht. Një nga lojtarët që u afrua verën e kaluar, por që për shkak të një dëmtimi të rëndë u detyrua që qëndrojë një vit larg fushave, ishte edhe Arbër Basha. Mesfushori, duket se e ka kaluar plotësisht atë dëmtim dhe i është bashkuar sërish ekipit.

Madje, në miqësoren me Elbasanin, Hallaçi i rezervoi disa minuta në pjesën e dytë, ku e sheh si një lojtar të vlefshëm, i cili mund t’i bëjë punë në situatën aktuale që po kalon klubi. Më herët, Basha ka milituar për tri sezone në ekipin e Kastriotit apo edhe në Estoni me skuadrën e Narva Trans. Me pak fjalë, 25-vjeçari mund të cilësohet si një afrim i ri, duke qenë se dëmtimi e la jashtë fushave për një sezon të tërë. Nga ana tjetër, në skuadër janë afruar edhe shumë lojtarë që Hallaçi dhe Kërnaja i patën drejtuar tek ekipi i 21-vjeçarëve, duke ia u njohur potencialin dhe që janë katapultuar në ekipin e parë. Disa prej tyre madje kanë zënë vend në ekipin e parë dhe janë provuar në takimet miqësore.

STRATEGJIA – Pritet që Kukësi i këtij sezoni të ketë një tjetër fytyrë dhe të jetë klubi më i ri në moshë po ta krahasojmë me ekipet e tjera të Superiores. Nëse vitin e kaluar lojtari më i moshuar ishte 30 vjeç, si kapiteni Gjelbrim Taipi, këtë sezon gjasat janë që të ulet edhe më tej kjo moshë.

Madje, deri më tani asnjë lojtar nuk i kalon të 25 vjetët dhe nga emrat e lakuar në merkato janë të gjithë nën këtë moshë, çka nxjerr në pah një politikë krejtësisht të re të drejtuesve. Klubi ka bërë kontrata afatgjata, me shpresën se lojtarët do të spikasin dhe në drejtim të tyre do të vijnë edhe oferta nga klube të tjera. Edhe në të kaluarën Kukësi ka arritur të përfitojë diçka nga shitjet e lojtarëve, ndaj ka një histori pozitive në këtë aspekt. Gjithsesi, primarja është që fillimisht të shpëtohet sezoni dhe Kukësi të mos vërë më në diskutim mbijetesën edhe këtë vit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"