Gabia: Vuaj si lojtar-tifoz, me fjalimet e Ibrës edhe sot do të thyeja…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 18:03

Gabia: Vuaj si lojtar-tifoz, me fjalimet e Ibrës edhe sot do të thyeja…

I intervistuar në episodin e ri të “Unlocker Room”, Mateo Gabbia, mbrojtësi i Milanit, foli për tema të ndryshme: nga përvoja e tij në Spanjë e deri te rikthimi i tij te kuqezinjtë, pa harruar disa anekdota rreth titullit të dy viteve më parë.

gabia ibra

Jeni një tip rrjetesh sociale?
I përdor për të komunikuar me miqtë, por nuk lejoj që komentet e tyre të ndikojnë në qasjen time. Dikur i përdorja shumë, por me kohën kuptova që më marrin shumë energji.

Jeni lojtar dhe tifoz i Milanit. Si i përjetoni ndeshjet?
Keq shumë, sidomos kur nuk luaj më duket sikur jam i dëmtuar dhe po i shoh nga shtëpia. Pas përvojës në Spanje e ndjek edhe Vijarealin, por ndjesitë nuk janë të njëjtat.

Çfarë kujtoni nga koha kur ishit ende një kapës topash në “San Siro”?
Më kujtohet Milan-Kievo, në të cilën Kaka shënoi dhe vrapoi nën tribunën e ultrasve. Pastaj ka edhe të tjerë: një Milan-Verona me Luka Tonin që më bëri përshtypje me përmasat e tij dhe nuk më dukej e mundur që dikush të ishte aq trupmadh.

Sa ka ndryshuar rendimenti juaj që pas rikthimit te kuqezinjtë?
Jo edhe aq. Kam punuar shumë me veten, duke i kushtuar vëmendje detajeve dhe duke shmangur çdo lloj hutimi që më merrte energji. Nuk ishte çështja se duhej të punoja më shumë, por ta bëja më mirë. Duhet thënë se dhe vazhdimësia ka qenë një ndihmesë e rëndësishme.

Keni ndonjë anekdotë nga vitit i titullit me Milanin?
Unë koleksionoj fanella të rivalëve më të fortë. Kur ishim pranë fitores së kampionatit po flitej shumë për tërheqjen e Zlatanit dhe i kërkova një fanellë me autograf. Ai ma dhuroi dhe aty shkruhej: “Faleminderit për titullin”. Me veten time mendoja çfarë do të ndodhte nëse nuk e fitonim atë kampionat…

Pas titullit edhe ai fjalim i Ibrës, i cili u vë viral…
Nuk di të them nëse e kishte përgatitur apo i erdhi natyrshëm, por në fjalët e tij dallohej gjithë dëshira dhe përvoja e tij duke gjetur fjalët e duhura. Me atë fjalim  edhe sot e kësaj dite do ta thyeja një tavolinë.

Që nga rikthimi edhe Pioli ju ka lavdëruar shumë. Si është raporti juaj?
Trajneri është shumë i zoti sepse e kupton mirë se si po shkon skuadra dhe i menaxhon fjalët që na thotë në bazë të kësaj. Kur po fitonim titullin mbajti të qetë dhe na tha se kishim bërë diçka shumë të rëndësishme dhe se ishim pranë arritjes së një momenti historik. Edhe tani nuk bën shumë presion mbi ne lojtarët, duke ruajtur normalitetin në përgatitjen tonë. Për mua është nga më të aftët në qarkullim.

A ka ndikuar futbolli si profesion në pasionin tuaj për këtë sport?
Më parë i shikoja ndeshjet shumë më tepër. Tani nëse ka një sfidë të fortë dhe nuk ka asgjë tjetër për të parë, unë e shoh. Por nëse mund ta pastroj mendjen dhe të dal për darkë, të shoh film, atëherë ashtu bëj…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"