Garë me Temitopen, Denison: Dua titullin dhe “Këpucën e Artë”! Superiorja tjetër nivel, duhet merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2023 | 21:57

Garë me Temitopen, Denison: Dua titullin dhe “Këpucën e Artë”! Superiorja tjetër nivel, duhet merkato

Janë për t’u luajtur edhe 90 minutat e fundit të kampionatit të Kategorisë së Parë dhe te Dinamo ka ende një fije shprese për titullin kampion. Por gjithçka varet nga… Lushnja. Dhe jo vetëm për objektivin “kreu”, por edhe për “Këpucën e Artë”.

DENISON

Nëse kryeqytetasit shpresojnë rokadën në renditje me Skënderbeun, Hoze Denison pretendon që të lërë pas Abdul Temitopenë në listën e shënuesve më të mirë të kampionatit. Që të dy kanë nga 12 gola dhe java e fundit do të vendosë edhe fituesin, ndaj pritet që të kemi një garë në distancë.

Braziliani kthehet pas dëmtimit që e mbajti jashtë për disa javë dhe me mision të qartë: të përvetësojë trofeun individual. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi konfirmon qëndrimin te blutë edhe për një tjetër sezon, por uron që këtë herë situata do të jetë ndryshe. Kur dihet që elita kërkon më shumë cilësi, sulmuesi nuk heziton që ta japë edhe një porosi për klubin në lidhje me merkaton.

Mungoni prej disa javësh, a do të jetë gati Denison për sprintin final?

Jam gati, e kam lënë pas dëmtimin.

Si është gjendja juaj?

Jam stërvitur mirë me ekipin. Besoj se do të jem në fushë për ndeshjen e fundit të këtij sezoni.

Ky luhet edhe për trofeun e “Këpucën e Artë” dhe ju jeni një nga favoritët…

Po, dhe shpresoj ta fitoj këtë trofe individual. Nuk ka qenë objektivi im që të shpallem golashënuesi më i mirë i kësaj kategorie, por pse jo, tani jam afër dhe uroj të shënoj gola ndaj Luzit për ta fituar. Më e rëndësishmja tashmë është arritur, Dinamo është ngjitur në Superiore dhe për këtë jam shumë i lumtur.

A kishit pritur që të ishte kaq i vështirë rikthimi në Superiore?

Unë nuk e njihja Kategorinë e Parë, sepse nuk kisha luajtur asnjëherë në këtë nivel. Ishte vërtet një kampionat i vështirë, një kampionat shumë specifik, me disa skuadra pretendente që e bënë edhe më të vështirë objektivin. Por tani pak rëndësi ka. Siç e thashë, ajo që vlen është rikthimin i Dinamos në Superiore dhe për këtë ne jemi të qetë tashmë.

Ju dëshironi të vazhdoni me Dinamon apo synonin diçka tjetër?

Unë jam një lojtar i Dinamos, kam kontratë me këtë klub edhe për një sezon dhe do të vazhdoj të luaj për të. Uroj që këtë herë situata të jetë ndryshe, sepse Superiorja është tjetër nivel dhe natyrisht kërkon një skuadër me më shumë kualitet.

Çfarë i duhet konkretisht kësaj skuadre për të mos luftuar për mbijetesën, si një sezon më parë, por për vendet e para?

Të jemi i sinqertë, sezonin e kaluar, kur Dinamo ra nga kategoria, u bënë gabime dhe shpresoj që ato të mos përsëriten. Besoj se klubi ka mësuar nga ajo që ndodhi. Të them të vërtetën, kishte diçka të çuditshme ajo Dinamo, që vërtet nuk mund të bënte gjëra të mëdha, por mund të mbijetonte. Ndoshta ndikoi fakti që u ndryshua disa herë trajneri.

Them që ishte e çuditshme, sepse unë jam sulmues dhe nuk arrita të shënoj asnjë gol, por kjo nuk është normale. Ndoshta nuk kisha edhe shumë mundësi për të treguar vlerat më të mira. E them përsëri me sinqeritet dhe ndershmëri se ato gabime nuk duhet të bëhen më nga Dinamo.

Shumë gjëra varen nga merkatoja që do të bëjë klubi apo jo?

Po. Kategoria e Parë ishte një nivel, tani kalojmë në një tjetër nivel, ku duhet më shumë kualitet, sepse ka kundërshtarë më të fortë, me lojtarë me eksperiencë. Klubi duhet të blejë disa lojtarë për të forcuar skuadrën, në mënyrë që të kemi një Dinamo ndryshe. Shpresoj të kemi një skuadër në gjendje të luftojë për të shkuar në Europë, jo për të luftuar për qëndrimin në Superiore.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"