Gatuzo: Ekip pa “shtyllë kurrizore”, por do fitojmë me Interin
Pas një mbledhje thuajse 60-minutëshe me krerët e klubit, Xhenaro Gatuzo u shfaq përpara mediave për të komentuar humbjen e Milanit. Në lidhje me disfatën ai tha: “Pa dyshim që është një moment i vështirë dhe episodet na dënuan. Dukshëm nuk mjafton ajo që ofrojmë në fushë. Për shumë specialistë kemi probleme fizike, megjithatë unë mendoj se kemi mangësi në karakter”. “Djalli” ka shumë problematika dhe Rino ofroi “recetën” e tij duke deklaruar:
“Nuk do të kapem pas tersit sepse e di që kjo skuadër mund dhe duhet të bëjë më shumë, por kur sheh që punon shumë dhe topi nuk shkon në rrjetë, nuk mund të japësh shpjegime të tjera. Duhet të bëhemi skuadër dhe të tregohemi të bashkuar, pasi te shumë nga djemtë shoh që mbajnë një peshë të jashtëzakonshme. Grumbullimi ishte një zgjidhje për të bashkuar ekipin edhe më shumë, por lojtarët nuk po tregojnë sa vlejnë, teksa Gatuzo shpjegoi:
“Nuk duhet të ankohemi, por të qëndrojmë të bashkuar dhe të punojmë fort. Një tjetër shqetësim i madh vjen nga fakti se askush nga lojtarët nuk priste të gjendej në këtë situatë kur filloi sezoni”. Derbi mbetet objektivi i radhës si shans unik për të mjekuar moralin e Milanit që pas humbjes me Atalantën duket në nivele të frikshme.
Rino e di se shanset po konsumohen edhe për të, por sfida me Interin i jep të tjera energji: “Kur skuadra ka probleme, lojtarët cilësorë vuajnë shumë për të dalë në pah. ‘Shtylla kurrizore’ e skuadrës nuk po kalon një moment të mirë, ndaj derbi duhet përgatitur sa më mirë sepse është një sfidë e rëndësishme dhe ne duhet ta fitojmë”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"