Gaz Demi merr 50% të aksioneve te Partizani
Lulëzim Sallaku nuk do të jetë më aksionar i vetëm te skuadra e Partizanit pasi, ashtu siç flitej nën zë kohë më parë, një tjetër biznesmen do të jetë ortak te ky klub. Bëhet fjalë për Gazmend Demin, i cili nga dita e sotme do të ketë 50% të aksioneve të skuadrës së Partizanit. Një lajm të tillë e ka konfirmuar dje për “Panorama Sport” Lulëzim Sallaku, i cili përgjatë këtyre muajve ka pasur edhe shumicën e aksioneve te Partizani. “Aksionet do të jenë të ndara 50 me 50. Unë me zotin Demi do të jemi në kuota të barabarta”, – ka thënë Sallaku. Ndërkohë në lajmërimin që vjen nga zyra e shtypit bëhet me dije se sot do të prezantohet edhe Shpëtim Duro në postin e trajnerit. Burime të besueshme për gazetën bëjnë me dije se mes drejtuesve më të lartë të Partizanit gjatë ditës së djeshme u zhvillua një takim, gjatë të cilit u vendosën dhe lëvizjet e fundit.
Duro – Pasi ka ndjekur nga afër miqësoren ndaj Teutës, të cilën “demat” e kanë fituar në shifrat 1-0, Shpëtim Duro sot do të marrë zyrtarisht drejtimin e Partizanit. Ish-trajneri i Vllaznisë, përgjatë gjithë këtyre javëve ishte përfolur si alternativë për të qenë në krye të të kuqve, por kontrata që kishte me Vllazninë nuk e lejonte të afrohej me Partizanin. Pasi i ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me drejtuesit shkodranë, Duro rikthehet në kampin e kuq, nga ku u largua tre vite më parë. Ai e ka drejtuar për herë të fundit Partizanin në ndeshjen “play out”, të cilën “demat” e zhvilluan me Kastriotin në vitin 2010, kur ranë edhe në Kategorinë e Parë. Me rikthimin e tij te Partizani, trajneri kryeqytetas do të ketë detyrën e vështirë: rikthimin e Partizanit në Superiore. Ndërkohë në stërvitjen e sotme, e cila do të drejtohet pikërisht nga Duro, do të rikthehet edhe kapiteni Alcani, që ka munguar për shkak të një dëmtimi. Ndërkaq nuk dihet nëse të kuqtë do të zhvillojnë një fazë përgatitore, pasi ishte parashikuar që ajo të niste dje.
Prezantohen Demi dhe Duro
Shpëtim Duro dhe Gaz Demi janë prezantuar në një ditë. Njëri si trajner, tjetri si aksioner i Partizanit. Java ka nisur vërtet mbarë për të kuqtë, që dita-ditës jo vetëm po plotëspojnë organikën e skuadrës me lojtarët e nevojshëm, por po konsolidojnë edhe strukturat drejtuese të klubit. E gjitha, në funksion të rikthimit aty ku e ka vendin kjo legjendë e futbollit shqiptar, me tifozë të shumtë anekënd Shqipërisë. Trajneri Duro e ka konsideruar nder dhe përgjegjësi shumë të madhe drejtimin e Partizanit, ku gjen shumë miq, mes të cilëve edhe drejtorin teknik, Hasan Lika. Nga ana e vet, Gaz Demi, duke folur edhe në emër të Lul Sallakut, ka siguruar për financa të shëndosha dhe së shpejti krijimin e një infrastrukture moderne për skuadrën e parë, por edhe sistemin zinxhir. Thënë ndryshe, po punohet për një akademi të mirëfilltë futbolli, që për “markë” do të ketë një emër të madh e shumë të nderuar. Pas fazës së parë, të kuqtë renditën në vendin e tretë të Kategorisë së Parë, shtatë pikë pas Lushnjës kryesuese dhe dy pikë larg Mamurrasit të vendit të dytë.
ADROVIÇ
Portieri serb, i cili erdhi te Partizani vetëm tri ditë më parë, pritet që të firmosë kontratë me të kuqtë. 29- vjeçari ka bindur në ndeshjen miqësore ndaj Teutës dhe tashmë pritet vetëm që të arrihet akordi financiar përfundimtar. Burime të besueshme për “Panorama Sport” bëjnë me dije se ka qenë vetë trajneri Duro, i cili ka kërkuar që ta ketë në përbërje të ekipit të tij gardianin.
ARMAND HALILI