Gerc nxjerr blof Tiranën, Vllaznia feston. Dede: Ekipi ishte si avion pa pilot në fushë
VLLAZNIA-TIRANA 2-0
GOLAT: Shtubina 26′, Bushiç 30′
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Beqiri, Rajoviç, Sykaj, Semina, Belisha (Dema 72′), Kruja, Tafili, Shtubina (Bardulla 46′), Hajdari, Bushiç (Gjini 76′); Trajner: A.Canaj
TIRANA: Çaka, Sina (Çaushaj 60′), Kaja, Muça, Peqini, Karabeci, Hysenbelliu (Mumajesi 46′), Limani, Çota, Peposhi (Kërçiku 46′), Gerc; Trajner: N.Dede
KARTON I VERDHË: Rajoviç 16′
KARTON I KUQ: Gerc 15′
DELEGAT: Petrit Haxhiaj (Tiranë)
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
GJYQTARET: K.Cjapi, I.Tartari (Fier), G.Koka (Lezhë)
MINUTAT
9′ Tafili kthen bukur një top te Shtubina, i cili tenton nga jashtë zone, por mbi traversë.
10′ Tentativë e rrezikshme e Shtubinës sërish nga distanca, por Çaka shpëton portën, duke grushtuar në kohë.
12′ Hysenbelliu jep një top për Çotën, i cili në një pozicion të volitshëm godet, por nuk gjen kuadratin.
18′ Limani kombinohet me Hysenbelliun, i cili krijon rastin më të rrezikshëm për Tiranën. Mesfushori nga 27 metra largësi godet, por Vujadinoviç pret gjithçka.
26′ Hajdari pason një top te Shtubina, i cili i pamarkuar në zonë, godet me një veprim akrobatik dhe e dërgon në atë kënd ku portieri nuk ka ç’të bëjë, dhe 1-0.
29′ Rrëmujë në zonë, por Çaka kontrollon topin dhe largon rrezikun.
30′ Aksion perfekt i Vllaznisë, Tafili kroson nga krahu i djathtë, Bushiç i pashqetësuar nga mbrojtja mike, godet me kokë dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë dhe 2-0.
38′ Beqiri kroson për Shtubinën, i cili gjuan, por Peqini pason në kokë zonën, duke e dërguar topin në goditje këndi.
59′ Beqiri gjuan një top të rrezikshëm nga krahët, por portieri i Tiranës grushton.
67′ Hajdari kombinohet me Krujën, i cili kishte një rast të favorshëm për të shënuar golin e tretë, por Muça largon rrezikun. 68′ Hajdari tenton nga distanca, por nuk gjen kuadratin.
76′ Vllaznia e pafat. Semina gjuan në drejtim të portës, por gjithçka ndalet nga shtylla.
84′ Goditje dënimi për miqtë, Limani ekzekuton mirë, por Vujadinoviç kundërpërgjigjet në kohë dhe pret gjithçka.
93′ Goditje dënimi për vendësit, është Beqiri që gjuan, por shtylla bëhet pengesë. Topi kthehet dhe kapiteni tenton edhe një herë, por këtë herë nuk gjen dot kuadratin.
Vllaznia mposht 2-0 Tiranën. Klasikja e futbollit shqiptar është fituar nga shkodranët dje në “Loro Boriçi”. Bardheblutë, edhe pse e nisën mirë lojën, shumë shpejt u ndëshkuan prej Vedran Gerc. Nga debutimi i tij mund të pritej ndonjë gol, por kroati veçse nxori blof ekipin e tij, duke e lënë me 10 lojtarë që në minutën e 15-të të këtij takimi. Një përplasje mes tij dhe malazezit Rajoviç në mesin e fushës bëri që sulmuesi t’i kthehej me grusht. Veprim ky që u shoqërua me karton të kuq për Gerc dhe të verdhë për Rajoviç. Tirana ka luajtur për më shumë se 75 minuta në inferioritet numerik, duke e pasur shumë të vështirë që të përballonte vendësit. Ky fakt favorizoi kuqeblutë, që me dy gola të shpejtë, në të 26′ dhe të 30′, me anë të Shtubinës dhe Bushiçit, vulosën gjithçka, duke treguar se fitorja e fundit në Kukës nuk ishte aspak e rastësishme.
Pjesa e parë Loja nis e qetë dhe me të dyja skuadrat të mirëvendosura në fushë. Rastet nuk mungojnë, dhe e para që vihet në sulm është Vllaznia, teksa në minutën e 9-të, Tafili kthen bukur një top te Shtubina, i cili tenton nga jashtë zone, por mbi traversë. Pa kaluar një minutë, tentativë e rrezikshme e Shtubinës nga distanca, por Çaka shpëton portën, duke grushtuar në kohë. Rasti i parë për miqtë vjen në minutën e 12-të, teksa Hysenbelliu jep një top të artë për Çotën, i cili në një pozicion tepër të volitshëm godet, por nuk gjen kuadratin. Në të 18′ Limani kombinohet me Hysenbelliun, i cili krijon rastin më serioz për gol për Tiranën. Mesfushori nga 27 metra largësi godet bukur, por Vujadinoviç befason duke e pritur. Me kalimin e minutave shkodranët fitojnë terren, dhe në të 26-n gjejnë golin e parë. Hajdari pason një top te Shtubina, i cili i pamarkuar në zonë, godet me një veprim akrobatik dhe e dërgon në atë kënd ku portieri nuk ka ç’të bëjë, dhe 1-0. Tentativat e kuqebluve vazhdojnë, dhe pas 4 minutash gjejnë golin e dytë. Aksion perfekt i Vllaznisë, Tafili kroson nga krahu i djathtë, mdërsa Bushiç, i pashqetësuar nga mbrojtja mike, godet me kokë dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë dhe 2-0. Kroati po tregon javë pas jave se është një pikë referimi për sulmin shkodran.
Pjesa e dytë Ky 45-minutësh humb disi ritmin dhe grintën, pasi reagimi i Tiranës pas këtij disavantazhi ishte thuajse i pamundur. Madje, si pasojë e inferioritetit numerik, trajneri u detyrua që të bënte ndryshime në këtë pjesë, por më kot. Ka munguar bashkëveprimi mes reparteve, për të mos folur për kreativitetin në ofensivë. Në të tilla kushte, kuqeblutë kanë administruar rezultatin dhe lojën në këtë fraksion. Në të 59′ Beqiri gjuan një top të rrezikshëm nga krahët, por portieri i Tiranës grushton. Tenton në minutën e 67-të edhe Kruja, i cili kombinohet me Hajdarin, por gjuajtja e tij neutralizohet nga Muça në limit. Hajdari provon edhe nga distanca, por nuk gjen kuadratin. Në të 67′ mund të vinte edhe goli i tretë, por Vllaznia ishte e pafat. Semina gjuan në drejtim të portës, por gjithçka ndalet nga shtylla. I vetmi rast për Tiranën në këtë pjesë erdhi në të 84′ me goditje dënimi. Limani ekzekuton mirë, por Vujadinoviç kundërpërgjigjet në kohë dhe pret gjithçka. Vendësit vazhdojnë të bëjnë presion ndaj bardhebluve, teksa edhe në minutën e fundit të kohës shtesë Beqiri kthehet në rrezik, por shtylla largon rrezikun. Kësisoj, Vllaznia merr fitoren e dytë në kampionat dhe të parën në shtëpi. Ndërkohë që Tirana në këtë javë të tretë provoi shijen e hidhur të humbjes.
MË I MIRI
Tomislav Bushiç ishte pa dyshim një ndër lojtarët më të mirë në fushë. Sulmuesi kroat edhe këtë javë ka bindur, duke bërë më së miri detyrën e tij. Edhe Shtubina bëri më të mirën, teksa edhe pse i dëmtuar ai jo vetëm sakrifikoi duke qëndruar, por edhe shënoi. Nga Tirana spikati Fatmir Hysenbelliu, i cili ishte i vetmi lojtar që krijoi raste të rrezikshme për bardheblutë.MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Tiranës nuk ishte në një ditë të mirë dje. Në të dyja rastet e golave, pa u hequr meritën edhe shënuesve, defensiva u shfaq e shpërqendruar. Por, edhe sulmi nuk bëri asgjë, përpos faktit që Gerc doli me karton të kuq që në minutën e 15- të dhe ky fakt i penalizoi. Çota në këtë takim nuk u duk thuajse fare, madje edhe në një rast që pati, nuk gjeti dot as kuadratin.
Canaj, në delir: Fitore e merituar
Agim Canaj ka mbetur i kënaqur nga fitorja. Për të, ky trepikësh ishte konfirmim i ecurisë së mirë të Vllaznisë. Gjatë deklaratës së dhënë për mediat në fund të takimit, ai tregon se ishte sukses i merituar. “E kishim vlerësuar maksimalisht këtë takim dhe në fund u vlerësuam duke marrë tri pikë të arta. Shënuam dy gola të shpejtë e të bukur, çka i dha rrugë suksesit tonë përballë një Tirane që mbeti me 10 lojtarë. Ndoshta po të ishim të barabartë në fushë, historia e këtij takimi do të ishte ndryshe. Sidoqoftë, nuk mund të mos e pranojmë se këtë fitore e merituam. Në pjesën e parë ishim agresivë dhe luajtëm shumë mirë në krahë, e për rrjedhojë arritëm edhe të shënonim. Lojtarët ia dolën të futeshin vertikalisht në linjat fundore dhe kjo na dha mjaft rendimet. Paskëtaj kemi qarkulluar topin, duke e administruar lojën si në pjesën e parë edhe në të dytën. Ishim më lart se kundërshtari ynë, në të gjithë drejtimet. Kemi marrë një fitore që do të vlejë më shumë për të ardhmen. Kërkojmë që të bëjmë më të mirën edhe në takimin e ardhshëm. Unë i uroj shumë çunat për atë që dhanë në këtë takim. Shpresoj që t’i rikuperojmë sa më shpejt të jetë e mundur ato dëmtime, që u pësuan edhe në këtë takim, në mënyrë që të jemi të gatshëm për sfidën e radhës me Lushnjën. Tani duhet të punojmë dhe mendojmë vetëm për të”, – tha numri një i stolit shkodran.
Objektivat Ndër të tjera, ai tregon se objektivat e vendosur nga klubi këtë sezon janë minimalë, megjithatë beson se mund të ecin më larg. “Të them të drejtën objektivat që kemi janë minimalë, por unë besoj te ky grup dhe kualiteti që ka. Ndaj mendoj se do të shkojmë më larg se kaq, çka do të thotë se me kalimin e javëve do të tentojmë më shumë. Por për momentin mendojmë vetëm për takimin e radhës dhe asgjë më tepër. Ne kemi pasur probleme edhe me financat, por së fundmi situata është përmirësuar, madje drejtuesit vendosën edhe premio për këtë fitore. Gjithsesi, për të pretenduar kreun, duhet jo vetëm një ekip i mirë, por edhe siguri ekomomike. Nëse do i kemi këta komponentë, ndoshta do të ngjitemi në majë”, – përfundoi trajneri i Vllaznisë.
Klubi jep 3 mln lekë premio Drejtuesit e klubit kanë dhënë një tjetër premio, këtë herë për fitoren ndaj Tiranës. Tre milionë lekë të vjetër janë akorduar pas takimit për këtë trepikësh. Për më tepër vetë kryebashkiaku Lorenc Luka, me përfundimin e ndeshjes, bashkë me administratorin Fatos Gjyrezi kanë shkuar në dhomat e zhveshjes për të uruar dhe falënderuar lojtarët, si dhe stafin teknik, jo vetëm për fitoren e arritur, por edhe për lojën e zhvilluar.
Dede: Ekipi shëtiti në fushë, ishte si një avion pa pilot
“Normalisht, në një takim futbolli janë të tria rezultatet në lojë, e megjithatë këtë humbje nuk e kishim menduar. Realisht synimin e kishim të tregonim një tjetër pamje, por nuk ia arritëm dot. Lojtari ynë, Vedran Gerc, gaboi në daljen e tij me të kuqe, ndonëse të them të drejtën në ato momente nuk e kuptova se çfarë ndodhi. Por fakti që e goditi kundërshtarin është një veprim tepër i rëndë. Për sa i përket kartonit të kuq, nuk më përket mua një gjë e tillë. Pastaj, nuk ishte ky gabimi ynë i vetëm, pasi ne gabuam edhe më pas. Zakonisht lojtarët japin më shumë kur janë në inferioritet numerik, por me ekipin tonë ndodhi e kundërta. Të dy golat erdhën nga një mungesë përqendrimi. Pas rezultatit 0-2 lojtarët nuk bënë thuajse asgjë, thjesht shëtitën fanellën e Tiranës në fushë. Më vjen keq që e them këtë. Nuk kemi alternativa shumë të mëdha dhe uroj që të mos vazhdojmë kështu, sepse nëse ndodh, atëherë do të jemi të gjithë përgjegjës, nga unë i pari, që jam ai që përzgjedh formacionin. Por më vjen keq që nuk e kemi karakterin e duhur, ashtu siç i shkon për shtat Tiranës. Kur nuk tregon këto në fushën e lojës, nuk ke asgjë për të thënë. Unë e kam bërë të qartë se pa u kompletuar grupi nuk kam çfarë kërkoj. Mirëpo kur një ekip nuk ka karakter e dëshirë, si në rastin tonë që munguan, për mendimin tim nuk ka asgjë. Ekipi sot (dje) nuk merrte asnjë komandë. Ishte bërë si një avion pa pilot”.
Shtubina e Bushiç, të lumtur për golat: Trepikësh me vlera
Dy protagonistët e fitores ndaj Tiranës, mbajnë pa dyshim emrat e Shtubinës dhe Tomisllav Bushiçit. Ata në fund të ndeshjes, të pyetur nga “Panorama Sport”, janë shprehur të kënaqur për golat dhe rrjedhimisht për këtë trepikësh të arritur në shtëpi. Mesfushori shkodran, Ndriçim Shtubina, autori i golit të parë në takimin me Tiranën është shprehur optimist, teksa thotë: “Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Rezultati mund të ishte më i thellë. Ne merituam tërësisht fitoren. Kampionati sa vjen dhe vështirësohet, por Vllaznia vjen gjithnjë e në rritje. Në Lushnjë do të shkojmë për të bërë më të mirën dhe për të marrë më të mirën. Ne nuk kemi hyrë me synime të larta në këtë sezon, por kjo është shumë pozitive për ne. Kjo na ndihmon që të shprehemi më lirshëm dhe të tregojmë më mirë vlerat tona. Shpresoj që një paraqitje të tillë ta bëjnë në vazhdim”. Sakaq, për kroatin ky është goli i dytë sezonal. Vetë lojtari nuk jep shifër për golat që do të shënojë, por shpreson që të shënojë në çdo takim dhe të çojë në rrugën e suksesit skuadrën e tij. “Ishte një tjetër fitore e bukur, këtë herë në stadiumin tonë dhe para tifozëve. Shpresoj që në çdo takim të tregoj më të mirën dhe të japim maksimumin. Këtë përballje ne e menaxhuam më së miri, duke dominuar me fushë. Edhe sepse ishim me një lojtar më shumë, gjithçka u bë më e lehtë. Por, nuk duhet mohuar se ishim më lart se kundërshtari. Unë do të kërkoj që të bëj më të mirën time në çdo javë, në mënyrë që t’i shërbej sa më shumë skuadrës”, – ka thënë pas takimit sulmuesi kroat i Vllaznisë, Bushiç.
Rajoviç tregon sherrin: Kroati më goditi në fytyrë
Blazho Rajoviç tregon të vërtetën e tij mbi episodin e minutës së 15-të, kur u godit me grusht prej Vedran Gerc. Ndonëse shumë shkurtimisht, ai sqaron se kroati e ka goditur në fytyrë. Por, nga ana tjetër nuk shpjegon se çfarë ndodhi konkretisht pak çaste para se të ndodhte ky incident. Ai ishte një nga protagonistët e minutës së 15-të të takimit, kur sulmuesi kroat Gerc doli me kartonin e kuq. Gjithçka ka ndodhur pak metra larg vijës anësore në rrethin e mesit të fushës, kur malazezi e kroati janë shtyrë më parë mes tyre, dhe më pas sulmuesi i Tiranës ka reaguar duke e goditur me grusht mbrojtësin e Vllaznisë. Nga ky episod nuk u ndëshkua vetëm Gerc, por edhe malazezi, pasi kryesori i takimi i dha karton të verdhë vetëm një minutë më vonë. “Më goditi në fytyrë, nuk e prita. Më kapi në befasi”, – kanë qenë këto fjalët që ka thënë për gazetën Rajoviç pas përfundimit të takimit. Sakaq, për t’i marrë reagim kroatit mbi këtë ndodhi ishte e pamundur.
Pritet masë ndaj kroatit, Babasi: Na dëmtoi ai veprim
Vedran Gerc bëri “harakiri” në Shkodër. Një debutim për t’u harruar për kroatin, i cili vetëm pas 15 minutash lojë godet me grusht malazezin Blazho Rajoviç. Ky moment duket se nuk do të mbetet vetëm me atë karton të kuq, pa përmendur ndonjë masë që do të marrë edhe Komisioni i Disiplinës, pasi do vërë në zbatim edhe rregulloren që ka klubi bardheblu. Pritet që të ketë penalizim për të, por se çfarë konkretisht, kjo akoma nuk dihet. Paraprakisht pritet që të ketë një takim dhe vetëm pasi të merret edhe versioni i lojtarit, do të merret një vendim. I kontaktuar nga gazeta, sponsori i skuadrës së Tiranës, Ndriçim Babasi, tregoi se ai veprim i sulmuesit i ka dëmtuar pa masë. Ndaj do të merret parasysh që lojtari të dënohet dhe rasti i tij të bëhet shembull për të tjerët. “Ishte një veprim i nxituar i tij, që na dëmtoi pa masë. Nuk ka vend për justifikim, çfarëdo që të ketë ndodhur mes lojtarëve. Ajo çka dimë është se skuadra mbeti me 10 lojtarë për 75 minuta dhe që në fund humbëm. Besoj se gjykatat sportive nuk do e anashkalojnë këtë rast, pasi është i rëndë. Por edhe klubi do të zbatojë rregulloren dhe do të marrë masë ndaj tij, që të kthehet në shembull për të tjerët. Se çfarë mase do të jetë, këtë nuk mund ta them, pasi nuk jam unë ai që vendos. Fillimisht do pyetet edhe lojtari për versionin e tij, por edhe trajneri. Jam i zhgënjyer, nuk e prisja. Kjo ishte humbja e parë, dhe erdhi në rrethana të tilla. Uroj që të mos përsëriten më dhe në fushë të luhet vetëm futboll”, – përfundoi njëri prej donatorëve të Tiranës.
Refik Halili e ndjek takimin me tifozët
Refik Halili e ka ndjekur ndeshjen e djeshme nga shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, i veçuar nga drejtuesit e tjerë të të dyja skuadrave. Ai nuk është ulur në tribunën VIP, por ka preferuar që ta përjetojë atë nga shkallët e këtij impianti bashkë me tifozët, e pikërisht mes atyre shkodranë. Ndërsa sponsori tjetër, Ndriçim Babasi, e ka ndjekur nga tribuna VIP këtë përballje, përkrah dy emrave të mirënjohur të Tiranës në vite, si Krenar Alimehmeti që është administrator i klubit dhe Florian Riza. Sakaq, nga ana e drejtuesve të Vllaznisë, i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së qytetit, Lorenc Luka, i cili njëherësh është edhe president i klubit.
Ndjekje penale për Vedran Gerc
Klubi bardheblu mund të bëjë padi penale ndaj sulmuesit kroat, Vedran Gerc. Burime zyrtare pranë drejtuesve, treguan dje për “Panorama Sport” se lojtari ka pranuar pas ndeshjes që ka goditur qëllimisht mbrojtësin malazez, Bllazho Rajoviç. Kjo ka irrituar shumë drejtuesit bardheblu, të cilët tashmë po mendojnë të denoncojnë lojtarin e tyre për veprimin që ka bërë gjatë lojës.
ADMIR URUÇI