Gersi Arbri: Tomori nuk bën përpara me kuadro në prag të pensionit, ja çfarë duhet të bëjë Bashkia Berat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 18:13

Gersi Arbri: Tomori nuk bën përpara me kuadro në prag të pensionit, ja çfarë duhet të bëjë Bashkia Berat

Gersi Arbri, pasi ka mbyllur eksperiencën e parë në Arabinë Saudite si trajner, është rikthyer pranë familjes në Beratit. Për “Panorama Sport” ai përcjellë emocionet dhe ndjesitë e provuara si trajner në Arabinë Saudite, por nuk anashkalon edhe “hallet” e Tomorit.

gersi arbri

”Fillimisht eksperienca ime në Arabinë Saudite i ngjasonte një bote të padukshme. Atje po bëhet një investimin kolosal dhe shumë shpejt do të jetë në nivelin më të lartë teknik dhe konkurrues të shteteve elitare, që përfaqësojnë majën e futbollit botëror. Këtë e dëshmon edhe aktivizimi i dhjetëra dhe qindra yjeve të futbollit botëror. Unë, së bashku me kolegun tim Shabanaj kemi punuar dhe kemi qenë rezultativ në klubin e Albatinit, duke përcjellë dhe treguar vlerat e futbollit shqiptar. Para nesh i kish treguar edhe një teknik i njohur si Ernest Gjoka.

Ekipi që drejtoja është ngjitur në kampionatin elitar. Të jem i sinqertë, suksesi që kam arritur, më ka hapur oreksin që të kem më shumë pretendime dhe jam në kontakte me disa skuadra saudite, ashtu sikur më pëlqen të punoj edhe në Europë. Por, besoj se karriera ime do të vijoj edhe sezonin e ardhshëm në Arabinë Saudite, ku jam duke bërë më të mirën edhe si një përfaqësues i denjë i futbollit shqiptar”, u shpreh fillimisht trajneri Gersi Arbri.

DËSHTIMI I TOMORIT- Sa i përket situatës së futbollit beratas Gersi Arbri deklaroi: “Sa i përket dështimit të skuadrës sime të zemrës, Tomorit, jam i ligështuar, sepse familjarisht i kemi dhënë shumë në breza. Asgjë nuk më duket e rastësishme në këtë dështim, pasi ka qenë një dështim i paralajmëruar. Nuk mund të punohet me skema të vjetruara organizimi, që lidhen jo vetëm me ekipin drejtues dhe mentalitetin e vjetruar në kohë. E kam provuar edhe vetë, por në Berat nuk mund të punohet më me kuadro në moshë pensioni. Edhe babai im, Theodhor Arbëri, që i ka dhënë shumë futbollit beratas, me moshën që ka, mund ta respektosh duke i marrë një mendim apo një këshillë.

Nuk po them të drejtojë klubin e futbollit, sepse nuk ka as energji dhe as ide të futbollit bashkëkohor. E mora si shembull babain tim për shkak të moshës, por Berati ka dhjetëra djem të rinj që kanë kualifikimet e duhura si ish-lojtarë dhe trajnerë dhe nuk duhen lënë në hije. Berati është për “faqe të zezë”, me vetëm një fushë futbolli dhe askush nuk kujdeset për përgatitjen e ekipeve të moshave. Pak punohet dhe financohet me moshat në qytetin tonë, çka e bën të padobishëm investimin për futbollistët jabanxhinj, të cilët vijnë dhe marrin rrogat, por nuk i japin asnjë rezultat Tomorit. Në fund kam një mesazh për Bashkinë Berat. Fillimisht duhet të marrë urgjent në shqyrtim privatizimin e Tomorit. Pastaj,  mirë bëjnë që kujdesen për fushën e turizmit, por duhet ta dinë  mirë në bashki, se futbolli me histori 100 vjeçare është më shumë i rëndësishëm se shifrat që raportohen për turizmin. Le t’i japin jetë qytetit duke i rikthyer vlerat sportive”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"