Gjarpërinjtë pushtojnë stadiumin e Librazhdit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2014 | 9:03

Gjarpërinjtë pushtojnë stadiumin e Librazhdit

SopotiGjarpërinjtë “pushtojnë” stadiumin në Librazhd. Duket e çuditshme, por ja që është e vërtetë. Teksa ekipet e grupmoshave të Sopotit po kryenin seancën stërvitore të paradites në fushën e blertë të stadiumit të Sopotit, njëri prej lojtarëve, i cili ka qenë duke bërë nxehmjen, ka hasur disa gjarpërinj, të cilët kanë dalë në pjesën fundore të fushës, atje ku bari ka qenë më i dendur. 14-vjeçari është frikësuar, ndërsa ka lajmëruar shokët e skuadrës të bënin kujdes. Në këto kushte, trajneri Besnik Çota e ka ndërprerë stërvitjen, duke i zhvendosur djemtë në pjesën tjetër të fushës. Lojtarët e rinj, të frikësuar pas kësaj ngjarje, kanë pohuar se kjo nuk është hera e parë që hasin gjarpërinj në fushë, të cilët shfaqen më së shumti gjatë stinës së verës kur fusha nuk korret. Po ashtu gjarpërinjtë dhe bretkosat janë shfaqur edhe përgjatë gjithë vijës së kanalizimeve të fushës. Në këtë periudhë të vitit, fusha e stadiumit dhe aneksi i saj, në pjesët fundore ngjan më shumë si shkurre, sesa si një fushë ku luhet futboll. Kjo për shkak se pas përfundimit të kampionatit në Librazhd nuk është kujdesur më askush për mirëmbajtjen e saj, pasi të gjithë presin një lajm të mirë për rikonstruksionin total të stadiumit, për të cilin ende deri më tani nuk është bërë asgjë.
Projekti – Projekti i realizuar nga Bashkia Librazhd për stadiumin ka mbetur në letër, pasi mungon financimi. Mbi këtë stadium nuk është vënë dorë që prej vitit 1964, kur është ndërtuar. Pra plot 50 vite pa u ndërhyrë. Nga ajo kohë e deri më sot gjendja e stadiumit vetëm është rënduar, duke u katandisur në gjendje, që ndodhet aktualisht. Drejtuesit duke njohur mirë situatën, e dinë që nuk kanë asnjë shpresë për një “OK” të mundshëm nga FSHF për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Sopotit në këtë stadium. Kështu që është menduar si plan rezervë që librazhdasit t’i zhvillojnë ndeshjet e sezonit të ardhshëm në stadiumin e Cërrikut ose Peqinit. Të gjithë shpresojnë që stadiumi të rikonstruktohet, por në të kundërt drejtuesit kanë gati “planin B”.
LEDION QOSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"