Gjashtë lojtarë “padisin” Kastriotin në FSHF
Pas Enkel Alikajt, edhe Erald Turdiu, Elton Muçollari, Parid Xhihani, Argent Halilaj dhe Jetmir Sefa kanë paditur në Federatën Shqiptare të Futbollit klubin e tyre, Kastriotin, për pagat e prapambetura. Lajmi bëhet i ditur nga FSHF-ja, e cila ka depozituar edhe ankesat e lojtarëve të mësipërm. Problematika e pagave të prapambetura te klubi krutan ka nisur prej kohësh, por vetëm para disa ditësh është bërë edhe publik. Një pjesë e mirë e lojtarëve nuk janë paguar, ndërsa ka nga ata që duhet të kishin marrë një pjesë të kësteve të pagesave që në muajin janar. Ndërkaq, dje skuadra është gjendur sipas lajmërimit në orën 11:00 në kompleksin e Dinamos për seancën e zakonshme stërvitore, së cilës i ka paraprirë edhe një analizë e shkurtër për ndeshjen e fundit me Laçin. Por asnjë fjalë për problemet që ka pasur kohët e fundit skuadra: as në drejtim të zgjidhjes së problemeve financiare dhe as të qëndrimit në lidhje me tolerimin e supozuar të disa lojtarëve në ndeshjen me Laçin. E gjitha ka qenë një seancë normale me Dragoin dhe Muçollarin që kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar për shkak dëmtimi. Sidoqoftë, jo se janë mbyllur problemet, por duket se të gjithë janë në pritje dhe me shpresë që problemet që kanë lindur të mund të zgjidhen brenda kësaj periudhe deri në përfundim të kampionatit. Në fakt, për pagat mujore të prapambetura, siç është thënë dhe në një komunikim për gazetën “Panorama Sport”, është dhënë një afat se do likuidohen në këtë periudhë të fillimit të muajit dhe konkretisht deri më datë 10 maj. Lojtarët shpresojnë që këto premtime të mbahen nga ana e klubit, pavarësisht problemeve që mund të kenë ortakët. Megjithatë, të ndodhur para kësaj problematike, gjatë futbollistët e mësipërm nuk kanë pritur datën 10 maj, por kanë depozituar ankesën e tyre dhe vetëm nëse do paguhen, do ta tërheqin përsëri.
Murat Aruçi