Gjermania mundet edhe nga Kolumbia, Flik: Jam i zhgënjyer nga gjithçka, kemi prekur fundin
“Tmerr”, fraza përkuese me gjendjen e përfaqësueses gjermane në vitin e fundit. Dueli me Kolumbinë shërbeu si testi i fundit për muajin qershor, pas dështimit në marrjen e rezultatit pozitiv ndaj Ukrainës dhe Polonisë. Presioni mbi Hansi Flikun filloi të merret me nota “asfiksuese”, aq sa ky i fundit u detyrua në media të pohonte se fitorja karshi amerikano-latinëve vështrohet si detyrim.
NDESHJA- Flik u rikthye edhe një herë në versionin e vjetër te “pancerat” në planin taktik, e ndikuar në rreshtimin 4-2-3-1. Eksperimentimi me 3 shtylla qendrore në fazën e prapavijës nuk dha përfundimin e dëshiruar dhe në një panoramë të tillë 58-vjeçari nuk ndërmori aventura të tjera taktike. 45′ e para nuk patën asnjë lidhje në krahasim me deklaratat pararendëse. Musiala-Gyndoan-Sane përbënë trinomin e fazës ofensive, ndërsa Kai Haverc qëndron i vetmuar në majë të sulmit.
Manovrat e vendësve mbetën të vakëta, ndonëse inkursionet nga krahët përpiqeshin të ndryshonin tempin. Kolumbia, nga krahu tjetër, demonstroi qetësi vetëm në shifra, pasi interpretimi i lojës përkon me një “fushëbetejë” të vërtetë, pavarësisht se takimi mbajti nuanca miqësore. Rezultati i bardhë i dha fund fraksionit të parë, aty ku të besuarit e Flikut nuk i përmbushën pritshmëritë e tifozëve. Nisja e pjesës së dytës prezantoi tjetër tablo. Vrulli i miqve u konkretizua në minutën e 54-t me autor Diazin. Kaq mjaftoi për të ndezur shkëndijat në të dyja kampet me daljet respektive. Ish-trajneri i Bajernit në një situatë aspak të këndshme vendosi të shtonte forcat në sulm me Fylkrugin në vendin e “regjisorit” Emre Xhan. Megjithatë, gjetja e të çarave në mbrojtjen mike u kthye në mision të pamundur.
Në kërkim të baraspeshës, Kolumbia gjeti kurajën t’i mbyllte hesapet me kampionët e 4-fishtë në spektrin e Botërorëve, por ndërhyrjet vendimtare të Mark-Andre ter Shtegen i thanë “jo”. Evoluimi i minutave dëshmoi qartë se në çfarë pozite ishte kapluar Hansi. Mimikat e zhgënjimit te futbollistët vendës folën “më tepër” seç duhet, e cila bën të kuptosh organizatorët, gjendet në një nga momentet më të vështira në dekadat e fundit, për të mos thënë më të keqin në histori. Kapitullimi u sinjalizua në minutën e 82-të, ku Kuadrado ekzekutoi saktësisht penalltinë dhe mbylljen e “kornizës finale”.
FLIK – Hansi Flik nuk ia ka dalë të ruajë nervat në deklaratën për shtyp pas disfatës së radhës ndaj Kolumbisë. 58-vjeçari e ka konsideruar zhgënjim faktin se lojtarët e tij nuk ishin në gjendje të vinin në funksion planin taktik, duke treguar se ata po përjetojnë situatë delikate dhe grupi nuk ka më besim: “Tepër i zhgënjyer. Kontingjenti nuk ishte në gjendje të vinin në zbatim lëvizjet që kemi aplikuar në seancat stërvitore. Ne dëshironim të provonim diçka ndryshe në këto teste, por ja që përfundimi nuk dha produktivitet. Justifikimet janë të kota në këtë pikë. Kërkohet një analizë e thellë për të kuptuar se çfarë po ndodh. U kërkoj falje tifozëve, ata besonin te ne. Shpresoj se skena të tilla do të harrohen. Komponenti, i cili më shqetëson më tepër koçidon me mungesën e besimit te grupi. Eliminimi i këtij faktori mbete jetik”, përfundoi Hansi Flik. “Pancerat” në 3 testet e qershorit nuk korrën asnjë fitore, e përkthyer me 2 humbje dhe 1 barazim karshi rivalëve mesatarë.
SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"