Gjilani i Klodian Duros nuk ndalet, huazon një tjetër futbollist nga Kukësi
Kukësi për të tretin vit radhazi nuk merr pjesë në Kupat e Europës, duke qenë një dështim jo i vogël për klubin. Investimet nuk kanë munguar, por në fund skuadra nuk ia ka dalë që të sigurojë një biletë që të dërgon në kompeticionet ndërkombëtare.
Mirëpo, nëse vetë klubi nuk merr pjesë në Europë, ka përfaqësuesit e tij në këtë kompeticion. Pas portierit Angelo Tafas dhe sulmuesit, Atdhe Rashiti, në ekipin e Gjilanit do të shkojë huazim edhe mbrojtësi Franko Lamçe.
Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se ekipi nga Kosova ka kërkuar edhe shërbimet e 24-vjeçarit dhe është gjetur dakordësia për këtë huazim. Sakaq, dy të parët madje janë aktivizuar edhe në miqësoren që ekipi i Gjilanit ka pasur së fundmi me Dukagjinin, duke hyrë në fushë në pjesën e dytë.
Ndonëse nuk pritet që klubi i Kukësit të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë financiarisht nga ekipi i Gjilanit, shpresohet te paraqitjet e tyre pozitive që të jenë në fokusin e ndonjë skuadre që mund të kërkojë të blejë kartonin e tyre.
Mesa duket, vetëm shitja e ndonjë lojtari mund të mbulojë “gropën” financiare të klubit për këtë vit, ndaj në Kukës do të qëndrojnë në pritje të ofertave për këta futbollistë.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"