Gjilani zyrtarizon transferimin e dy lojtarëve, Kukësit i largohen titullarët për në Europë
Angelo Tafas dhe Atdhe Rashiti do të luajnë me Gjilanin në Kupat e Europës dhe lajmi i publikuar nga “Panorama Sport” pak ditë më parë, është zyrtarizuar sot nga klubi i Gjilanit.
Portieri dhe sulmuesi që sezonin e fundit ishin titullarë me Kukësin do të provojnë të lënë gjurmë në Ligën e Konferencës, aty ku Gjilani luan kundër Progres Niederkornit.
“Sport Club Gjilani konfirmon ardhjet e përkohshme të futbollistëve Angjelo Tafas dhe Atdhe Rashiti nga radhët e Kukësit. Klubet kanë gjetur akordin për këtë marrëveshje dhe me këtë rast shprehim falenderimet më të sinqerta për bashkëpunimin e ofruar nga FK Kukësi.
Gjithashtu, konfirmojmë edhe arritjen e marrëveshjes me FC Ballkani për futbollistin Enea Koliçi, duke u dëshiruar njëherit shumë suksese në garat evropiane.
Të gjithë futbollistët e tjerë vazhdojnë të mbetur në lidhje kontraktuale me klubin dhe janë të regjistruar për ndeshjet kualifikuese në Ligën e Konferencës.
Klubi njofton se ekspedita kuq & bardh do të udhëtojë më datën 11 Korrik drejt Luksemburgut, me ç’rast do t’i zhvillojë dy seanca stërvitore para ndeshjes të datës 13 Korrik ndaj ekipit vendas Progres Niederkorn”, shkruan klubi i Gjilanit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"