Gjyla: Jam gati, dëmtimi i përket së shkuarës
Lushnja është në ditët e fundit të pushimeve. Skuadra do të zbresë në fushë më 10 korrik, për të nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri.
Deri tani janë bërë 14 prezantime zyrtare, mes rinovimeve dhe afrimeve. Ditët e fundit të merkatos verdhejeshile janë spostuar në Greqi, teksa klubi ka siguruar shërbimet e mbrojtësit Gilberto Gega dhe sulmuesit Niko Zisi. Sakaq, futbollistët lushnjarë janë stërvitur në mënyrë individuale gjatë kësaj kohe. Ata duan që të jenë në formë, kur të vihen nën urdhrat e Gugash Maganit.
Këtë e thotë edhe Ervis Gjyla, një prej lojtarëve të konfirmuar nga vjet. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi thotë që e ka kaluar dëmtimin e vjetshëm dhe ndihet më në formë se kurrë.
“Jam stërvitur individualisht deri tani. Të hënën fillojmë stërvitjen në mënyrë të organizuar. Për mua e rëndësishme është që e kalova plotësisht dëmtimin e vitit të kaluar. Jam mirë dhe kjo është kryesorja. Duhet të ndihesha mirë që të bësh një sezon po të mirë. Shpresoj të na shkojë mbarë ky kampionat dhe të bëjmë më të mirën për ekipin”, përfundoi 31-vjeçari.
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"