Godet Partizani, firmos kosovari Fazliu. Kompletohen përfundimisht edhe sulmi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2014 | 18:00

Godet Partizani, firmos kosovari Fazliu. Kompletohen përfundimisht edhe sulmi

FazliuTjetër afrim te Partizani. Goditja e radhës mban emrin e sulmuesit kosovar, Astrit Fazliu. Sulmuesi 26-vjeçar, i cili deri ditën e martë ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ka arritur marrëveshjen me 15 herë kampionët e Shqipërisë. Ndonëse nuk jepen shumë të dhëna në lidhje me këtë të fundit, gazeta ka mësuar se Fazlliu ka firmosur një kontratë 1-vjeçare nga e cila do të mund të përfitojë rreth 3500 euro në muaj. Duhet thënë se lojtari është një njohje e vjetër e trajnerit Shpëtim Duro, sepse së bashku ishin pjesë e Shkëndijës së Tetovës në edicionin e kaluar. Madje ka qenë pikërisht tekniku shqiptar që e pat marrë sulmuesin në merkaton e dimrit të këtij viti te skuadra tetovare, duke fituar pikërisht garën me Partizanin, ekip që drejton aktualisht.
Karriera – Në futbollin kosovar, por edhe te Shkëndija, Fazlliu ka qenë ndër protagonistët kryesorë me performancën dhe golat e shënuar. Te Partizani, kosovari gjen shumë nga ish-shokët e tij, me të cilët ka luajtur më parë te Prishtina dhe Shkëndija e Tetovës. Në sezonin e kaluar, sulmuesi në fjalë kishte shënuar 8 gola me fanellën e tetovarëve. Në Kosovë, ai ka luajtur me Ferizajn, vendlindjen e tij, dhe Prishtinën. Ai luan si sulmues qendror, por edhe në të dyja krahët e repartit ofensiv. Duhet kujtuar se presidenti i Partizanit, Gaz Demi, e kërkoi edhe janarin e këtij viti për ta sjellë te 15 herë kampionët e vendit, por asokohe u tregua më operativ trajneri Duro, që e tërhoqi nga Kosova, ku kishte shënuar 9 gola në pjesën e parë të sezonit, për te Shkëndija e Tetovës. Te “demat e kuq”, kosovari do të mbajë të veshur fanellën me numrin 9. Në këtë mënyrë, shkon në tre numri i lojtarëve të marrë me vete nga trajneri Duro te të kuqtë. Veç sulmuesit Astrit Fazliu, më herët i janë bashkuar Partizanit edhe Bunjamin Shabani dhe Ardian Cuculi.
Aktivizimi – Me këtë blerje, të kuqtë besojnë se i kanë hedhur pas krahëve problemet në vijën e parë, ku çaluan shumë sezonin e kaluar. 26-vjecari pritet të jetë zgjedhje e parë e trajnerit Duro, pasi gëzon dhe formën e duhur fizike për shkak të aktivizimit në Europa League me Shkëndijën e Tetovës. Madje nuk përjashtohet mundësia që të luajë titullar që në sfidën e parë të kampionatit në transfertë me Laçin.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"