“Godet” Skënderbeu, Takaj nënshkruan me Fatjon Sefën. Priten Berisha dhe Mazrekaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2014 | 8:14

“Godet” Skënderbeu, Takaj nënshkruan me Fatjon Sefën. Priten Berisha dhe Mazrekaj

Fatjon SefaSkënderbeu bën goditjen e radhës në merkato. Ai është Fatjon Sefa. Presidenti Ardian Takaj, pasi ka rinovuar me disa prej titullarëve kuqebardhë në sezonin e fundit, ka nisur përforcimet e spikatura nga kampionati shqiptar. Kreu i presidencës së kampionëve nuk ka hezituar, por ka firmosur kontratë 1-vjeçare me Fatjon Sefën, goleadorin e njohur, që e mbylli sezonin e fundit si pjesë e Besës, skuadrës që ra një kategori më poshtë. Lushnjari shënoi 13 gola për kavajasit, duke qenë mjaft produktiv, pavarësisht se nuk arriti t’i shpëtonte verdhezinjtë nga disfata. Më herët ka luajtur me skuadrën e qytetit të lindjes, Lushnjën, ndërsa spikati me lojën e tij, sidomos në ajër, kur u bë pjesë e Dinamos në sezonin 2009-2010. Asokohe provoi të fitonte edhe titullin e kampionit me blutë kryeqytetas, ndërsa shënoi 13 gola, duke u dhënë atyre një dorë të fuqishme drejt përmbushjes së objektivit madhor. Duke njohur profilin e tij si një sulmues “pykë”, mbetet të shihet si do procedohet me kroatin Pero Pejic, kryegolashënuesin më të mirë të Superiores, me 20 gola, i cili duket pothuajse i të njëjtës staturë me lushnjarin.
Pejiç – Gjigandi kroat, në fakt është jashtë kontrate për momentin me Skënderbeun, pasi i ka mbaruar ajo, por ka bërë të ditur se është gati të rinovojë. Ky premtim ka ardhur nga Kroacia, ku sulmuesi ndodhet aktualisht me familjen për të shijuar pushimet 30-ditore. Pasi mori edhe 30% e kontratës së sezonit të fundit, ashtu sikundër e vuri kusht vetë Pejiç për rinovimin, shtatlarti pranon se është gati që të zgjasë marrëveshjen me bardhekuqtë. Ai ka pohuar se sapo të kthehet në Korçë, konkretisht më 9 qershor, do të mbyllë gjithçka. Thotë se ka fiksuar një takim me presidentin Takaj në këtë datë, ku do të hedhë firmën te kontrata e re. A mund të luajnë bashkë Sefa dhe Pejiç? Kjo mbetet për t’u parë, por edhe për t’u sprovuar nga trajneri Josa. Në një situatë të tillë ngishtohen hapësirat për fierakun Andi Ribaj, edhe pse i takon një “takëmi” krejt tjetër sulmuesi nga dy shtatlartët, Pejic dhe Sefa.
9 lojtarë pezull – Nuk janë pak, por plot 9 futbollistë, që kanë mbetur pezull. Jo të gjithë kanë rinovuar kontratat e tyre, sa për vendim të klubit, aq edhe për dëshirë të lojtarëve. Pero Pejiç është një ndër ta, megjithatë ai e pranon se ka rënë dakord me presidentin Takaj dhe pritet të firmosë menjëherë pasi të kthehet në Korçë. Sabjen Lilaj, Gjergj Muzaka, Ditmar Bici dhe Andi Ribaj kanë diskutuar paraprakisht me kreun e klubit, por ende nuk kanë rënë dakord për rinovimin. Ndaj, pritet që të takohen sërish në të ardhmen për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Në këtë listë bënë pjesë edhe nigeriani Nuredin Orelesi, i cili nuk e ka zgjatur ende marrëveshjen. Por për të është një situatë e veçantë, teksa lojtari mohon rinovimin, kurse presidenti Takaj thekson se marrëveshja është mbyllur. Çështje delikate është edhe ajo e Ivan Gvozdenoviçit, Zljejko Tomiçit dhe Erbim Fagut. Të tre këtë futbollistë ende nuk janë ulur në tavolinë me drejtuesit e Skënderbeut, për të biseduar rreth të ardhmes së tyre. Madje, këta të fundit mund të quhen si më të rrezikuarit për t’u larguar nga Korça sezonin e ardhshëm. Por, pavarësisht gjithçkaje, pritet që këta futbollistë të jenë ditën e parë të grumbullimit në Korçë, si dhe me shumë mundësi edhe në turin eliminator të Champions Ligës, ku bardhekuqtë presin të zbulojnë kundërshtarin e tyre.
Pista braziliane – Skënderbeu mund të ketë në sezonin e ardhshëm dy vëllezër në formacion. Braziliani Markoni Riberio Soza, vëllai i mbrojtësit të djathtë të kampionëve, Ademir, është në fokusin e korçarëve. Gjithashtu, një tjetër lojtar nga vendi i Sambës po vëzhgohet nga drejtuesit e klubit. Bëhet fjalë për Maranao Rogerio Alves Nunes, i cili ka luajtur edhe në Europë dy vite më parë, pikërisht me Vitoria Guimaraes në Portugali. Vëllai i Ademir Sozës luan si mesfushor qendre, por mund të përshtatet edhe në krahun e djathtë. Nga ana tjetër, Maranao është sulmuesi tipik. Bëhet fjalë për dy futbollistë, të cilët mendohet se bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar. Burime pranë presidentit Ardjan Takaj, treguan se lojtarët kanë disa javë që janë sugjeruar nga menaxheri i FIFA-s, Mario Cenolli, i cili ka transferuar te Skënderbeu dy vite më parë brazilianin Ademir. Nga sa mësohet, trajneri Mirel Josa ka vëzhguar të dy futbollistët nëpërmjet DVD-ve, duke dhënë madje pëlqimin e tij. Takaj kërkon të ndërtojë një skuadër që mund të kalojë dy tyre në Champions dhe kësisoj në merkaton e verës pret që te Skënderbeu të vijnë lojtarë që bëjnë diferencën. Markoni dhe Maranao duket se futen në preferencat e korçarëve, por për momentin nuk mund të thuhet se ka garanci për afrimin e tyre. Bisedimet mes palëve vazhdojnë dhe ndoshta gjatë muajit të ardhshëm mund të merret një vendim konkret. Të njëjtat burime treguan për gazetën se edhe qendërmbrojtësi brazilian, Bruno Matavelli, është gjithashtu një alternativë për të forcuar Skënderbeun. Emri i tij është përmendur edhe në merkaton e janarit, por akordi mes palëve nuk u arrit. Gjasat janë që me rifillimin e stërvitjes në qershor, të paktën një prej brazilianëve të ketë arritur akordin. Si Markoni dhe Maranao janë aktualisht në aktivitet, teksa luajnë në klubet Serrani dhe Tupi të kampionatit Baiano dhe Seria C në Brazil.
Bicaj do rritje page – Ditmar Bicaj dhe Sabjen Lilaj nuk kanë vendosur ende për sa i përket rinovimit të kontratës me klubin e Skënderbeut. Mbrojtësi lezhjan, pak javë më parë ka pasur një takim me presidentin Takaj, por asgjë nuk ka shkuar sikundër ishin pritshmëritë e të dyja palëve. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se gjithçka ka ngecur te kushtet e kontratës. Mësohet se Bicaj ka kërkuar një rishikim të rrogës që ai përfiton te korçarët, mirëpo një gjë të tillë Takaj nuk e ka pranuar. Në këto kushte ka dështuar tentativa e parë për të firmosur një kontratë të re. Pritet që në javët e ardhshme të ketë një tjetër takim për të zgjidhur këtë ngërç me shtatlartin e mbrojtjes, i cili ka fituar katër tituj radhazi me fanellën e Skënderbeut. Ndërkohë, sa i përket mesfushorit Lilaj, ai ka kërkuar kohë nga presidenti Takaj, me qëllim që të vlerësojë të gjitha ofertat e mundshme që do të vijnë në adresë të tij nga jashtë Shqipërisë. Pas interesimit të vazhdueshëm të klubit qipriot, Omonia Nikosia, me të cilat menaxheri i mesfushorit vazhdon bisedimet, tashmë për korçarin ka edhe sinjale izraelite. Burime pranë mesfushorit bëjnë me dije për gazetën se klubi Hapoel Bnei Saknin ka kërkuar shërbimet e Lilajt. Javën e ardhshme mendohet se do të ketë diçka konkrete rreth të ardhmes së Lilajt, në një kohë që ka në tavolinë dy oferta, pikërisht nga Omonia dhe Hapoel Bnei Saknin.
Muzaka – Nuk ka asnjë të re lidhur me të ardhmen e mesfushorit Gjergji Muzaka. Ky i fundit duket gjithnjë e më pranë divorcit me Skënderbeun, në një kohë që Partizani dhe Tirana janë alternativat më të mundshme të mesfushorit të djathtë.

Merkato, në Korçë presin Berishën dhe Mazrekajn
Pas zyrtarizimit të Fation Sefës, te Skënderbeu tashmë po përgatiten për blerjet e radhës që do të përforcojnë akoma më shumë ekipin në prag të ndeshjeve të Europës. Lidhur me këtë fakt, burime pranë presidentit Ardjan Takaj, theksojnë se brenda javës së ardhshme Skënderbeu do të mbyllë bisedimet me sukses edhe për një tjetër lojtar të Besës. Bëhet fjalë pikërisht për kosovarin Bernard Berisha, i cili pritet që shumë shpejt të firmosë kontratën me bardhekuqtë. Berisha është dëshira kryesore e vetë kreut të klubit, për të cilin edhe trajneri Josa ka dhënë pëlqimin. Sipas këtyre burimeve, palët tashmë janë në bisedime dhe pritet që shumë shpejt të arrihet një akord përfundimtar. Përveç Berishës, një tjetër kosovar është gati t’i bashkohet Skënderbeut. Pas largimit përfundimtar nga Partizani, Mentor Mazrekaj mund të rikthehet sërish në Shqipëri, por këtë herë në Korçë. Klubi ka hyrë në bisedime për të siguruar shërbimet e mesfushorit. Ai konsiderohet si një alternativë shumë e mirë për krahun e djathtë të mesit të fushës, e sidomos kur pritet edhe largimi i kroatit Tomiç. Pasi ka mbyllur çdo marrëdhënie me “demat e kuq”, lojtari është i lirë. Një gjë e tillë nuk krijon pengesa për transferimin e tij te kampionët e vendit. Nuk është çudi që në datën 9 qershor, Mazrekaj të nisë bashku me grupin përgatitjet, si futbollist i Skënderbeut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"