Goditje në “paketë”, Apolonia afron 3 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2015 | 20:19

Goditje në “paketë”, Apolonia afron 3 lojtarë

Bruno HoxhaApolonia bën tri goditje në një ditë. Ashtu siç ishte paralajmëruar gjatë këtyre ditëve, klubi fierak ka zyrtarizuar dje tre futbollistët e rinj që do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ri.

Mesfushorët Julian Lluka, Ermal Sako dhe mbrojtësi Bruno Hoxha kanë firmosur kontratat me Apoloninë. Dje, ata janë prezantuar përpara mediave. I pari ka qenë pjesë e Luftëtarit kampionatin e kaluar, gjatë të cilit ka luajtur në 21 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Sako rikthehet në shtëpi pas një viti që kaloi te Bylisi.

Mesfushori luajti në 24 ndeshje, duke arritur së bashku me shokët e tjerë të skuadrës t’i rikthenin ballshiotët në Superiore. Nga dje, vendosi zyrtarisht të veshë sërish fanellën e skuadrës së vendlindjes. Bruno Hoxha, mbrojtësi shtatlartë, është afrimi i tretë. Dy sezonet e fundit ai ka qenë pjesë e Kukësit. Të tre këta futbollistë janë vëzhguar nga stafi teknik gjatë disa seancave stërvitore dhe në miqësoren me Orikumin dhe pas negociatave me drejtuesit, është arritur marrëveshja përfundimtare.

Blerim Krasniqi

Të enjten, Apolonia zyrtarizoi afrimin e sulmuesit Blerim Krasniqi.

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, lojtari u shpreh: “Jam njohur me ambiciet dhe strategjinë e Apolonisë. Të them të drejtën, kjo më bëri që ta gjenim shumë shpejt gjuhën e përbashkët me drejtuesit dhe të firmosja pa hezitim. Apolonia ka një ekip të fortë, ku shumica e lojtarëve kanë vite që luajnë bashkë. Shpresoj që të arrij formën time më të mirë të mundshme dhe të shënoj sa më shumë në portat kundërshtare. Jam i bindur se në startin e kampionatit të shtunën e ardhshme, kur unë do të debutoj, jo vetëm që Apolonia do të fitojë, por edhe unë do shënoj. Gjithsesi, duhet të jemi me këmbë në tokë, të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin ritëm si tani, pasi kemi ende punë për të bërë në drejtim të konsolidimit dhe harmonizimit të mëtejshëm të skuadrës. Gjithçka po shkon mirë dhe unë jam i bindur se, pavarë- sisht grupit të fortë ku bëjmë pjesë, do të dimë t’i sfidojmë vështirësitë dhe të shfaqim hapur pretendimet për ngjitjen në Superiore”.

Ermal Sako Julian Lluka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"