Gol pas tetë muajsh, Çota nderon Tiranën. Gallo: Fitore morali, por sytë i kemi në Kukës
TIRANA-ALBPETROLI 3-1
GOLAT: Çota 5′, 68′, Taku 67’/ Kapo 87′
TIRANA: Sejdo, Kërciku, Pashaj, Vrapi, Kotobelli, Taku, Karabeci, Doko (Limani 50′), Cake (Peposhi 46′), Çaushaj (Hysenbelliu 46′), Çota; Trajner: A.Gallo.
ALBPETROLI: Kaloshi (Kaja 28′), Derma, Mbyeti, Zharkalliu, Ruço, Brahja, Hidersha, Hatia, Gjoka (Jovani 73′), Hyseni, Siqeca (Kapo 80′); Trajner: A.Bedini
KARTONË TË VERDHË: Çaushaj 31′, Kërçiku 85′
GJYQTARË: E.Dyrmishi, B.Mesi, B.Berilloji (Tiranë)
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë);
DELEGAT: Enton Lita (Tiranë)
Tirana përmbys Albpetrolin dhe kualifikohet në kupë. Bardheblutë kanë fituar 3-1 dje në “Skënder Halili” dhe tashmë e shohin veten në raundin e dytë të këtij kompeticioni. Kryeqytetasit me këtë fitore kanë rigjetur jo vetëm qetësinë, por edhe golat. Dopieta e Mirel Çotës, i cili kthehet te goli pas 8 muajsh shterpësi dhe ai i Takut kanë zhvlerësuar atë të Kotes në të 87-n. Pas humbjes së pësuar një javë më parë në Patos, ekipi i Gallos dje ka gjetur fitoren dhe sulmin. Ndeshja – Takimi nisi shpjet për Tiranën, e cila u shfaq më mirëvendosur në fushë. Gallo kishte gërshetuar formacionin, teksa veç titullarëve, u kishte besuar edhe tre të rinjve. Bardheblutë zhbllokohen shpejt. Në minutën e 5-të, Kotobelli kombinohet bukur me Çotën, ky i fundit nuk e ka të vështirë që ta shtyjë topin në rrjetë dhe 1-0. Loja vazhdon dhe rastet shtohen, kryesisht prej vendësve, pasi miqtë në 5 minutat e para nuk rrezikuan asnjëherë portën e Sejdos. Në të 8′ është Karabeci që ekzekuton një goditje dënimi, Pashaj tenton me kokë, por portieri mik pret. Ky i fundit në të 11′ zëvendësohet, pasi dëmtohet pas një dyluftimi me Caken e Tiranës. Për minuta të tëra loja zhvendoset në mesfushë. Në të 42- n Çaushaj lëshon një kros në zonë, ndërsa Doko i ndodhur aty, nuk arrin që të përfitojë. Këtu mbyllet ky fraksion. Pjesa e dytë nis vrullshëm për vendësit, Çota ndihet më i lirshëm dhe rastet sa vijnë e shtohen, por pa realizuar. Siç ishte ai i të 47-s, kur portieri patosarak Kaja pret. Pas 4 minutash ka një rast edhe Peposhi, por sërish portieri mik reagon në kohë. Në të 67-n Tirana dyfishon shifrat. Kotobelli kombinohet me Takun, i cili në një pozicion të favorshëm gjuan me kokë dhe nuk gabon, 2-0. Pa kaluar një minutë, trefishohen shifrat. Limani kroson në zonë, Çota godet me kokë dhe e dërgon topin atje ku portieri i Albpetrolit nuk ka çfarë bën. Kur mendohej se gjithçka do të mbyllej, në të 87-n miqtë ngushtojnë shifrat. Kapo shfrytëzon një kros nga jashtë zone, gjuan me kokë, Sejdo pret, por pasi topi kishte kaluar vijën fatale dhe 3-1. Tirana ka shansin të shënojë sërish, Hysenbelliu i jep një asisit perfekt Çotës, por krosi i mesfushorit nuk shfrytëzohet mirë nga sulmuesi, i cili gjuan, por pa rrezikuar. Megjithatë, ky rezultat u shkon për shtat bardhebluve, që tashmë e shohin veten në turin e dytë.
Gallo: Ishte fitore morali, por sytë i kemi në Kukës
Alpin Gallo, trajneri i Tiranës, në fund të takimit deklaroi se kjo fitore ishte për moral. Ndaj ana tjetër tregon se kjo sfidë ka qenë në kuadër të Kukësit, kundërshtar i radhës në kampionat. Pikërisht aty synohet kthesa e madhe, pasi vetëm me një trepikësh në kampionat, kryeqytetasit do të gjejnë qetësinë e munguar. “Me Albpetrolin zgjodhëm të luanim në këtë fushë sintetike, pasi edhe në Kukës na pret një terren i tillë dhe donim të përshtateshim. Fitorja dhe kualifikimi na gëzon, pasi na shërbeu për moral, pak ditë para takimit me kuksianët. Megjithatë, ende vuajmë nga ana psikologjike, dhe kjo u duk në fund, teksa pësuam edhe golin. Nuk u ndëshkuam për ide të kundërshtarit, por prej nervozizmit që shfaqën lojtarët e mi. Kjo gjendje duhet të kalohet dhe uroj t’ia dalim shpejt. Tirana ka nevojë për besim, pasi ne lojë bëjmë dhe futboll të bukur ofrojmë, por nga ana mendore jemi të kontaktuar. Tani nuk ka kohë për zgjedhje, pasi janari është larg. Kur të hapet merkatoja mund të ndryshojmë diçka. Nuk kemi vendosur akoma asgjë, por shpjet do piketojmë edhe lojtarët. Sa u përket të rinjve, treguan vlera, por kanë ende nevojë për kohë”, – tha Gallo.
Interesimi i tifozëve
Ata janë aty, edhe pse pak ditë më parë kanë shfaqur hapur revoltën e tyre ndaj Tiranës. Tifozët bardheblu, edhe pse luhej në fushën sintetike të kompleksit “Skënder Halili” dhe dihet që kushtet e akomodimit nuk ekzistojnë, nuk munguan të përkrahin ekipin e zemrës. Përtej hekurave rrethues, brenda një lokali aty pranë, apo mbi tarracën e tij, ata zunë vend dhe për 90 minuta mbështetën skuadrën kryeqytetase.
Dede ndjek Tiranën
Nevil Dede dje ka parë ndeshjen e ish-ekipit të tij. I akomoduar në lokalin pranë kompleksit “Skënder Halili”, ai e ka ndjekur me shumë interes takimin e dytë të turit të parë të kupës, mes Tiranës dhe Albpetrolit. Kujtojmë që në sfidën e parë, e cila u humb 1-0 në Patos, pankina është drejtuar pikërisht prej Dedes. Madje ai u largua nga posti i tij pikërisht pas asaj disfate. Ai vazhdon të jetë i pezulluar, pasi klubi kryeqytetas ende nuk po i jep shkarkimin.
Stërvitje edhe para ndeshjes
Tirana ka vijuar përgatitjet edhe dje, ndonëse skuadra do të zhvillonte ndeshjen e kthimit për kupë. Lojtarët që ishin lënë pushim janë stërvitur para takimit me Albpetrolin, në kuadër të ndeshjes së fundjavës, që do ta luajnë kundër Kukësit. Kjo sfidë luhet të dielën në transfertë, ndaj vëmendja e stafit teknik ka qenë e fokusuar pikërisht te java e fundit e fazës së parë të kampionatit, duke qenë se kualifikimin në kupë nuk e vinin në dyshim. Bardheblutë renditen në vendin e fundit në renditje, e për pasojë kërkohet me çdo kusht kthesa ndaj kuksianëve. Klubi ua ka bërë të qartë lojtarëve, që presin vetëm fitore.
ADELA MERKO