Golashënuesi i Burrelit flet për fundin e sezonit, Farruku: E meritonim fitoren dhe qëndrimin në të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2024 | 14:50

Golashënuesi i Burrelit flet për fundin e sezonit, Farruku: E meritonim fitoren dhe qëndrimin në të Parën

Me fitoren e arritur të mërkurën ndaj Apolonisë, ankthi i mbijetesës në të Parën ka marrë fund, ndryshe nga një vit më parë, kur u desh ndeshja shtesë ndaj Pogradecit, që të siguronin Kategorinë e Parë. Këtë herë hesapet i mbyllën brenda 33 javëve kalendarike. 

farruku

Tre fitoret e fundit ishin përcaktuese për skuadrën e Himës në qëndrimin në kampionatin e Kategorisë së Parë. Pas 33 javësh, skuadra e Burrelit u rendit me pikë të barabarta me skuadrën krutane dhe ndanë vendin e shtatë dhe tetë me nga 40 pikë. Ndërsa golaverazhi 28-43, e bën këtë skuadër një nga ato të gjashtëshes së fundit që ka pësuar më pak gola. Ndërsa pozicionimi në vendin 13-të me tetë gola të shënuar nga sulmuesi Florenc Farruku, e bën futbollistin golashënuesin më të mirë të skuadrës. Në tetë gola të shënuar 22-vjeçari Farruku, tre ia ka shënuar fierakëve, duke u bërë në një far mënyre “mace e zezë” për portën fierake.

Fitoren e fundit ndaj Apolonisë, që vulosi e qëndrimin në kategori, është festuar gjatë në një nga restorantet e njohura të qytetit, ku për disa orë futbollistë e drejtues nën ritmet e këngëve dhe valleve të zonës dhe më gjerë, i dhanë fund një sezoni stresues që i mbajti në ankth deri në javën e fundit të kampionatit. Në një prononcim për gazetën, autori i dy golave në ndeshjen ndaj fierakëve, Florenc Farruku, mes të tjerash thotë: “Ndeshja ndaj fierakëve ishte finale për skuadrën tonë. Fitorja e arritur erdhi në saj të vlerësimit dhe presingut të bërë qysh në minutat e para të ndeshjes. Shfrytëzimi i rasteve që na u paraqitën e bënë fitoren më se të merituar. Këtë fitore ia dedikoj familjes dhe sportdashësve tanë, që jo vetëm sot, por dhe në momente kritike, nuk na braktisën asnjëherë”.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"