Golashënuesja më e mirë e kampionatit, Valentina Troka shkurorëzon Megi Doçin
Apolonia, ndeshjen e fundit të kampionatit, udhëtoi drejt fushës sportive të Barbullushit, për takimin e fundit të sezonit, atë kundër Kukësit.
Një ndeshje që për fieraket kishte vlerë të dyfishtë, pasi ishte i rëndësishëm edhe për garën e golashënueses, ndërmjet Valentina Trokës dhe Megi Doçit të Vllaznisë. Troka, e cila ka zhvilluar një sezon fantastik, e tundi plot 6 herë rrjetën në fitore 0-9 që fieraket regjistruan në transfertën e djeshme. Kështu, Valentina Troka e mbyll sezonin në kuotën e 65 golave, duke parakaluar në finish Megi Doçin, që dje realizoi një herë nga pika e bardhë e penalltisë ndaj Tiranës, për t’u ndalur në kuotën e 61 golave.
Për sa i përket ndeshjes në Barbullush, ajo nuk kishte histori, sepse që në minutën e 13-të, Hamonikaj realizoi golin e parë dhe më pas vijnë tre gola të Valentina Trokës 36’ 42’ 43’ duke shkuar në pushim 4-0 për Apoloninë. Në fraksionin e dytë, Bogdani ka vetëm tre minuta që ka hyrë në fushë dhe shënon golin e pestë e më tej vjen Avullija, që shkakton autogol dy minuta më pas dhe Apolonia kryeson 6-0.
Në fund Valentina Troka nuk përmbahet duke shënuar dhe tre gola të tjerë, 65’ 76’ dhe 90’, duke vulosur fitoren e thellë të Apolonisë 9-0 dhe sigurisht meritë për fitimin e “Këpucës së Artë” me 6 golat e saj numri i përgjithshëm sezonal shkon në 65 gola. Kujtojmë se ekipi i FK Apolonia për femra është prej vitesh nënkampione e vendit dhe një skuadër e konsoliduar. Në të ka plot talente dhe lojtare me kontribute të çmuara në ekipin kombëtar dhe në futbollin e femrave në Shqipëri.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"