Goleadori, sfida e madhe e Dinamos në merkato/ Përgatitet identikiti i bomberit të ri
Nga faktorë të ndry shëm të klubit, por edhe nga njerëz të tjerë të futbollit, është thënë vazhdimisht që Dinamo nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës. Por cilat janë këto gabime? Pikësëpari ishte administrimi jo i mirë i disa situatave delikate dhe këtu po përmendim një shembull: trumbetimi i një ekipi për titull, vetëm pas 4 javësh kampionat.
Pas nuk mbetën as zgjedhjet e merkatos, në sasi dhe në cilësi. Kujtojmë që dy vjet më parë, u afruan mbi 20 futbollistë. Një zgjedhje e ndikuar kjo edhe nga fakti që nuk e kishin një bosht të vetin. Mungesa e gjatë në elitë për hir të së vërtetës bëri të veten dhe kjo u pasua nga disa gabime që peshuan shumë dhe sollën rënien e menjëhershme nga kategoria.
Ishte e pafalshme që Dinamo e nisi atë sezon me vetëm dy qendërmbrojtës dhe përshtati lojtarë të roleve të tjera gjatë rrugës. Ky ishte një nga handikapët më të mëdha, ashtu si dhe zgjedhjet dhe menaxhimi i sulmit. Tani që klubi dhe drejtuesit kanë marrë disa mësime të mira, pritet që këto gabime të shmangen.
GOLEADORI – Sfida e madhe e Dinamos në merkaton e verës është afrimi i një sulmuesi race. Bëhet fjalë për atë lloj lojtari që mund ta nxjerrë golin edhe nga hiçi, që mund ta shpëtojë skuadrën edhe kur ajo luan dobët. Është vërtet një sfidë e madhe, sepse do të jetë edhe lojtari me koston më të lartë, kështu që përgjegjësia për blerjen e tij është e madhe.
Me Superioren të siguruar prej disa javësh, drejtuesit po mendojnë pikërisht për identikitin e “goleadorit” të Superiores. Një lojtar që bluve u ka munguar dy sezonet e fundit dhe ka pasur ndikim të madh në ecurinë e kampionateve.
Dy vite më parë në elitë kishin Agim Ibraimin shënuesin më të mirë të Dinamos, që nuk është një sulmues qendre, për të mos përmendur Xhuliano Skukën. Një rast që vazhdojnë ta qajnë, pasi e larguan si të padobishëm në merkaton e janarit. Këtë sezon është Hoze Denison lojtari-gol dhe përsëri nuk është një qendërsulmues.
PROFILET – Gazeta “Panorama Sport” mëson se drejtuesit e Dinamos kanë nisur kërkimet dhe sondazhet për gjetjen e lojtarit me karakteristikat e përmendura më sipër. I vetmi detaj që është zbuluar ka të bëjë me faktin se blutë duan siguri dhe në plan të parë janë lojtarë që e njohin Superioren, por për momentin nuk përmendet asnjë emër, duke qenë se kampionatin nuk ka përfunduar dhe këta lojtarë janë nën kontratë.
Nëse nuk konkludohet me ndonjë nga sulmuesit e Superiores, do të shihen pista jashtë vendit, por në çdo rast bëhet fjalë për lojtarë me eksperiencë dhe që kanë pasur aktivizim të rregullt së fundi, për të mos përsëritur rastin “Rexhinaldo”. Jo sulmues që konsiderohen baste të rrezikshme, siç është rasti i Çinedusë në sezonin e fundit të Superiores.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"