Guardiola ka pse të buzëqeshë para duelit me Realin, shtriganët i kanë hequr mallkimin e Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2023 | 18:11

Guardiola ka pse të buzëqeshë para duelit me Realin, shtriganët i kanë hequr mallkimin e Champions

Pep Guardiola mund të marrë frymë i qetë dhe të mendojë se tashmë mund të fitojë përsëri si trajner Ligën e Kampioneve që i ka shpëtuar gjithmonë që kur iku nga Barcelona. Tani mbi të nuk rëndon më mallkimi i shtriganëve afrikanë.

guardiola

“Konfirmimi zyrtar” ka ardhur nga Dmitri Seluk, ish-menaxheri i Jaja Ture. Pasi Guardiola kishte larguar Ture nga formacioni e më pas nga skuadra te Mançester Siti, Seluk ishte ai i cili në vitin 2018 tregoi se si pasojë e mungesës së respektit që kishte shfaqur ai ndaj lojtarit nga Bregu i Fildishtë, shtriganët afrikanë e kishin mallkuar trajnerin katalanas që të mos fitonte më kurrë Ligën e Kampioneve.

Diçka humoristike në pamje të parë, por në fakt Siti nuk ia ka dalë ende të fitojë këtë turne, edhe pse Guardiola ka ndërtuar superskuadër që po dominon në Angli. Megjithatë, sot Seluk ka konfirmuar për “The Mirror” se mallkimi është hequr.

“Dua të kërkoj falje për këtë çështje, mendoj se ka ardhur koha t’i jepet fund dhe vetë Jaja Ture ndjen të njëjtën gjë, pasi nuk i uron asgjë tjetër veç suksesit klubit të Mançester Sitit.

Mund të them tani se magjia është hequr nga shtriganët dhe mendoj se Mançester Siti do të fitojë Ligën e Kampioneve me Pep. Kanë mundësi të mira këtë vit, por sido që të shkojë, do ta fitojnë me siguri brenda tre viteve të ardhshme”, tha ish-menaxheri i Jaja Ture.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"