Guardiola nis vitin e fundit të kontratës: E dua punën me Sitin si në ditën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2024 | 11:40

Guardiola nis vitin e fundit të kontratës: E dua punën me Sitin si në ditën e parë

Guardiola pohoi se dashuria e tij për punën e ka mbajtur atë në një vit të nëntë në stolin e Mançester Sitit, deklaratë që u jep tifozëve të “Qytetarëve” shpresën për një qëndrim më të gjatë të trajnerit katalanas.

guardiola

“Mail Sport” raportoi në maj se figurat kyçe në “Etihad Stadium” presin që menaxheri më i mirë i historisë së tyre të marrë kohë verën e ardhshme për të vendosur për të ardhmen e tij. Bordi i Sitit po bën një përpjekje të rëndësishme për ta mbajtur Guardiolën deri në vitin 2026, duke e çuar atë një dekadë në krye të klubit dhe e ka parë trajnerin të rifreskuar tani që ka nisur turin parasezonal në SHBA. Guardiola zbuloi këtë javë se ndihet i rikarikuar dhe, në një festë të sponsorit “Puma” pranë qendrës Rokefeler të Nju Jorkut, ai e bëri të qartë se ishte gati për një përpjekje të radhës për të ngritur trofeun e pestë radhazi të Premier Ligës.

“Nëse e doni atë që bëni, pse duhet të ndaloj?” tha ai. “Më pëlqen po aq tani sa kur më punësuan, kështu që le të shkojmë”. Kampionët e Anglisë do të përballen me Milanin në “Yankee Stadium” të shtunën mbrëma dhe do ta bëjnë këtë me një skuadër me mungesa, me lojtarë si Kevin De Bryjne, Bernardo Silva dhe Fill Foden që vijojnë të jenë me pushime. Rodri po shijon gjithashtu një pushim të zgjatur dhe Siti shpreson që çdo pezullim që mund t’i jepet për këngët me mesazh politik gjatë festimeve të Kampionatit Europian të Spanjës nuk do të ndikojë në fushatën e tyre në Ligën e Kampioneve.

Së bashku me Alvaro Moratën, Rodri u pa duke kënduar “Gjibraltari është spanjoll”, gjë që bëri që UEFA të hapte procedura disiplinore kundër dy lojtarëve të Spanjës, pasi Federata e Futbollit të Gjibraltarit paraqiti një ankesë zyrtare. Të dy u akuzuan në fillim të kësaj jave dhe organi disiplinor i UEFA-s ka fuqinë për të dhënë pezullime për kompeticionet europiane të vendeve dhe klubeve në të njëjtën kohë. Xhud Bellingam u pezullua zyrtarisht si për Anglinë dhe Realin e Madridit për një gjest të dyshuar të turpshëm të bërë pasi shënoi kundër Sllovakisë në raundin e 1/8-ave.

Merih Demiral, mbrojtësi i Turqisë që luan në Arabinë Saudite, u dënua për dy ndeshje të ekipit kombëtar për festën politike duke bërë shenjën e “ujkut”, e cila konsiderohet të jetë e lidhur me një grup të ekstremit të djathtë. Spanja ka dy ndeshje në shtator dhe pas dy precedentëve të mëparshme gjatë Europianit, Rodri ka të ngjarë të mos rrezikojë një pezullim të mundshëm pasi të nisë Liga e Kampioneve më vonë atë muaj. Federata e Futbollit të Gjibraltarit tha në deklaratën e saj se “vuri në dukje natyrën jashtëzakonisht provokuese dhe fyese të festimeve rreth fitores së ekipit kombëtar spanjoll të meshkujve në Euro 2024. Futbolli nuk ka vend për sjellje të kësaj natyre”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"