Gvozdenoviç dorëzon listën e dëshirave te Skënderbeu, Lika dhe Uçe në dyshim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2024 | 17:36

Gvozdenoviç dorëzon listën e dëshirave te Skënderbeu, Lika dhe Uçe në dyshim

Skënderbeu ende po punon për Mbrojtësi sezonin e ri. Edhe pse zyrtarisht korçarët filluan pushimet e fund sezonit menjëherë pas ndeshjes së fituar kundër Vllaznisë që vendosi vendin e katërt në kampionat duket se përgatitja e sezonit të ardhshëm ka filluar qysh herët. Kjo ka mbajtur në punë konstante dhe të përditshme drejtuesit e lartë të klubit korçar, së bashku me një pjesë të mirë të stafit.

GVOZDENOVIC

I tillë është rasti i trajnerit Ivan Gvozdenoviç, i cili edhe pse mbylli një sezon përtej pritshmërive ende nuk ka nisur pushimet. Serbi i Skënderbeut është ende në Tiranë duke pasur kështu takime të përditshme me presidentin Ardjan Takaj me të cilin po skicojnë ekipin për kampionatin e ri. Në momentet që flasim “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klub se trajneri i korçarëve i ka paraqitur presidentit Takaj në zyrën e tij të punës një listë me disa kërkesa dhe me emra të përveçëm lojtarësh, që kërkon t’i ketë pjesë e ekipit për sezonin e ri.

Edhe pse asgjë nuk bëhet me dije zyrtarisht por klubi është hermetik sa i përket informacioneve të merkatos gazeta mëson se Gvozdenoviç ka paraqitur disa alternativa edhe për lojtarët që janë në qendër të merkatos dhe që me shumë mundësi do të ndryshojnë ambient gjatë kësaj hapësire transferimesh. Një punë intensive kjo, e cila konsiston me plotësimin në masën 90% të ekipit. Lëvizje e shpejtë dhe e zgjuar e trajnerit bardhekuq që ka arritur të skicojë gjithçka, me qëllim që në nisjen e fazës përgatitore të ketë një ekip të plotë në dispozicion.

KONTRATAT – Për herë të parë në gjithë këto vite duket se Skënderbeu nuk do të ketë rrjedhje në masë të lojtarëve që mund të largohen me parametër zero në këtë hapësirë transferimesh. Klubi është treguar i zgjuar duke “blinduar” të gjithë grupin me kontrata afatgjata në mënyrë që të mos ketë rrjedhje pa përfitim financiar. Për momentin vetëm Griseld Lika është lojtari i vetëm i Skënderbeut që ka një kontratë në përfundim ndërsa pjesa tjetër është e blinduar. “Panorama Sport” mëson se me Likën dhe Uçen që ka një kontratë të vlefshme, por do të jetë i qartë për pozicionin e tij në klub bardhekuqtë, do të ulen në bisedime.

Me sulmuesin tiranas do të shihet mundësia për të gjetur akordin e zgjatjes së kontratës edhe për një sezon tjetër, por gjithçka do të varet nga vetë lojtari nëse do të jetë i gatshëm të pranojë kushtet e klubit. Afrikani Uçe Sebastine kërkon të dijë më mirë projektin e klubit dhe përfshirjen e tij në këtë projekt. Në kushte të tilla pritet që brenda javës së parë të qershorit të ketë një takim mes palëve për të ndarë situatën dhe të ardhmen e lojtarëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"