Gvozdenoviç nxjerr në pah problemet e Skënderbeut: Na ikën tre sulmues, nuk mjaftojnë afrimet që kemi bërë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 23:20

Gvozdenoviç nxjerr në pah problemet e Skënderbeut: Na ikën tre sulmues, nuk mjaftojnë afrimet që kemi bërë

Skënderbeu pret nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri që startojnë duke filluar nga 1 korriku. Përgatitjet që do të jenë sërish intensive, ashtu si një sezon më parë duke i dhënë ekipit formën e duhur fizike.

gvozdenovic

Në kushte të tilla trajneri i Skënderbeut është duke shijuar ditët e fundit të pushimit duke bërë njëkohësisht planin për fazën përgatitore. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” Gvozdenoviç ka komentuar gjithçka ka ndodhur në këtë pjesë të parë të merkatos mes largimeve dhe dilemave për të ardhmen duke u ndalur veçanërisht te reparti i sulmit.

“Jemi me pushime dhe me punë, por mund të them se një kombinim i mirë i të dyjave. Kjo, pasi në asnjë moment nuk kemi humbur përqendrimin nga ndërtimi i ekipit. Po bisedojmë çdo ditë me drejtuesit e merkatos dhe presidentin, duke u munduar që të bëjmë lëvizjet e zgjuara dhe të jemi në çdo moment të përqendruar rreth ndryshimeve të ekipit.

Për momentin kemi katër largime dhe tri prej tyre janë në repartin e sulmit. Prandaj mendoj që ky është reparti ku ne do të duhet të punojmë më shumë, si në afrimin e lojtarëve cilësorë ashtu edhe për ambientimin e grupit me ndryshimet që janë bërë deri më tani. Sa i përket lojtarëve të tjerë që janë në qendër të zhurmës së merkatos deri tani nuk kemi pasur asnjë zhvillim të ri dhe po mundohemi të jemi të qetë, për të mos bërë lëvizje të nxituara.

Për mua si trajner është mirë që t’i kem në ekip këta lojtarë, pasi janë futbollistë që na bëjnë shumë punë dhe mbajnë një peshë shumë të madhe në ekip. Prandaj kjo do të ishte shumë e përshtatshme për mua. Por nuk mund të gjykojmë kaq përciptazi, pasi në mes është e ardhmja e lojtarëve në fjalë dhe pjesa financiare e klubit. Të dyja janë shumë të rëndësishme sa i përket planit dhe projektit korçar ndaj duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, theksoi Ivan Gvozdenoviç.

AFRIMET – I ndalur tek afrimet dhe plotësimin e ekipit me elementët e rinj, edhe pse asgjë nuk është zyrtarizuar deri në këto momente, Gvozdenoviç është sërish i qetë dhe pret fillimin e përgatitjeve për të folur haptazi. “Deri tani kemi lëvizur mirë dhe në datën 1 korrik mund të njiheni me disa nga afrimet tona. Janë katër për momentin që kemi mbyllur gjithçka dhe i presim në Korçë për të qenë zyrtarisht pjesë e jona. Emra për momentin e kam të vështirë të them, pasi është diçka që presim të na zyrtarizohet.

A mjaftojnë kaq përforcime? Sigurisht që jo, do të kemi dhe të tjera. Do të kemi disa lojtarë, të cilët do të jenë për ne në provë dhe do të shohim me kujdes potencialin e tyre. Por gjithashtu do të kemi edhe afrime të tjera të lojtarëve të konfirmuar tashmë, që do të risin forcën e ekipit. Na pret një sezon i gjatë dhe i vështirë, prandaj edhe ne do të bëjmë maksimumin e mundshëm, që të jemi gati për fillimin e kampionatit. Ajo që ne duam është të ndërtojmë një grup të rëndësishëm dhe projekti është shumë i qartë”, përfundoi trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"