Gvozdenoviç: Skënderbeu ambicioz, nuk nxitohemi për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2024 | 16:11

Gvozdenoviç: Skënderbeu ambicioz, nuk nxitohemi për merkaton

Prej një jave Skënderbeu është duke përgatitur ekipin për edicionin e ri 2024-2025, një sezon që do të jetë me shumë mundësi më i vështirë se i kaluari, të cilin korçarët e mbyllën në vendin e tretë. Një gjë të tillë e konfirmon edhe vetë trajneri Ivan Gvozdenoviç. Ky i fundit në një intervistë për “Panorama Sport” flet për vështirësitë e fillimit të kësaj faze përgatitore dhe mbi të gjitha për afrimet e deritanishme, por gjithashtu edhe për pritshmëritë që ka ai për Skënderbeut e sezonit të ri.

GVOZDENOVIC

Ivan, prej një jave në përgatitje të një sezoni që pritet të jetë më i vështirë sesa ai i kaluari. Si ju duket ekipi?

Po, ndoshta po, do të jetë një sezon më i vështirë se ai që lamë pas. Ky është edhe mendimi im. Mbyllëm gjithçka në vendin e tretë dhe për këtë dua të falënderoj edhe një herë djemtë që bënë të mundur atë sezon aq të mirë. Por këtë edicion ne duhet të shkojmë më lart. Jemi Skënderbeu dhe ambiciet tona vijnë gjithmonë duke u rritur. Kemi ambicie jo vetëm që të mbajmë sërish vendin e tretë, por edhe të synojmë për më lart. Megjithatë, kemi kohë të mendojmë për objektivat sezonalë, pasi tani për tani jemi përqendruar vetëm te faza përgatitore.

Si është programi i Gvozdenoviç për këtë fazë përgatitore?

Kemi një javë që po punojmë me ngarkesë të plotë dhe mund të them se për momentin jam i kënaqur me gjendjen e ekipit në aspektin fizik. Do të jetë një fazë e ngarkuar, të cilën ne kemi vendosur që ta zhvillojmë të gjithën në Korçë, duke provuar elementët e rinj, ekipin në tërësi dhe duke testuar forcat me ndeshje të ndryshme miqësore. Do ta fillojmë gjithçka në datën 16 korrik me një miqësore në Greqi kundër Kalitheas dhe më pas do të vijojmë me radhë. Deri tani grupi është i plotë mungon vetëm Rabiu, teksa kemi edhe shumë lojtarë që janë duke u testuar dhe pasi të kalojnë periudhën e provës do të shohim se çfarë do të bëjmë me ta.

A është gjithçka e mbyllur për Randin? Nuk vjen më te Skënderbeu?

Ende nuk mund të them me siguri asgjë për Randin. Gjithçka është e hapur. Klubi dhe ai janë të përqendruar për momentin te një transferim i mundshëm i tij, por s’dimë ende asgjë konkrete. Me ne është bashkuar Bismark dhe Vaskez, që janë lojtarë me cilësi dhe do të na ndihmojnë mjaft për të plotësuar ekipin.

Sa u përket lojtarëve që kanë qenë në qendër të merkatos, sidomos Rashica dhe Liço, çfarë të rejash ka për ta?

Kjo është diçka tjetër që i përket presidentit dhe klubit për të përcaktuar se çfarë do të ndodhë me këta lojtarë. Për momentin unë i kam të gjithë në stërvitje dhe jam i lumtur kështu. Nëse do të vijë oferta e duhur normalisht që do të largohen, pasi kjo është diçka që shërben në të mirë të financave dhe klubit.

Pra, ju i keni marrë masat që të plotësoni hapësirat nëse këta lojtarë largohen?

Po normalisht. Ne kemi punuar shumë edhe gjatë kohës që kemi qenë pushim dhe kemi parë alternativat më të mira të mundshme për të zëvendësuar lojtarët në fjalë. Klubi është gati dhe kemi punuar për të pasur gati lojtarët që duhet të kemi në grup. Merkatoja është e hapur dhe kemi kohë që të veprojmë. Nuk nxitohemi sepse duam që të bëjmë më të mirën tonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"