Habit kapiten Bonuçi: Urrej ndeshjet në darkë sepse nuk më lënë të fle, Milani si Juvja
Leonardo Bonuçi ka dhënë një intervistë për revistën “Forca Milan”, e cila do të dalë këtë fundjavë. Disa pjesë të fjalës së mbrojtësit u publikuan dje, që ka krahasuar klubin e tij aktual me Juventusin:
“Në fillim të sezonit pata jo pak vështirësi, por ana mendore më ndihmoi shumë, pasi atë që nuk bënin këmbët, e bënte truri. Gjendja ime në këto muaj nuk ka qenë ndër më të mirat dhe së bashku me disa problematika të tjera ndikuan në paraqitjet e mia.
“PUSHIMI” – “Pas skualifikimit arrita të punoj ashtu siç kisha nevojë”. Fillimi i vështirë i Milanit, i kujton Bonuçit sezonin e parë të Juves, me një diferencë të dukshme: “Entuziazmi, blerjet e shumta të Milanit më kujtojnë sezonin e parë bardhezi. Me Juventusin e nisëm mirë, por pas Krishtlindjeve pësuam një rënie të pashpjegueshme. Te Milani e kemi nisur keq, nuk e patëm të lehtë edhe fati nuk ishte nga ana jonë, por kam besim se në këto momente vështirësie do të nxjerrim në pah anën tonë më të mirë duke ngjitur ekipin aty ku meriton”.
KTHESA – Pas fitores në derbi, Milani ka marrë një dozë optimizëm. Gatuzo, në çdo intervistë, e ka konfirmuar gatishmërinë e Bonuçit për të ndihmuar shokët. Edhe vetë mbrojtësi i Milanit e konfirmon këtë prirje duke sqaruar:
“Dua të ndihmoj veten edhe shokët për të dhënë diçka më shumë, por fillimisht duhet gjetur mënyra. Në të kaluarën analizoja gjëra që nuk shkonin mirë dhe kjo ndikonte negativisht. Tani mendoj se si mund të përmirësohem, por nuk e kthej diçka të tillë në problem, pavarësisht se kur luajmë në darkë, e kam të vështirë të fle nga mendimet. Sido që ta rrotullojmë çështjen, sekreti është përkushtimi në punë, ndaj të gjithë duhet të punojmë sa më shumë për të ndryshuar rezultatet e ecurisë sonë në nivel personal dhe ekipor”.
PROFESIONI – Të luajturit shpesh megjithatë nuk është problem për Bonuçin, i cili është dakord me ndeshjet në ditë festash: “Ashtu si edhe në kampionatin anglez, ndeshjet në ditë festash mund të shërbejnë për të afruar familjet në stadium, ndaj ne futbollistët nuk jemi kundër. Ky profesion na ka dhënë shumë dhe kemi detyrime, pavarësisht që fama pengon në gjerat e thjeshta, siç është një shëtitje me familjen”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"