Hasan Lika te Teuta, rikthimi i pestë i tij
Hasan Lika është trajneri i ri i Teutës. Rikthimin e tij në krye të pankinës durrsake e konfirmoi dje për “Panorama Sport” vetë presidenti i klubit, Edmond Hasanbelliu. Ky i fundit zbuloi për gazetën edhe planin që ka për sezonin e ri, teksa do t’u besohet më shumë lojtarëve të rinj. Hasanbelliu zyrtarizoi si afrime tre lojtarë: mbrojtësit Elvis Prençi e Blerim Kotobelli, si dhe mesfushorin Klaudio Hyseni. Te Teuta priten edhe dy kosovarë, ndërkohë që zyrtarisht klubi ka shitur te turqit e Eskisehirsporit sulmuesin Vedat Muriqi.
Kujtojmë se Hasan Lika ikthehet për herë të pestë te Teuta. Trajneri me shumë eksperiencë i kampionatit shqiptar është si i shtëpisë në Durrës. Suksesin më të madh me skuadrën bregdetare e ka arritur në vitin 2000, kur ka fituar Kupën e Shqipërisë në një finale dramatike ndaj Lushnjës. “Më vjen mirë që rikthehem sërish te Teuta. Bisedova të mërkurën me presidentin Hasanbelliu dhe ramë dakord. Do të kem një takim tjetër këto ditë për të folur më gjerësisht rreth të ardhmes së skuadrës”, – ka thënë fillimisht për “Panorama Sport” trajneri tiranas, i cili për herë të fundit ka qenë nën drejtimin e Partizanit në pjesën e parë të sezonit të kaluar. I pyetur për synimet nën drejtimin e Teutës, Lika sqaroi se për këtë do të flasë në një tjetër moment. “Është vetëm fillimi, skuadra do të ketë ndryshime. Gjithsesi, çdo gjë do ta shqyrtoj me presidentin, për të parë se cilat do të jenë afrimet e mundshme gjatë merkatos”, – është shprehur dje 54-vjeçari.
Hera e fundit Për herë të fundit Hasan Lika ka drejtuar Teutën në dy javët e para të sezonit 2012-2013, teksa u shkarkua pas humbjes së thellë në Gjirokastër, 4-1 ndaj Luftëtarit vendës. Në sezonin 2011-2012 Lika ka udhëhequr Teutën në një kampionat fantastik, që është humbur vetëm në fund. Durrsakët luftuan për titull deri në javën e fundit me Skënderbeun, por hapi fals në shtëpi me Kamzën u kushtoi shtrenjtë. Ai sezon do të mbahet mend gjatë nga tifozët durrsakë, pasi titulli është humbur në një moment kur nuk pritej.
Sezoni i ri Tashmë Lika rikthehet në Durrës si një njohje e vjetër, por pritet që strategjia e klubit të jetë ndryshe këtë sezon. Presidenti Hasanbelliu konfirmoi se do të fokusohet tek elementët e rinj dhe deri më tani janë konfirmuar tre lojtarë, të cilët nuk i kalojnë të 21 vjeçët. Priten gjithashtu edhe futbollistë nga Kosova, por gjithçka mbetet për t’u parë ditët në vijim. Për momentin dilema për grupin që mbylli sezonin, ka vetëm për mesfushorin Albi Dosti, i cili do të provohet tek ekipi grek, Panatolikos. Për këtë test lojtari ka marrë OK-in e klubit.