“Heroi i heshtur”, Greca kalon Ngoonë dhe barazon Sentamunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2018 | 15:42

“Heroi i heshtur”, Greca kalon Ngoonë dhe barazon Sentamunë

Tirana është një “makineri golash”, zyrtarisht e mbylli inferioren me plot 66 rrjeta të realizuara. Kemi folur gjatë kësaj kohe vetëm për dyshen Junus Sentamu dhe Majkëll Ngoo, duke i cilësuar si “bomberat” e Tiranës. Por, bardheblutë kanë edhe një tjetër “hero” për sulmin dhe ai është Bedri Greca.

bedri greca

Edhe pse në heshtje të plotë dhe shumë larg mediave, ai është kthyer në një prej shënuesve më të mirë. Me dopietën e realizuar ndaj Bylisit, ai zyrtarisht shkon në kuotën e 12 golave. Sigurisht që nuk janë pak dhe sidomos kur dihet që të huajt nuk kanë bërë më shumë se ai. Me golat më të fundit, ai kaloi anglezin (që mbetet në kuotën e 11 golave) dhe barazoi ugandezin (që ka 12 gola).

Nëse shtatlarti është i dëmtuar prej kohësh, afrikani nuk mund që të thellonte rekordin e golave, për të mos thënë që në 90-minutëshin ndaj ballshiotëve ishte shumë larg pritshmërive. Greca duket se i preferon dygolëshat, pasi këtë sezon realizoi tre të tilla, dy ndaj Bylisit dhe një tjetër përballë Apolonisë.

Nëse sulmuesi, i cili fare mirë mund të luajë edhe në mesfushë, vazhdon me këtë ritëm edhe në elitë, do të jetë një garanci më shumë për kryeqytetasit për repartin e avancuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"