Heroi i Skënderbeut ka një makth, ja cili është sulmuesi që e ka trembur Shehin
Portieri dhe kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, në një rrëfim unik për “Panorama Sport”, ka kujtuar edhe njëherë ngjarjen e ndodhur në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ndërkohë që ka treguar sulmuesin që e ka shqetësuar më shumë gjatë karrierës. Ai ka folur edhe për jetën e tij personale.
Kush është trajneri që keni pasur marrëdhënie më të vështirë në karrierë?
Përgjithësisht, kam pasur marrëdhënie të mira me të gjithë, por përjashtim bën një periudhë te Vllaznia me Dervish Haxhiosmanoviç, me të cilin nuk kisha komunikim dhe prej atij u largova nga Vllaznia.
Përveçse në Beograd, a jeni zënë me grushte në fushë?
Kurrë, nuk është në karakterin tim. Në Beograd ishte një situatë e tillë shumë e vështirë. Në atë moment, pas shfaqjes së dronit, kur pashë Canën që po konfliktohej me një tifoz, u nisa drejt Lorikut, por gjatë rrugës pashë Berishën, shokun e dhomës, që po konfliktohej me dy lojtarë e jam kthyer tek ai. Më pas shkova te Loriku. Momenti më i vështirë që jam trembur ka qenë momenti kur u futëm në tunel. Atje u frikësova disi. Shyqyr Zotit, i sprapsi policia, pasi tani nuk dihet nëse do të ishim gjallë apo jo.
E shoh që edhe tani po rrëqetheni. Emocione të forta?
Shumë, as në ’97 kur armët ishin sheshit nuk e kam jetuar një situatë të tillë.
A është e vërtetë që me Shkëmbin i keni ftohur marrëdhëniet në sezonin e kaluar?
Ne kemi rrugë të ndryshme tashmë, por nuk diskutohet që kur ishim me futbollin, gjithmonë ishim bashkë. Thjesht nuk kam dashur të përzihem në një çështje që nuk më takonte mua.
Kush ka qenë sulmuesi që ju ka shqetësuar më shumë dhe ka qenë i paparashikueshëm?
Kanë qenë shumë, pasi ka pasur shumë sulmues të fortë sidomos para shumë vitesh. Do veçoja Fortuzin, Sinanin, por edhe Dinamo ka pasur sulmues të mirë. Por lojtari më dinak që e nxirrte golin nga hiçi ishte Fortuzi.
Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?
Me Elisabetën jam njohur shumë herët, që në rininë time. Ka qenë dhe është dashuria ime e vetme. Nga kjo lidhje kemi dy fëmijë të mrekullueshëm, djalin Aris, 13 vjeç dhe vajzën Serena, 7 vjeçe. I jap të drejtë plotësisht thënies që pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e suksesshme. E them këtë sepse meritë për arritjet e mia pa dyshim ka ajo. Jam fatlum dhe arritjet e mia i takojnë në një përqindje të madhe edhe Elisabetës.
Ju kritikon shpesh kur gaboni?
Ndeshjet nuk i sheh shumë, pasi i shkaktojnë emocion të madh, por s’ka ndeshje që të mos më urojë suksese. Po nuk më tha, më shkon gjithçka ters. Elisabeta e di shumë mirë këtë dhe nuk harron kurrë.
A ankohet shpesh kur duhet të udhëtoni gjatë?
Sigurisht që po, pasi barra më e madhe i bie asaj. Në vitet e fundit, bëj shumë pak pushime. Ka momente që lodhet dhe mërzitet shumë për këtë.
Ndeshja e fundit që ka qenë në stadium?
Ka qenë ndeshja me Tiranën, kur humbëm kupën. Ngaqë ka emocione të forta, nuk ka dëshirë të ndjekë ndeshjet, sidomos kur unë jam në fushë.
Cila është gjëja më e sikletshme që keni bërë?
Ka momente kur ti mendon se ka ardhur fundi dhe më pas thua jo. Për gjëra të tjera që janë të sikletshme unë nuk u futem fare dhe mundohem t’i shmang. Jam një tip që nuk merrem me “Facebook” apo me “Instagram” pasi më shpërqendrojnë.
*** Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës në versionin print ***
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"