Historia e çuditshme e Realdo Filit, 6 muaj vuajtje prej… një dhëmballe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2017 | 9:57

Historia e çuditshme e Realdo Filit, 6 muaj vuajtje prej… një dhëmballe

Realdo Fili erdhi te Partizani në janar të 2016-ës si një lojtar i ri dhe i perspektivës. Paraqitja e tij në sezonin e parë ishte pozitive, ku mbahet mend goli i barazimit në derbin e 4 majit të 2016-ës, që evitoi humbjen. Por në 6 muajt e fundit 21-vjeçari ka qenë i pafat, pasi gjithnjë ka qenë i rreshtuar në listën e infermierisë.

fili

Gjatë kësaj periudhe, lojtari u është nënshtruar disa kontrolleve mjekësore dhe fazave rikuperuese, por prezenca e tij në fushë daton më 8 prill 2017, në ndeshjen ndaj Luftëtarit, ku luajti 86 minuta dhe u zëvendësua nga Sukaj. Pas kësaj ndeshjeje, Fili është përballur me vuajtje pa fund. E habitshme në këtë rast ka qenë se kontrollet mjekësore nuk i nxirrnin probleme muskulore lojtarit, por kur ai provonte të stërvitej në fushë dhimbjet i shtoheshin.

Duket e habitshme, por është e vërtetë që shkaku i kësaj vuajtje kishte ardhur nga një dhëmballë me probleme. Fili e ka dalluar vonë këtë shqetësim dhe pasi ka evituar problemin me dhëmballët, ka nisur të përgatitet normalisht me grupin. Zakonisht njihen simptomat që japin dhëmballët e prishura, pasi ato japin shqetësime muskulore.

Lojtari e ka pikasur vonë se nga ka vuajtur dhe gjatë gjithë kësaj periudhe është ndier i pafat, pasi kur mendohej se ishte gati, menjëherë nisnin dhimbjet. Kjo situatë e ka vënë në siklet lojtarin para stafit, pasi dukej sikur ai shtirej, nisur nga përgjigjet e kontrolleve mjekësore, të cilat nuk i nxirrnin probleme fizike.

Gjithsesi, rëndësi ka që problemi është zgjidhur dhe shumë shpejt pritet që trajneri Iuliano të ketë një alternativë më tepër për fazën sulmuese. Prej disa ditësh, 21- vjeçari po përgatitet normalisht dhe tani i duhet që të kapë ritmin dhe formën e grupit.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"