Historike për Shqipërinë në Lojërat Europiane 2023, Alvin Karaqi merr medalje ari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2023 | 8:45

Historike për Shqipërinë në Lojërat Europiane 2023, Alvin Karaqi merr medalje ari

Prej datës 21 qershor në Krakovë dhe Malopolska të Polonisë po zhvillohet edicioni i tretë i Lojërave Europiane, eveniment sportiv në të cilin merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet më 11 sportistë, ndërsa 29 sportistë të tjerë konkurruan në Europianin Ekipor të Atletikës në Korzov. Ndërkohë kombëtarja kuqezi ka arritur që të fitojë edhe medaljen e parë në Lojërat Europiane, sukses ky që vjen me sportin e karatesë dhe mban firmën e Alvin Karaqit.

Alvi Karaqi

30-vjeçari ia doli të ngjitej sot në shkallën më të lartë të podiumit, duke realizuar paraqitje fantastike në kategorinë e peshave -84 kg, për t’u shpallur kampion. Në ndeshjen e parë, Karaqi mposhti me rezultatin 2-0 kroatin Enes Gariboviç. Në sfidën e dytë u mund nga polaku Mikal Babos me rezultatin 5-3. Në duelin e tretë, karateisti shqiptar mundi grekun Kostandinos Mastrojanis 1-0, duke siguruar gjysmëfinalen dhe automatikisht zonën e medaljeve. Një triumf mjaft i bukur nga Karaqi, i cili pas fitores nuk mundi që t’i përballonte dot emocionet, duke shpërthyer në lot gëzimi. Por Karaqi nuk u mjaftua vetëm me bronzin, pasi realizoi një tjetër paraqitje të shkëlqyer duke mposhtur edhe italianin Mikele Martina në gjysmëfinale me rezultatin 3-2.

Në orët e pasdites karateisti ynë kishte finalen kundër holandezit Brian Simon Hen Timmermans, duke zhvilluar një paraqitje të madhe. Pas një dueli shumë të bukur, Karaqi fitoi me rezultatin 3-2 duke bërë të tijën medaljen e artë. Një sukses i madh për vetë sportistin nga Kosova dhe Shqipërinë. Kujtojmë se Alvin Karaqi prej 3 vitesh mbron ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, pasi më parë ka përfaqësuar Kosovën.

REZULTATET E TJERA –
Me këmbë të mbarë e ka nisur rrugëtimin në Lojërat Europiane edhe boksieri Ardit Murja, i cili e kaloi me sukses raundin e parë në kategorinë e peshave 57 kg. Murja fitoi me rezultatin 3-2 kundër moldavit Viktor Vakula, duke avancuar mes 16 më të mirëve. Ndërsa ende nuk janë ngjitur në ring boksierit e tjerë kuqezi, Alban Beqiri, Resis Karaj dhe Gelian Rojku. Për herë të parë Shqipëria u përfaqësua në Lojërat Europiane edhe me sportin e padelit. Dyshja kuqezi e formuar nga Marko Montanaro dhe Fjoralb Curri u ndalën që në ndeshjen e tyre të parë, duke u mposhtur nga Irlanda me rezultatin 2-0. Shqipëria do të konkurrojë gjithashtu edhe në qitje me Manjola Koninin, Massimo Mari do të përfaqësojë flamurin kuqezi në sportin e skermës, Jurido Cani në taekuondo dhe Fransua Shabani në teqboll.

Kujtojmë se për herë të parë Lojërat Europiane janë mbajtur në vitin 2015, eveniment që u zhvillua në Baku, ndërsa katër vite më vonë, në 2019-ën, ato u mbajtën në Minsk. Të gjitha sportet olimpike në këtë aktivitet do t’u ofrojnë mundësi kualifikimi sportistëve për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, veprimtarinë më të madhe botërore sportive që do të mbahet verën e ardhshme në kryeqytetin francez.

karaqi karaqi 1 karaqi 2 karaqi 3

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"