Hysa largohet nga Kukësi: Sot do të tërheq letrat
Vazhdon të mbetet e paqartë situata e disa titullarëve te Kukësi. Një ditë më parë, klubi verilindor bëri të ditur se Renato Malota, Besar Musolli, Gledi Mici dhe Ylli Shameti janë ende nën kontratë me skuadrën. Për tre të parët është sqaruar se kanë kontrata të vlefshme me ekipin, në një kohë që edhe Shameti, pavarësisht se i ka përfunduar, duhej të bënte kërkesë 60 ditë përpara kampionatit për t’u larguar, pasi, në të kundërt, kontrata rinovohej automatikisht. Nga ana tjetër, lojtarët thonë se nuk janë nën kontratë me Kukësin. Megjithatë, të gjithë kanë theksuar që, së pari, do të bisedojnë me presidentin Gjici dhe më pas do të vendosin për të ardhmen.
Hysa Ndërkaq, një tjetër largim është lajmëruar te nënkampionët e Shqipërisë. Bëhet fjalë për sulmuesin Vilfor Hysa, të cilit i ka përfunduar kontrata, edhe pse kishte një kontratë 2+2. “Panorama Sport” zbulon se lojtari u ka kërkuar drejtuesve që të tërheqë letrat dhe të largohet nga klubi. 25-vjeçari nuk ka qenë titullar sezonin e kaluar dhe, për këtë arsye, ka mbetur i zhgënjyer nga drejtuesit. Për këtë shkak ai do të largohet nga skuadra. Lojtari ka qenë një nga pikat kryesore të ekipit në krahun e djathtë të sulmit dhe së bashku me Pejicin kanë qenë mjaft të rrezikshëm.
Hysa ka shënuar gjashtë gola, ndërsa është aktivizuar 22 herë si titullar dhe në 30 takime në total me ekipin e Kukësit për këtë sezon. Hysa është shprehur edhe më parë për gazetën se nuk ka qenë i kënaqur për pozicionin në fushë, pasi është sulmues tipik i djathtë, ndaj nuk duhet të luante si mesfushor i djathtë i avancuar. Në një prononcim për gazetën, lojtari thotë: “Sot (dje) kam folur me drejtuesit dhe u kam kërkuar letrat, pasi e kam vendosur që të largohem. E kemi lënë për t’u takuar të hënën, kur unë të shkoj dhe të tërheq letrat. Kështu që unë e kam mbyllur dhe vendosur këtë gjë. I përshëndes dhe i falënderoj shumë tifozët e Kukësit që më kanë mbështetur shumë gjatë kësaj periudhe”, ka sqaruar Hysa. Flamurtari është një prej skuadrave që interesohet për sulmuesin
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"