I ka mbaruar kontrata, mesfushori Koleci: Burreli mbetet prioriteti im për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2024 | 14:02

I ka mbaruar kontrata, mesfushori Koleci: Burreli mbetet prioriteti im për të ardhmen

Mesfushori matjan, Eristel Koleci, është një nga futbollistët që i ka përfunduar kontrata me Burrelin dhe tashmë është një lojtar i lirë. Sipas 31-vjeçarit, kontrata e lidhur me skuadrën e vendlindjes së tij ka qenë njëvjeçare.

burreli, koleci farruku

“Kontrata me skuadrën matjane më ka përfunduar qysh me përfundimin e kampionatit dhe tashmë jam lojtar i lirë”, thotë fillimisht Koleci, i cili në këtë periudhë merkatoje, si edhe shumë të tjerë, është në fokusin e disa skuadrave nga kampionati i Kategorisë së Parë. Ai pohon se pavarësisht ofertave të marra, Burreli mbetet skuadra prioritare për të vazhduar dhe në edicionin e ri futbollistik.

“Duke qenë lojtar i lirë, këto ditë kam marrë oferta nga dy skuadra të Kategorisë së Parë. Para se të marr një vendim përfundimtar, do të ulem me drejtuesit e klubit dhe në varësi të kushteve që do më ofrohen do të vendos për të ardhmen”, u shpreh për “Panorama Sport” 31-vjeçari matjan, i cili gjatë karrierës së tij sportive ka provuar të veshë fanellat e disa skuadrave, ku më të spikatura mbeten Besa dhe Tomori.

Në edicion që lamë pas, në 33 ndeshje të zhvilluara, mesfushori është aktivizuar në 29 ndeshje. Pavarësisht se nuk ka gjetur rrugën e rrjetës, kontributi i tij në lojën e skuadrës ka qenë i vlerësueshëm dhe ka merituar edhe duartrokitjet e sportdashësve matjan. “Ishte një kampionat i mbushur me stres, por fundi rezultoi i suksesshëm. Gjithmonë ka vend për korrigjime. E rëndësishme është që ia dolëm me sukses duke evituar rënien direkte dhe ndeshjen shtesë”, e mbylli komentin e tij Eristotel Koleci.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"