I nxehti dhe tapeti sintetik, Tomori mund të “braktisë” Beratin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2023 | 19:55

I nxehti dhe tapeti sintetik, Tomori mund të “braktisë” Beratin

Pushimet e Tomorit po shkojnë drejt fundit. Të hënën e 24 korrikut, ekipi do të nisë fazën përgatitore. Ndryshim date nuk do të ketë, por po shikohet si mundësi ndryshimi i destinacionit.

tomori

Ishte menduar që do të stërviteshin në Berat, por i nxehti mund t’i spostojë diku tjetër. Temperaturat e larta mund të detyrojnë drejtuesit që ta çojnë ekipin në Skrapar, atje ku bën disi më freskët. Tapeti sintetik është një problem i madh në këtë periudhë, duke u bërë pengesë për zhvillimin e seancave.

Shqetësim më vete është edhe ndriçimi, që në mbrëmje mungon. Te Tomori, tapetit sintetik i gëzohen vetëm gjatë tri stinëve, pasi në stinën e verës gjithçka kthehet në një ferr të vërtetë. Sidoqoftë, klubi është duke përgatitur terrenin që të ketë gjithçka gati për në fillimjavë. Dhe nuk flasim vetëm për fushën në këtë rast, por edhe për akomodimin dhe trajtimin ushqimor për futbollistët jabanxhinj e të huaj.

Më shumë për këtë situatë, na tregon vetë trajneri. Klodian Arbëri për gazetën tha: “Do të bisedoj me presidentin dhe donatorin për fazën përgatitore, një zhvendosje drejt Skraparit apo qoftë edhe në Pogradec, do të ishte e udhës. Nëse vijon kjo situatë e të nxehtit ekstrem, atëherë kjo do të na pengonte në procesin dhe ngarkesën e plotë. Shpresojmë që kjo situatë të jetë kalimtare, por personalisht jam shumë i interesuar që futbollistët të kenë kushte sa më normale për t’u stërvitur”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"