Idrizi: Trajneri i ri i Flamurtarit, i huaj që ka punuar më parë në futbollin shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2024 | 21:46

Idrizi: Trajneri i ri i Flamurtarit, i huaj që ka punuar më parë në futbollin shqiptar

Flamurtari i ka ndarë rrugët me Eqerem Memushin. Drejtuesit e klubit nuk kanë në plan të vijojnë bashkëpunimin me vlonjatin, që mbylli sezonin në stolin kuqezi. Flamurtari me shumë gjasë do të ketë një trajner të huaj për sezonin e ardhshëm.

SINAN IDRIZI

Për momentin nuk ka asgjë konkrete, por Sinan Idrizi i ka kandidaturat në “xhep”. Për “Panorama Sport”, administratori thotë së bisedimet kanë avancuar me një trajner të huaj që ka punuar më parë në kampionatin shqiptar, por nuk zbulon emër. “Për trajnerin ende nuk kemi asnjë gjë të re. Janë disa kandidatura që po i shikojmë me kujdes. Me një, që unë mendoj se është i përshtatshëm, kanë avancuar bisedimet. Ai kërkoi edhe dy ditë të tjera në dispozicion, e mirëkuptova. Është një trajner i huaj që ka punuar në kampionatin shqiptar”, shprehet fillimisht Idrizi.

LARGIMI I OLIVEIRËS – Për Indio Oliveirën, Sinan Idrizi thotë se i përfundoi kontrata. Duke se rrugën e largimit ia ka lënë të hapur. “Indio Oliveirës i ka mbaruar kontrata me Flamurtarin. I ka përfunduar në fund të muajit maj dhe kaq. Nuk e di ka folur apo jo me përfaqësuesit e klubit. Me ne ka qenë korrekt, djalë i mirë. Vjet ishte një armë e rëndësishme. Nëse ka vendosur të iki, suksese!”, shprehet administratori.

KËRKESA PËR PAGAT – Një pjesë e futbollistëve që mbyllën sezonin në Vlorë kërkojnë rritje page, por Sinan Idrizi nuk ka ndërmend t’ua plotësojë, për shkak se nuk kanë arritur objektivin. “Unë nuk kam kontaktuar me asnjë nga lojtarët. Kjo ideja e rritjes së pagës është shumë fantastike. Rritje page, për çfarë? Dakord, hajde do t’i rrisim pagat sa të doni ju. Këta kanë pagat, nuk them më të larta nga Superiorja, por jemi aty.

Çfarë objektivi kanë arritur që t’iu rrisim pagat? OK, po i rrisim, por për çfarë arsye? Nëse mendojnë se janë një mall që u është rritur vlera në treg, në rregull nuk ka asnjë gjë të keqe fare. Flamurtari ka një goxha buxhet, në kuptimin klasik të shifrave, por nuk ka një buxhet për budallenjtë që të shkojmë tani pas berihait. Kush do të qëndrojë le të rrijë, kush do të iki, le të ikë. Ata që ishin të arsyeshëm qëndruan, të tjerët ikën”, përfundon Idrizi.

 

Faza, në Ohër

Pavarësisht se nuk kanë trajner dhe nuk kanë formuar ende grupin e plotë për sezonin e ri, vlonjatët kanë vendosur se ku dhe kur do ta zhvillojnë fazën intensive përgatitore. “Panorama Sport”, mëson se faza përgatitore do të zhvillohet në Ohër. Vlonjatët do të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut javën që vjen, ku veç përgatitjeve intensive, Flamurtari pritet që të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"