Ikën portieri Malaj, Kastriotit jep sinjale shprese me dy përforcimet “big” në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 15:40

Ikën portieri Malaj, Kastriotit jep sinjale shprese me dy përforcimet “big” në merkato

Pas përfundimit të sezonit të fundit, ku mbijetesa u sigurua në javët e fundit, Kastrioti u prek ndjeshëm  nga fenomeni i largimit të futbollistëve. Plot njëmbëdhjetë titullarë i kanë dhënë lamtumirën krutanëve deri tani. Së fundi, mësohet se është larguar edhe portieri titullar Livio Malaj, që bëhet me dije se “gardiani” është larguar në drejtim të Kanadasë.

livio malaj

“Hemorragjia” masive e lojtarëve u kthyer në një shqetësim të madh për klubin, që rrezikonte shpërbërjen e ekipit. Kjo i ka detyruar drejtuesit të mos qëndrojnë duarkryq edhe këto ditë të nxehta vere, larg syrit të medias, ata kanë bërë dy afrimet e para, që vijnë nga Bylisi.  Pra Kastrioti është “zgjuar” papritur me dy afrime me emër. Bëhet fjalë për portierin Bruno Puja, që më parë ka luajtur me Kastriotin, si dhe mbrojtësin me eksperiencë, Gëzim Krasniqi. Të dy futbollistët kanë mbajtur veshur në sezonin e fundit fanellën e ballshiotëve, që këtë sezon do të konkurrojnë në Superiore.

Klubi deklaron se marrëveshja me lojtarët është arritur për 2024-2025. Ditët në vazhdim priten prurje të reja, që do të plotësojnë më së miri kontingjentin e duhur për ekipin. Duhet thënë se Kastrioti ka dhe besnikët e tij, një prej të cilëve është kapiteni Sokol Neziri, që në profilin e tij në “Facebook” së fundmi ka postuar një foto me fanellën e krutanëve. Kjo forcon bindjen se Neziri do të kontribuojë me fanellën e Kastriotit edhe në sezonin e ri. Dy afrimet e fundit shikohen si një sinjal shpresë, për të pasur një Kastriot më konkurrues në sezonin e ri. Mbetet të shikohet në vijim se kush do të jetë edhe trajneri që do të drejtojë krutanët.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"